Dedë Beleshi është veprimtar shoqëror e biznesmen i ri i cili drejton një kompanie të vogël shërbimesh telefonike brenda një komuniteti shqiptar në rrethin e Detroit. Ndërkohë Eduart Aliko, një tjetër shqiptaro-amerikan, po punon për krijimin e një televizioni, të quajtur TV - Iliria. Ata përfaqësojnë përpjekjet e komunitetit shqiptar, për të patur biznese bashkëkohore dhe të sukseshme në SHBA.
Harta  e biznesit shqiptar në Amerikë ka ndryshuar dukshëm. Para viteve '90, shqiptarët i shihje më shpesh në biznese ushqimore, si restorante, kjoska, ose në tregun e pasurive të patundshme. Rrënia e komunizmit dhe hapja e dyerve të 
vendit (Shqipërisë) për udhëtime lirisht në botën e jashtme, përkoi gjithashtu me zhvillimin dramatik në teknologjinë eletronike e të informacionit. Pa internet, kompjuter portativ apo telefon celular e sotmja as që mund të mendohet.
Dedë Beleshi është veprimtar shoqëror e biznesmen i ri, i shkolluar e familjar. Deda është nga Rrësheni. Ai erdhi në Amerikë 15 vjet më parë. Ëndrra e tij ishte të bëhej pasur, si thuajse çdo njeri që emigron nga një zonë e varfër, në kërkim për një jetë më të mirë e jo pa shpresë.
Për vite, kur ndodhej në Shqipëri, ai kishte dëgjuar se po të punoje shumë, në Amerikë mund të arrije diçka të qëndrueshme dhe më shpejt se në çdo vend tjetër. Deda sot është themelues, pronar dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë telefonike IliriaTelecom. Ai me krenari thotë se punëson 8 vetë. Ideja për të krijuar këtë kompani telefonike, atij i lindi që kur erdhi në Amerikë më 1994. Bisedat telefonike me të afërmit me vendlindjen, përbënin shpenzimin më të madh financiar për çdo të ardhur rishtaz. Kjo e shtyu  Dedë Beleshin të mendonte se një kompani telefonike, që t'u ofronte çmime të ulta shqiptarëve emigrantë, do të ishte një shërbim i mirë për ata, por edhe për veten e tij.
Dedë Beleshi është diplomuar për gjeologji – miniera dhe pak përvojë kishte nga çështje të biznesit. Pas një pune disa vjeçare me firma të ndryshme telekomunikimi, në vitin 2004, Deda arriti të themelojë kompaninë e tij ILIRIA-TELECOM, që sot u shërben jo vetëm shqiptarëve, por edhe pjestarëve të grupeve të tjera pakicash në SHBA.
Kompania e tij, thotë zoti Beleshi, ka abonentë edhe mes shqiptarëve jashtë Amerikës, si në Ballkan, Evropë e më gjerë. Ajo që e bën kompaninë IliriaTelecom të rritet, është shërbimi i ndershëm e transparent, thotë Deda. Por janë edhe çmimet e ulta që ofron; personi kudo që ndodhet, në çdo vend të botës, mund të flasë me tjetrin për 25 cent për minutë. Oferta të tilla, kompanitë e mëdha kurrë nuk i ofrojnë, thotë Dedë Beleshi, jo sepse nuk kanë mundësi, por sepse firmat e mëdha telefonike si AT&T, ndjekin një strategji globale për t’u shërbyer njerëzve në përgjithësi.
Kompanitë e mëdha, z. Beleshi i krahason me supermarketet, ndërsa kompanitë e vogla si IliriaTelecom janë si ato dyqanet e lagjeve, që i shërbejnë një popullate të veçantë  dhe që njohin nevojat dhe kërkesat e tyre më mirë se kushdo tjetër. Zoti Beleshi thotë se Amerika, e përbërë nga shumëllojshmëri etnike, vërtet e ofron këtë mundësi, dhe kjo mundësi mund të bëhet shpejt realitet po të kihet parasysh se Amerika si vend emigrantësh, është gjithashtu vendi ku diskriminimi ndaj emigrantit nuk ekziston.
Gjetja e klientëve të rinj është sfidë e madhe për pronarët e bizneseve të vogla. Dhe zotit Beleshi i duhet të punojnë për marketingun e biznesit të vet çdo ditë. Dhe fakti qe mes klientëve të tij ka jo vetëm shqiptarë, tregon se kompania Iliriatelecom (http://www.iliriatelecom.com/) ka hyrë prej kohësh në rrugën e zgjerimit.
****
Një tjeter zhvillim në gjirin e komunitetit shqiptar të Michiganit është puna për krijimin e një televizioni, që do të quhet  TV-Iliria, stacion që pritet të fillojë së shpejti transmetimet e veta. Ky projekt është fryt i bashkëpunimit të disa biznesmenëve brenda komunitetit shqiptar të Miçiganit.
Drejtori i këtij projekti është Eduard Aliko, veprimtar e intelektual. Zoti Aliko i tha Zërit të Amerikës se planet janë që ky program informativ e kulturor të përfshihet edhe në rrjetin e transmetimeve kabllore, dixhitale e satelitore. Në fakt, zoti Aliko thotë se bisedime janë duke u zhvilluar  me drejtues të kanaleve kryesore televizive në Shqipëri , Kosovë, Maqedoni e Mal të zi në mënyrë që programet e këtij stacioni të transmetohen për një publik më të gjërë shqiptar, për t’a bërë televizionin Iliria një zë të Diasporës për shqiptarët në Ballkan.