
Dy zyrtarë të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit shprehën besimin të mërkurën se Gjykata Ndërkombëtare të Drejtësisë do të shprehet se deklarimi i pavarësisë së Kosovës është në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Njëri nga zyrtarët – të cilët folën për këtë çështje duke kërkuar të mos identifikohen – tha se nuk beson se opinioni do të ndryshojë situatën politike.
“Ne besojmë, tha ai, se përfundimi ligjor do të konfirmojë se deklarata është në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe do të eliminojë pengesa dhe dyshime që mund të ketë pasur lidhur me këtë çështje”.
Zyrtari tjetër i lartë tha se megjithëse Serbia me veprimet e fundit po lë të kuptohet se ka ndër mend të vazhdojë përpjekjet të frenojë përparimin e Kosovës, të bllokojë njohjet e mëtejshme dhe të sfidojë ekzistencën e saj si një shtet i pavarur, Shtetet e Bashkuara e kanë bërë shumë të qartë se “pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, njohjet janë një akt politik, njohja e Kosovës nga Shtetet e Bashkuara si një shtet i pavarur është e pakthyeshme”.
“Ne kemi si qëllim të ecim përpara duke e ndihmuar Kosovën të fitojë vendin e saj në komunitetin ndërkombëtar, brenda institucioneve të komunitetit ndërkombëtar si Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe NATO”.
Zyrtari tha se dita e enjte është një shans për Beogradin të shohë përpara. Ai shtoi se Beogradi duhet ta pranojë vendimin dhe se veprimi i nesërm u jep fund pyetjeve ligjore për të ardhmen e Kosovës.
Zyrtari tjetër tha se Shtetet e Bashkuara nuk besojnë se shpalljet e pavarësisë janë akte legale, ligjshmëria e të cilave konfirmohet ose mohohet nga kjo Gjykatë Ndërkombëtare. Por sido që të jetë opinioni, ai tha se pavarësia do të mbetet dhe realiteti i pavarësisë do të vazhdojë.
Duke folur për idenë e këmbimit të territorit, njëri nga zyrtarët tha se këto janë ide të diskredituara dhe se ato pasqyrojnë mungesë njohjeje dhe imagjinate dhe i krahasoi ato me idetë e Millosheviçit në vitet 1990.
“Po të fillosh ndryshim kufijsh në Ballkan, nuk mund të thuash më se ku mbaron. Çfarë ndodh pastaj me Bosnjën, Maqedoninë, çfarë ndodh me vetë Serbinë, nëse gjithkush që ka një pakicë etnike fillon të pretendojë një pjesë të Serbisë?”
Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin pjesëmarrje, krijim, fillim dhe sugjerim të negociatave të tilla dhe shtoi se këto ide duhet të lihen mënjanë njëherë e përgjithmonë. Serbia ndërkohë ka thënë se me opinionin e gjykatës, bisedimet e reja për statusin do të jenë të mundshme dhe se është e hapur për kompromis por nuk ka shpjeguar se çdo të thotë me kompromis.