
Pakistani dhe Afganistani nënshkruan dje një marrëveshje të rëndësishme tregtare që është mbështetur fuqishishëm nga Shtetet e Bashkuara.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, e cila ndodhet në Pakistan për një vizitë dy ditëshme, ishte e pranishme në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes nga ministrat e Tregtisë të Pakistanit dhe Afganistanit në Islamabad.
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Afganistanin dhe Pakistanin, Riçard Hollbruk, e quajti marrëveshjen “shprehje të qartë të konvergjimit mes dy vendeve”, gjë që ka qënë që në fillim, synimi i administratës së Presidentit Barak Obama.
Marrëveshja që ka qënë prej vitesh në procesin e negociatave, do të krijojë kushtet për transportin tokësor të mallrave mes dy vendeve. Ajo duhet të ratifikohet nga parlamenti i Afganistanit.
Sot, sekretarja Klinton takohet me udhëheqësit e lartë ushtarakë dhe civilë të Pakistanit dhe pritet të njoftojë programe të reja zhvillimi për Pakistanin me një vlerë prej 500 milionë dollarësh, të cilat do të përqendrohen në projektet e ujit, energjisë dhe shëndetit publik.