Bypassi Fier – Vlorë është kthyer sot në objekt debati gjatë diskutimeve në seancën parlametare.
Në nisje të diskutimeve, ministri Bode u shpreh se kostoja e shpronësimeve do të përballohet në masën 100 milion euro nga qeveria, ndërsa pjesa tjetër do të plotësohet me kredinë e BERZH-it.
“Punimet nisin në vitin 2013 dhe do të mbarojnë në 2015. Deri më tani ka ardhur vetëm kredia e BERZH-it, do vijë dhe kredia e Bankës Europiane, pjesa tjetër do të përballohet nga buxheti i shtetit. Kjo është një marrëveshje që pasqyron strategjinë e qeverisë për të zhvendosur projektet e mëdha jo me fonde të kushtueshme, me periudha afatgjata por me fonde zhvillimi”, tha Bode.
Por, për deputetin socialist Arben Malaj, ky është një projekt në prag dështimi. Sipas tij, këtë e tregon mosparaqitja e një projekti të plotë.
Ndërsa deputeti Erion Braçe i cilësoi si dramatikisht të vonuara këto dy projekte, të cilat ai u shpreh se janë shtyrë për qëllime politike e korruptive.
“Jugu i Shqipërisë është i vonuar për qëllime politike, korruptive e klienteliste. Aksi Fier-Tepelenë u vonua dy vjet e gjysmë për një kapriço të kryeministrit të vendit. Në këtë sallë kemi diskutuar për këtë vonesë dhe argumenti i tij ishte: Ju jeni filogrekë. Kur inspekton punimet, ai mahnitet nga panorama dhe nuk e shikon atë si një nga arteriet kryesore të vendit”, tha Braçe.
Në lidhje me bypassin Fier-Vlorë, Braçe u shpreh se ky projekt është vonuar për të paktën 5 vjet. Sipas tij, shkak për këtë është bërë ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, i cili ka bërë tenderin e projektit.