Drejtori për Zgjerimin në Komisionin Europian, Stefano Sanino, e ka vijuar vizitën e tij në Tiranë me takimin me kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli.
Sipas njoftimit në faqen zyrtare të Kuvendit, Sanino ka ritheksuar nevojën e bashkëpunimit  të mëtejshëm mes palëve politike.
“Për integrimin europian duhet një impenjim unanim dhe vullnet nga të gjitha palët. Shqipëria duhet të vijojë me ritmin e reformave. Në parlament ka zhvillime pozitive, siç janë votimi i disa prej ligjeve me 3/5-tat, nisja e punës për reformën zgjedhore, si dhe zgjedhja e Avokatit të Popullit. Ne ndjekim me vëmendje ecurinë e këtyre zhvillimeve, duke shpresuar që dialogu të jetë i qëndrueshëm”, deklaroi Sanino.
Ndërsa kryeparlamentarja Topalli vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me opozitën, duke u shprehur optimiste për vazhdimin e tij.
“Ndihem mirë që në nëntor opozita iu bashkua mazhorancës në një marrëveshje për votimin e ligjeve me 3/5 si dhe për Reformën Zgjedhore. Presim që opozita t’i qëndrojë marrëveshjes së nëntorit. Në Parlament kemi zbatuar dhe do të zbatojmë vetëm ligjin, Rregulloren dhe Kushtetutën”, tha Topalli.