Kryesocialisti Rama u shpreh sot se shifrat e Bankës së Shqipërisë në lidhje me papunësinë në vend faktojnë atë që opozita e ka deklaruar prej kohësh: nivelin alarmant të papunësisë në vend.
Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama u shpreh se shifrat tregojnë se Shqipëria ka tashmë nivelin më të ulët të punësimit që nga viti 2001.
“Në tabelën e nxjerrë nga BSH  del qartë si drita e diellit se kush gënjen. Opozita që thotë se janë 1 milion të papunë apo kryeministri që thotë që është rritur numri i të punësuarve.  Shiheni si janë rritur në vite forcat e punës, ndërsa sivjet Shqipëria ka nivelin më të ulët të punësimit që nga viti 2001. Kjo është e vërteta, në mos qoftë edhe më keq se kaq”, tha kreu i selisë rozë.
Sipas tij, shifrat tregojnë dështimin e qeverisë në politikat e punësimit dhe janë turp për kryeministrin, i cili thotë se opozita gënjen kur flet për numrin e të papunëve.
Rama u ndal në nivelin e kriminalitetit në vend, rritja e të cilit nuk mund të mos lidhet me gjendjen e vështirë ekonomike dhe mungesën e drejtësisë.
“Jetojmë në një vend që tronditet përditë nga vrasjet e grabitjet. Vrasin grupet kriminale, vrasin të rinjtë për të shpëtuar nga kthetrat e varfërisë, vret shteti dhe shpall heronj vrasësit. Jeta është e pambrojtur, prona, biznesi dhe e ardhmja.
Krimi po merr përditë terren. Kriminelët po fitojnë superioritet ndaj shtetit. Vrasësit dhe grabitësit gëlojnë sepse kanë vrarë frikën ndaj drejtësisë. Ne jemi të vetëdidjshëm për këtë situatë dhe jemi gati ta përballojmë këtë sfidë”, tha Rama.  / Gazmira Ndoja