ELBASAN- Një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë kanë mbetur të plagosur kur autobusi me të cilin udhëtonin është përplasur me një triler.
Ngjarja ndodhi në aksin Elbasan-Librazhd dhe autobusi i aksidentuar ka qenë i linjës Tiranë-Selanik.
Sipas të dhënave nga vendi i ngjarjes, përplasja u shënua në afërsi të fshatit Mirakë. Autobusi i linjës Tiranë-Selanik me targë TR 9381 I, i drejtuar nga Llesh Gega 50 vjeç është përplasur me trailerin nga Kosova me targë 246 KS 831 të drejtuar nga Raif Selimi 45 vjeç. Si pasojë e kësaj përplasje ka mbetur i vdekur ndihmës shoferi i autobusit Tom Gjinaj 55 vjeç me banim në Laç, i cili ndodhej në vendin e para anash shoferit. Në gjendje të rëndë ndodhet pasagjeri i autobusit Liman Gega me banim në Burrel. Ndërkohë nga ky aksident janë aksidentuar edhe disa udhëtarë. Autobusi udhëtonte nga Tirana në drejtim të Selanikut, ndërsa traileri nga QafëThana në drejtim të Elbasanit. Në vendin e ngjarjes ka shkuar policia, ekspertët, reparti i zjarrfikësve dhe një grup hetimor.
Të lënduarit janë dërguar në spitalin e Elbasanit . Sipas të dhënave të para rezulton se shkak i aksidentit ka qenë devijimi nga rruga i trailerit nga Kosova për shkak të lagështirës së rrugës.