TIRANË- Kreu i bashkisë së Tiranës, Edi Rama ka garantuar sot qytetarët se masterplani për transportin urban, do të garantojë jo vetëm kushte optimale dhe standarde në qarkullim, por edhe lehtësim të trafikut e pakësim të ndotjes së mjedisit.
Gjatë një takimi me operatorët e transportit publik, ku më parë drejtori i këtij sektori prezantoi fazat e masterplanit, Rama deklaroi se të gjitha linjat e autobusëve do të jenë me mjete të reja.
"Çdo linjë autobusi urbane në Tiranë do të ketë autobusë të rinj, gjithçka do të firmoset ne kontrata në mars të vitit të ardhshëm dhe ndërkohë në vijim ne do të kemi javë pas jave muaj pas muaji një autobus të ri, sipas një plani të kontratave. Ky është një ndryshim cilësor në shërbimin e linjave që jo vetëm do garantojë transportin në kushte maksimale, por duhet të ndikojë dhe lehtësimin e qarkullimit në kryeqytet, që më shumë qytetarë të zgjedhin shërbimin e transportit publik se automjetet e tyre", tha Rama.
Ai ka njoftuar se shumë shpejt do të vihet në përdorim bileta elektronike, ndërkohë që linjat e autobusëve do të përfshijnë edhe zona që tashmë janë të pambuluar me transportin publik, duke ndihmuar gjithnjë e më shumë lëvizjen e qytetarëve.