TIRANË- Temë e ditës në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të PD-së ka qenë ajo që Berisha e ka quajtur rritje e madhe ekonomike e vendit dhe përmbushja e objektivave të qeverisë. Duke folur para deputetëve, kreu i qeverisë ka folur për integrimin vendit dhe rrugën e mbarë në të cilën është procesi i liberalizimit të vizave.
"Pavarësisht nga klithmat e përditshme për krizë, nga deklaratat e përditshme të shokëve opozitare për krizë ekonomike, ekonomia shqiptare faktohet në tërësi me një shëndet që se ka pasur ndonjëherë. Borxhi këtë vit jo vetëm që s'do rritet, por do ulet"- tha Berisha, duke numëruar shifrat e eksporteve "Made in Albania".
Sipas tij, me këto ritme të rritjes, buxheti i ardhshëm do të shënojë sërish rritje pagash e pensionesh, ndërkohë që do të vazhdojnë investimet në infrastrukturë me përparësi rrugët.
Bode: Opozita të lexojë saktë shifrat, rritja ekonomike pritet 4%
TIRANË- Ministri i Financave Ridvan Bode deklaroi se jo vetëm është realizuar plani i të ardhurave të 8 mujorit të parë të vitit, por me këto ritme rritja ekonomike pritet mbi 4%.
Deklarata është bërë gjatë një konference për mediat, në të cilën Bode ka thënë se totali i të ardhurave të arkëtuara për periudhën 8 mujore është 206 miliardë lekë nga 207 miliardë lekë të programuara.
"Ftoj opozitën që t'i lexojë shifrat sic janë dhe të shohë realitetin në sy, të kuptojë se ekonomia shqiptare tashmë ndodhet në ritmet e saj më optimale, më të larta dhe t'i japë fund përrallës së Ramës me gogol krize, pasi vetëm kështu mendoj se do të jetë në të njëjtin kah lëvizje me komunitetin e biznesit dhe ekonominë e vendit"- tha ai.
Sipas Bodes, vetëm për muajin gusht të ardhurat ishim 15% mbi planin, ndërkohë që qarkullimi i mallrave u rrit me 11%.