Do ta keni ndjekur zallahinë e ditëve të fundit, në media, për kreun e opozitës Rama, si përdorues të supozuar droge. Për mua, kjo stuhi e fundit në një gotë uji veçse provon në ç'gjirize është futur lufta politike në Tiranë.
Ndërkohë, ndesha në një shkrim të vogël të "Panoramës" me titullin: Pesha: Rama të bëjë analizat e drogës, në të cilin thuhet:
Drejtori i Përgjithshëm i Politikave Tregtare në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Besjan Pesha reagoi dje ndaj akuzave te reja te PS per ministrin Prifti.
"Edhe njëherë publikisht i bëj thirrje zotit Rama që t'i lërë pallavrat me donacione gjaku, sepse të gjithë ata që dhurojnë gjak e dinë shumë mirë se është e pamundur që të vërtetosh nëse je i toksikuar apo jo nëpërmjet atyre analizave..Ka vetëm një analizë të vërtetë që bëhet në laboratorë të specializuar dhe e ftojmë zotin Rama që ta bëjë këtë analizë publikisht për t'u vërtetuar shqiptarëve njëherë e mirë që ai nuk është person i droguar," thotë Drejtori i Përgjithshëm i Mjekësisë Ligjore dhe Kriminalistikës, pranë Ministrisë së Brendshme..."
Vëreni si e prezanton gazeta autorin e kësaj deklarate agresive, Besian Peshën: "Drejtori i Përgjithshëm i Politikave Tregtare në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës." Më kot lodhet mendja të gjejë një lidhje midis politikave tregtare dhe problemit të supozuar të Ramës, si adikt droge. Ç'lidhje të ketë vallë mes zakonit të dikujt për t'u droguar - të kritikueshëm në vetvete - dhe politikat tregtare dhe Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës?
Të merret vallë Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës edhe me tregtinë me pakicë të drogës në Tiranë?
Vështirë të jetë kështu. Nuk ka asnjë lidhje mes postit të artikuluar mirë dhe me peshë të Besian Peshës, dhe përdorimit të supozuar të drogës nga kreu i opozitës shqiptare.
"Edhe njëherë publikisht i bëj thirrje zotit Rama që t'i lërë pallavrat me donacione gjaku, sepse të gjithë ata që dhurojnë gjak e dinë shumë mirë se është e pamundur që të vërtetosh nëse je i toksikuar apo jo nëpërmjet atyre analizave," thotë Drejtori i Përgjithshëm i Politikave të Dhurimit të Gjakut, pranë Ministrisë së Shëndetësisë...
"Ka vetëm një analizë të vërtetë që bëhet në laboratorë të specializuar dhe e ftojmë zotin Rama që ta bëjë këtë analizë publikisht për t'u vërtetuar shqiptarëve njëherë e mirë që ai nuk është person i droguar," thotë Drejtori i Përgjithshëm i Mjekësisë Ligjore dhe Kriminalistikës, pranë Ministrisë së Brendshme...
Pse është katandisur kështu dialogu politik në Tiranë?
Unë vetë besoj se kjo po ndodh ngaqë sistemi politik atje tashmë ka dështuar përfundimisht - meqë nuk arrin dot të prodhojë politikë të mirëfilltë. Dështimi i sistemit është i shumëfishtë: më një anë, ka nxitur daljen në krye të njerëzve të paskrupullt, që nuk e kanë idenë as të etikës së komunikimit, as të etiketës; më anë tjetër, nuk arrin dot të koagulojë ndonjë farë kundërvënieje ndaj kësaj farse të neveritshme; më në fund, mass mediat po shërbejnë, para së gjithash, si kuti rezonance për kakofoninë - në vend që të distancoheshin prej saj.
Arsyeja kryesore e dështimit të sistemit të tanishëm? Për mua, siç e kam thënë prej kohësh, ajo ka të bëjë me shartimin e tij mekanik në një trung social i cili kishte nevojë për diçka tjetër.
Të kthehem tani te Besjan Pesha - pse vallë i jep vend më vete "Panorama" deklaratës së një drejtori ministrie çfarëdo, që hedh lirisht baltë mbi një person tjetër, i cili është jo vetëm figurë politike madhore, por edhe individ me të drejta qytetare?
Natyrisht, unë nuk e di pse. Por nuk do shumë mend për të parë se, duke vepruar kështu, "Panorama" po e prezanton veten si kobure, në duart e kujt dëshiron të shtjerë kundër Ramës.
A është ky misioni i shtypit në një shoqëri të lirë, pluraliste dhe demokratike?
Jo, nuk është. Ky është misioni i shtypit në një shoqëri ku etika vihet në shërbim të pushtetit dhe mediat janë armë sermi në duart e të fuqishmëve.
*Marre nga blogu Peizazhe te Fjales