Ministri britanik për Evropën, David Lidington është shprehur i shqetësuar për vazhdimin e ngërçit politik në Shqipëri. Gjatë një interviste dhënë për BBC-në, Lidington ka pranuar se situata aktuale mban të bllokuar disa reforma shumë të rëndësishme.
"Ne jemi shumë të shqetësuar nga vazhdimi i ngërçit politik mes qeverisë shqiptare dhe opozitës. Kjo situatë po dëmton imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe ajo që është më e rëndësishme, po bllokon disa reforma jetike që janë në interes të popullit shqiptar"- ka thënë ai.
Sipas tij, Britania vazhdon të mbështesë fuqimisht perspektivën evropiane të Shqipërisë, por që kjo perspektivë të përmbushet, duhet vullnet politik si dhe shumë energji për të plotësuar kushtet e nevojshme në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
"Ne shpresojme që forcat politike në Shqipëri të gjejnë një rrugëdalje nga ky ngërç. Është shumë e rëndësishme që dy apo tre forcat politike të punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje që duhet mbështetur në parimin e transparencës dhe kushtetutshmërisë"- tha më tej ai.
Sa për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor ai ka sqaruar se për këtë mund të të ketë një seri programesh individuale, vend pas vendi, sepse paketa e reformave që kërkohet, ka veçoritë e veta në secilin vend.
"Mund të ndodhë që disa vende të anëtarësohen në Bashkimin Evropian njëkohësisht. Por, unë sigurisht nuk mund të them se çdo vend duhet të presë derisa të bëhen gati gjithë të tjerët. Gjithsesi, Britania dëshiron që të gjitha vendet e rajonit të hedhin hapa për një anëtarësim sa më të shpejtë"- tha Lidington.