Ministri i Jashtëm i Serbisë Vuk Jeremiç, u takua sot në Nju Jork me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon për të diskutuar rreth projekt rezolutës për Kosovën.
Dje, Beogradi paraqiti një rezolutë të re në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku i kërkon organizatës ndërkombëtare të nxisë të dyja palët, "të gjejnë zgjidhje reciprokisht të pranueshme" për mosmarrëveshjet që kanë për Kosovën.
Një zëdhënës i OKB-së tha më pas, se zoti Ban do të vazhdojë t'u bëjë thirrje të gjitha palëve, "të mbështesin dialogun konstruktiv", që nxit stabilitetin midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.
Përpjekja e fundit diplomatike e Beogradit pason vendimin e javës së kaluar të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila u shpreh se shpallja e pavarësisë nga Kosova ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar.