Shumica e anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së e kanë kundërshtuar rezolutën që Serbia e dorëzoi dje për ta proceduar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Fuqitë e Mëdha, sidomos shtetet si Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë vlerësuar se teksti i rezolutës serbe është i papranueshëm pasi në të thuhet se Serbia dhe Kosova duhet të vendosin "dialog për të gjitha çështjet e hapura". Sipas këtyre vendeve, të cilat e kanë njohur ndër të parat pavarësinë e Kosovës, është dashur të precizohet se bëhet fjalë për "bisedime për çështje teknike" e jo për të "gjitha çështjet e hapura".
"Është dashur të specifikohet qartë, pasi për Serbinë çështje e hapur është edhe ajo për statusin, ndërkohë që ne vlerësojmë se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, dhe se nuk mund të ketë bisedime për statusin e saj", citon e përditshmja serbe Blic një diplomat të huaj të mirinformuar.
Serbia ia ka dorëzuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së tekstin e rezolutës së re për Kosovën, me të cilën sipas medieve serbe, nuk përmenden negociatat për statusin, por theksohet se "secesioni është mënyrë e papranueshme për të fituar Kosova sovranitetin territorial".
"Me rezolutë, Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së i propozohet konkluzioni rreth mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë", ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë.
Shtetet e Bashkuara dhe shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, sipas medieve serbe, kanë insistuar që në tekst të rezolutës serbe të precizohet se bëhet fjalë për "bisedime teknike mes Beogradit dhe Prishtinës", gjë që edhe ato vet e përkrahin.
Pavarësisht se çfarë do të bëjë Serbia, Kosova planifikon që në vjeshtë përmes aleatëve të saj ta paraqes një rezolutë të veten në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Zëvendës/ministrja e Jashtme e Kosovës, Vlora Çitaku ka deklaruar se SHBA-ja dhe shtetet kryesore të Bashkimit Evropian në shtator do të paraqesin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së një rezolutë për dhe në emër të Kosovës. Ajo ka thënë se aty do të prezantohet qëndrimi i qartë i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimimin e pavarësisë së Kosovës.
Kosovën, deri më tash, e kanë njohur 69 shtete, ndërsa prite që pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se Deklarata e Pavarësisë nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare, do të ketë rritje dramatike të këtij numri. Synim i Kosovës është që para sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, numri i njohjeve të arrijë mbi 100.
Serbia dorëzon rezolutën në OKB, Kosova e përgatitur
28 korrik
Serbia ka dorëzuar sot në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, rezolutën, përmes së cilës synon të vijë deri tek negociatat e reja për statusin, transmetojnë mediumet serbe.
Në tekst, nuk përmendet drejtpërdrejt kërkesa për negociata të reja, por thuhet se "secesioni i njëanshëm është i papranueshëm".
Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, ka udhëtuar në New York për të biseduar me sekretarin Gjeneral të Kombeve të Bashkuara, Ban ki-moon, ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë.
Duke marrë parasysh që GJND ka konfirmuar të drejtën e shqiptarëve për ndarje nga Serbia, në Rezolutë qartë theksohet se recesioni i njëanshëm nuk është mënyrë e pranueshme për zgjidhjen e çështjeve të territoreve, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, Rezoluta e propozuar nga Serbia përmban thirrjen që përmes dialogut të arrihet një zgjidhje e pranueshme për të gjitha çështjet e hapura.
Rezoluta është dorëzuar pasi janë bërë konsultimet me faktorët e gjerë ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe të gjitha anëtaret e përhershme të Kombeve të Bashkuara, kanë thënë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë.
Jeremiç do të diskutojë me Ban ki-moonin për situatën në Kosovë pas mendimit këshilldhënës të GJND-së.
Gjatë qëndrimit në New York, Jeremiç thuhet se do t'i drejtohet edhe forumit të Lëvizjes së Painkuadruarve si dhe do të zhvillojë një numër të madh takimesh me ambasadorët e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara.
Jeremiç do t'ua përcjellë bashkëbiseduesve të tij pozicionin e Serbisë pas mendimit këshillëdhënës të GJND-së si dhe do të prezantojë hapat e mëtutjeshëm që Qeveria e Serbisë i ka ndërmarrë, sikurse thuhet "për mbrojtjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale".
Sipas njoftimit të MPJ-së së Serbisë, Jeremiçi, gjithashtu, do të zhvillojë konsultime në përpjekje për t'u përgatitur për seancën e Këshillit të Sigurimit rreth Kosovës, e cila është paraparë në javën e ardhshme.
Kosova e përgatitur edhe për përballjen në OKB
Kryeministri Hashim Thaçi tha sot se pas suksesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Republika e Kosovës është e përgatitur që të përballen me Serbinë, edhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
"Ne do të punojmë me gjithë ekipet tona të ekspertëve në bazë të rrethanave dhe kushteve që do të krijohen dhe duke mos bërë shumë zhurmë, siç që nuk kemi bërë shumë zhurmë as për opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare. Por kemi punuar maksimalisht me të gjitha kapacitetet tona shtetërore dhe me gjithë miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë për të ndodhur mrekullia që ndodhi në GJND. Do të jemi të përgatitur shkëlqyeshëm, sot e konfirmoj, edhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, nëse do të ngrihet çështja", ka thënë Thaçi, transmeton KosovaPress.
Ai ka theksuar se tani pas mendimit pozitiv të GJND-së për pavarësinë e Kosovës, pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën, duhet ta bëjnë një gjë të tillë. "Çdo vonesë nga mosnjohja e këtyre shteteve, është një vonesë e perspektivës evropiane të Kosovës dhe rajonit, është në interesin e të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian që rajoni të integrohet sa më parë që është e mundur në NATO dhe Bashkim Evropian".