Sa herë vjen vera, krenaria e dëlirë dhe e brishtë e fëmijëve sportdashës, por edhe e të rriturve ndoshta, goditet rëndë nga humbjet poshtëruese dhe të thella që pësojnë rëndom skuadrat shqiptare të futbollit në ato ndeshjet parakualifikuese të dorës së tretë në kupat e Europës. Këtë vit, për të na bërë verem kalamajtë, menduan skuadrat e Laçit dhe Tiranës dhe, mbi të gjitha, skuadra e Kavajës, që u mund njëmbëdhjetë me një nga një skuadër greke. Po veçoj trishtimin e fëmijëve në këtë festival të mërzisë, sepse ata janë "mall" i butë; ata i besojnë dhe i ndjejnë me një pastërti engjëllore shenjat e atdheut në konkurrimin e shqiptarëve me të tjerët; ata zhgënjehen, lotojnë dhe vuajnë kur shohin të pataksuar, me sytë e mbushur plot habi dhe pikëllim, se sa ulët, sa shëmtuar dhe sa mjerueshëm fluturojnë në fushën e mejdanit shqiponjat e tyre që i dinin të lavdishme. Ndërkohë që të mëdhenjtë janë mësuar me këto gjëra. Pa llogaritur tjetrën që të mëdhenjtë, për të mpirë plagët e krenarisë, kanë motër ngushëlluese gotën.
Kjo është një histori që përsëritet prej vitesh dhe që akuzon në mënyrën e vet të veçantë e të rreptë kalbëzimin e futbollit dhe sportit në simbiozë me kalbëzimin e jetës në fushat e tjera. Më saktë, kjo është një gjendje që na tregon degradimin e futbollit si produkt i degradimit të përgjithshëm. Dikujt mund t'i duket e zmadhuar kjo lidhje, por sporti, e sidomos futbolli, si një sport popullor edhe në vendin tonë, është njëlloj ekrani i veçantë i humorit të shoqërisë dhe i stabilitetit të vendit në kuptimin me të gjerë të fjalës. Stadiumet e zbrazura janë pasqyra e një shoqërie të marrë peng nga kësmeti dhe pasiguria. Shkallët bosh, balta, mjerimi dhe skenat e dhunshme në stadiumet tona janë vizatimi i saktë i Tranzicionit të stërzgjatur. Momenti kur do të mbushen stadiumet e mëdha kombëtare, do të jetë momenti kur rregulli dhe ligji do të kenë triumfuar dhe sistemi do të ketë zënë vend.
Kjo lidhje e sportit me politikën dhe zhvillimin në përgjithësi sot shfaqet në formën e imitimit të politikës nga sporti. Mbledhjet e forumeve drejtuese të sporteve ngjajnë si dy pika uji me Konferencat apo Kongreset e Partive. E njëjta fasadë, i njëjti pompozitet, e njëjta demagogji, e njëjta retorikë e drejtuesve dhe lakenjve të tyre, i njëjti kujdes për të mos hapur debate, i njëjti kontroll i imët i votimeve dhe votës. Të huajt që vizitojnë zyrat e qeverisë dhe institucioneve shtetërore paraqiten në mediat e blera si njerëz të magjepsur me arritjet dhe drejtuesit e Shqipërisë. Fjalët e tyre të kortezisë paraqiten si vlerësime të menduara gjatë. Të njëjtën gjë e shohim edhe në sport. Të huaj që vinë si të ftuar apo si të deleguar në konferencat sportive manipulohen dhe paraqiten sikur kanë ardhur në Shqipëri për t'u bërë elozhe shqiptarëve. Farsë politika, farsë edhe sporti. Politika, me ndonjë përjashtim, nuk bën dot zgjedhje të lira, sepse drejtuesit e qeverisë duan të përfitojnë dhe jo të shërbejnë. Në forumet e sportit vota e delegatëve kalohet në vrimë të gjilpërës dhe aty ku nuk kalohet në vrimë të gjilpërës plas grushti dhe shqelmi, sepse edhe në sport nuk luftohet për cilësi, për kulturë sportive dhe rezultate, por para së gjithash për përfitime vetjake. Votat nuk kalohen në vrimë të gjilpërës për Shqipërinë; grushti nuk plas për Shqipërinë, por për paratë e reklamave, të drejtave televizive e tjerë e tjerë.
Në të vërtetë duhet guxim i madh të mendosh se mund të ketë zgjedhje të lira në një institucion sportiv, kur nuk ka zgjedhje të lira për Kuvendin e Shqipërisë. Duhet guxim i madh të kërkosh ligj në sport, kur ligji trajtohet si leckë në zyrat e ministrave që arrijnë deri atje sa të mos zbatojnë qindra e qindra urdhra ekzekutimi të Përmbarimit - ky është fundi i shtetit.
Por, ka një specifikë sporti dhe futbolli në krahasim me qeverinë. Qeveria nuk konkurron me askënd. Qeveria i mat, i ç'mat dhe i paraqet rezultatet siç do vetë. Qeveria sot ndërton buxhetin më të madh në histori, katër muaj më vonë e sheh se ka vrarë laraska dhe me një të goditur heq, duke u mburrur, mbi treqind milionë euro nga buxheti fiktiv. Askush nuk mban përgjegjësi për ketë. Qeverinë, të themi kështu, s'ka kush ta mundë. Ajo luan me vetveten e saj. Ndërkohë që futbolli është i dënuar të zbresë në fushë dhe të ndeshet me rivalët nën një gjykim ndërkombëtar të paanshëm. Kjo është specifika. Ky është momenti kur futbolli nuk mund të imitojë qeverinë. Ky është momenti kur futbolli mbetet vetëm. Skuadrat e kampionatit shqiptar, disa prej të cilave janë ngjitur në pozicionet e epërme të klasifikimit kryesisht me ryshfete dhe mbështetje politike, vihen në provën e së vërtetës, duke u ndeshur në fushën e nderit.
Për to nuk vendosin më deputetët, ministrat apo kryetarët që kanë hallin e votave të tifozëve; nuk vendosin më sekserët, gjyqtarët apo drejtuesit e federatës, por këmbët dhe koka e futbollistëve e trajnerëve. Atje, në fushën e nderit, rëndom këto skuadra nuk është se thjesht munden. Humbjet janë të pranueshme. Qoftë edhe të thella, nganjëherë. Tradita jonë nuk janë fitoret. Por skuadrat tona poshtërohen dhe turpërohen, siç nuk e shohim në asnjë vend tjetër të Europës Perëndimore dhe Lindore. Kundërshtarët na mëshirojnë, duke u habitur se përse po luajnë me ne. Kjo formë e fyerjes del nga korniza e një ndeshjeje sportive dhe prek ndjenjat e gjuhës dhe gjakut.
Dikush që ka autoritetin duhet të reagojë! Diçka duhet bërë për të evituar këto ngjarje që na turpërojnë si vend. Në librin tim "Vera e përjetshme", botuar në vitin 1998, duke komentuar një episod sportive si ky i Kavajës këtë vit, kam pas shkruar thjesht se duhet të tërhiqemi njëherë për njëherë, derisa ta marrim vetën, nga kompeticione të tilla të papërshtatshme për nivelin e kampionatit tonë. Atëherë e kam propozuar nga dëshpërimi tërheqjen, vetëpezullimin. Me shumë se sa një propozim, që nuk do ta dëgjonte njeri, propozimi im ka qenë një klithëm shkrimtari. Gjërat kanë shkuar me keq përgjatë dymbëdhjetë vjetëve që kanë pasuar.
Duhet bërë patjetër diçka, duhen krijuar disa rregulla kundër turpit, së paku për hir të me të vegjëlve. Nëse premier liga jonë është ne nivelin e kategorisë së dytë të një vendi fqinj - dhe duket se kështu është në rastin me të mirë - atëherë ne si vend ose nuk duhet të marrim pjesë deri në një moment të përshtatshëm në kompeticionet e kupave të Europës, ose të mos kemi fare njëherë për njëherë Premier Ligë.
Vendimet më të drejta priten të merren nga federata dhe vetë skuadrat, por qeveria, Ministria e Sporteve dhe Parlamenti nuk janë dorëjashtë në momentin kur problematika e krijuar rrezaton përtej vetë sportit. Dikush mund të thotë se qeveria nuk mund të cenojë pavarësinë e futbollit. Nuk po kërkon kush të cenohet pavarësia e futbollit. Kërkohet të kurohet "pavarësia" e skuadrave dhe institucioneve të sportit për të turpëruar sistematikisht Shqipërinë. Si e qysh mund ta gjejnë më mirë ata që paguhen për këtë punë.