UPDATE- Dekreti i presidentit per emerimin e Bashkim Dedes ne krye te Gjykates Kushtetuese ka marre sot edhe votat e Kuvendit.
Ne seancen e sotme, parlamenti miratoi me votat e mazhorancës, emrin e bashkim dedes per ne krye te Gjykates Kushtetuese.
Kandidatura u miratua me 74 vota pro, nderkohe qe opozita braktisi seancen ne menyre demonstrative, per shkak te shkeljes se Kushtetutes lidhur me rrezimin e dekreit te Presidentit per ligjin e Pronave.
Dje Komisioni i Ligjeve miratoi dekretin e presidentit Topi, që përcaktonte në krye të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Deden.
_________
Bashkim Dedja, kryetari i Gjykatës Kushtetuese
UPDATE- Bashkim Dedja eshte emri i perzgjedhur nga presidenti i vendit, Bamir Topi per kreun e ri te Gjykates Kushtetuese. Dekreti, publikuar ne faqen zyrtare te Presidences, eshte ne mbeshtetje te nenit 93 dhe 125, paragrafi 4, të Kushtetutës së Shqipërisë dhe hyn ne fuqi menjehere.
Ne mesdite, vetëm një ditë pas akuzave të hapura të kryeparlamentares Jozefina Topalli në adresë të presidentit për mosdekretimin e kreut të Gjykatës Kushtetuese ka ardhur reagimi zyrtar i Presidencës.
Gjatë një deklarate për mediat, Spiro Peçi, këshilltar i presidentit për çështjet juridike ka theksuar se emërimi i kryetarit të Kushtetueses do të bëhet sot nga Presidenti, para se ai të niset për në asamblenë e OKB-së.
Kush është gjyqtari Bashkim Dedja
Gjyqtari Bashkim Dedja i sapo dekretuar nga Presidenti i Republikës për kryetar të Gjykatës Kushtetuese nuk është i panjohur për klasën politike. Prej dy vitesh, Dedja është përfshirë në listat e kandidaturave të Presidentit të Republikës, fillimisht për të drejtuar ILDKP-në e më pas për të qenë pjesë e Kolegjit Zgjedhor.
Dy vjet më parë, në muajin korrik të vitit 2008, Dedja ishte një nga dy emrat e propozuar nga Topi për postin e ILDKP-së, por që nuk mundi të marrë votat e deputetëve të majtë, të cilët votuan kandidaturën tjetër rivale, Adriatik Llalla, i cili aktualisht vazhdon të drejtojë këtë inspektorat.
Bashkim Dedja ka qenë "ish-student i Dhjetorit", ndërsa më vonë ka punuar si gjyqtar fillimisht në Gjykatën e Shkallës së parë Tiranë dhe prej më shumë se 10 vjetësh gjyqtar i Apelit në Durrës. Dedja u përzgjodh në një tjetër garë të rëndësishme, si anëtar i Kolegjit Zgjedhor. Por, emri i Dedes, bashkë me dy gjyqtarë të tjerë u kontestuan nga partitë e për pasojë nuk mundi që të kalojë raundin final të emërimit në këtë kolegj.
Bashkim Dedja ka qenë edhe në listën e kandidaturave të shpallura nga Presidenca për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Edhe pse socialistët në maj të këtij viti kanë votuar kundër propozimit të kreut të Gjykatës Kushtetuese, ende nuk mund të thuhet me siguri, nëse opozita do të votojë kundër emrit të dekretuar nga presidenti apo do të bashkojë votat me mazhorancës, e cila pritet që të japë votën pro kandidaturës së gjyqtarit Dedja për postin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
_________
Mosdekretimi i kreut të Kushtetueses, Topalli sulmon presidentin Topi
TIRANË - Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, ka sulmuar dje Presidentin e Republikës, duke e akuzuar se ka shkelur Kushtetutën, teksa ka vonuar dekretimin e emrave të rinj për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryetaren e Dhomës së Lordëve të Mbretërisë së Bashkuar, baroneshën Helene Hayman, drejtuesja e Kuvendit u shpreh se ka një shkelje katërmujore të ligjit themeltar të shtetit për kreun e Gjykatës Kushtetuese. "Mazhoranca është shprehur e gatshme për të mbledhur në seancë të jashtëzakonshme Parlamentin, po të vinte emri i kryetarit të gjykatës Kushtetuese, sepse prej katër muajsh ka kaluar afati kushtetues i kryetarit të gjykatës Kushtetuese. Deri tani nuk ka ardhur, ndërkohë emra të tjerë kanë kaluar nga komisioni i Ligjeve, të cilët me kalendarin e tyre sipas procedurës së re", - theksoi Jozefina Topalli.
Akuzat e kryetares së Kuvendit për shkelje të Kushtetutës është edhe një nga pikat që parashikon shkarkimin e kreut të shtetit. Në nenin 90 të ligjit themeltar përcaktohet se Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij. Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra. Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit u shpreh se dekretet e kreut të shtetit për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese kanë mbërritur në komisionin e ligjeve, i cili do t'i analizojë sipas procedurës së re 8-javore. "Dekretet i kanë kaluar Komisionit të Ligjeve. Shqyrtimi do të bëhet sipas procedurës së re, një procedurë që ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm për të bërë një skaner të të gjithë emrave dhe për të bërë transparencën më të madhe në të gjithë historinë dhe në të gjitha vendimet që janë marrë", - sqaroi kryetarja e Parlamentit.
Akuzat e kryetares së Kuvendit nuk janë të parat që vijnë nga kampi demokrat. Gjatë gjithë muajit gusht, deputetët demokratë, në mënyrë të përsëritur, kanë akuzuar kreun e shtetit për shkelje të ligjit themeltar për vonesën në dekretimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Ata ishin të mendimit që mosdekretimi i emrave të rinj për Gjykatën Kushtetuese ka cenuar punën e kësaj gjykate. Sipas mazhorancës, kryetari i ri mund të zgjidhej nga secili prej nëntë anëtarëve, sepse, sipas tyre, ligji përcakton se mandati i kryetarit është brenda mandatit të anëtarit.
_____________
Kryetari i Nderit të Partisë Republikane dhe një nga bashkëhartuesit e Kushtetutës shqiptare, Sabri Godo, ka kundërshtuar sulmet e bera nga PD në drejtim të Presidentit Topi, duke i cilësuar ato si me prapavijë politike. Sipas tij, Presidenti Topi ka të drejtë në ato që thotë dhe nuk ka shkelje të Kushtetutës në rastin e Gjykatës.
______________
Kushtetuesja, PD akuza Topit. Reagimi: Në shtator, anëtarët e rinj
UPDATE- Partia Demokratike eshte perplasur me Presidentin e vendit, per dekretimin e kreut te Gjykates Kushtetuese.
Deputeti i PD-së, Eduard Halimi ka akuzuar kreun e shtetit, Bamir Topi për shkelje të Kushtetutës. Pas tij, ka reaguar presidenca, e cila ka sqaruar se vonesa nuk eshte per faj te Presidentit, ndersa ka shtuar se anetaret e rinj do te jene gati ne muajin shtator.
Akuzat janë bërë gjate nje deklarate per mediat te deputetit te PD-se, ku Halimi është ndaluar në mosdekretimin nga ana e presidentit të kreut të Gjykatës Kushtetuese.