Këtë ngjarje nuk do ta besoja po të ma thoshte njeri. Por e pashë me sytë e mi dhe e dëgjova me veshët e mi.
Bëhet fjalë për Astrit Patozin, deputetin dhe kryetarin e grupit parlamentar të PD. Ishte pasdite e datës 20 korrik 2010 rreth orës 17:30. Z. Patozi me një makinë fuoristradë me ngjyrë të zezë, tek ura afër Drejtorisë së Policisë u përplas jo rëndë me një makinë që drejtohej nga një zonjë. Për mua, faji ishte i z. Patozi, por nuk është kjo më e rëndësishmja.
Ajo që më bëri përshtypje të thellë ishte sjellja e z. Patozi. Pa pikë turpi nisi të shante zonjën me "libër shtëpie". Nuk e shkruaj dot atë që tha tamam, por ia kam shkruar me SMS drejtorit të kësaj gazete.
Zonja lajmëroi sallën operative 129 të policisë, por asnjë punonjës policie nuk u duk për një kohë të gjatë që unë qëndrova aty në pritje çfarë do ndodhte. Z. Patozi, ju nuk keni sensin elementar të mirësjelljes, sidomos me një femër.
Kur nuk jeni njeri, si mund të jeni deputet? Dhe madje, jeni në kushtet kur shkelni rregullat e qarkullimit rrugor. Ju duhet të jeni shembull për respektin dhe mirësjelljen ndaj qytetarëve dhe ndaj ligjit. Zonja e nderuar nuk foli hiç fare. Ajo tregoi edukatë qytetare. Po ju them që zonja kishte të drejtë dhe që gjithçka shkrova është e vërtetë.
Emri im është Zaim Korça, telefoni im celular është 0672077294, adresa ime e e-mailit është zaimkorca@yahoo.com. Cilido që dëshiron të marrë dëshminë time, le të më kontaktojë. Kam dëshmitarë sytë dhe veshët e mi për këtë që ju shkruaj.