Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Christopher Dell, nëpërmjet një komunikate për shtyp, ka sqaruar se nuk e mbështet dhënien e "autonomisë" për veriun e Kosovës, sikur është interpretuar në një raport të "Zërit të Amerikës" në gjuhën serbe, që pastaj është transmetuar edhe në mediat e tjera
"Komenti im për mediume, më 22 korrik, lavdëroi Kryeministrin për prirjen e tij për të ecur përpara dhe për të menduarit e tij kreativ lidhur me situatën në Kosovën veriore. Unë nuk kam bërë thirrje për dhënien e autonomisë Kosovës veriore, dhe as Kryeministri nuk e ka bërë ndonjëherë një gjë të tillë - as publikisht dhe as privatisht, thuhet në një deklaratë të Dellit, shpërndarë medieve nga Ambasada Amerikane.
"Në të vërtetë, unë kam sfiduar saktësinë e këtij karakterizimi të qëndrimit të Kryeministrit nga gazetari serb i cili më bëri pyetjen, dhe unë jam i befasuar kur pashë se mediumet e Kosovës kanë rënë pre e kësaj dredhie të njohur gazetareske. 'Zëri i Amerikës' e ka futur fjalën 'autonomi' në titullin e vet, por unë nuk e kam përdorur atë dhe nuk do ta përdori, sepse ne nuk e mbështesim atë", thekson Dell.
Qëndrimi i Qeverisë së SHBA-ve është shumë i qartë, ka theksuar ambasadori amerikan në Prishtinë. "Ne fuqimisht e mbështesim statusin e Kosovës si një shtet i pavarur dhe sovran dhe integritetin e saj territorial".
SHBA do të donte të shihte që Kosova dhe Serbia ecin përpara së bashku, si shtete të pavarura, drejt integrimit në institucionet Euro-Atlantike.