Fitore historike për Kosovën, institucionet e saj dhe rajonin e ka quajtur kryeministri Hashim Thaçi vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Sipas tij, opinioni i GJND ishte i qartë. Shpallja e pavarësisë së Kosovës është e drejta jonë ligjore, tha ai. Ky vendim rrit përgjegjësinë e institucioneve tona për të vazhduar reformat në të gjitha fushat e sidomos në drejtësi. Qeveria ime do të ketë tolerancë zero ndaj korrupsionit tha kryeministri i Kosovës.
"Opinioni i GJND-së është një opinion historik dhe një fitore e madhe për rajonin, partnerët tanë dhe një mirënjohje e madhe për gjithë botën. Pres që pas këtij opinioni të vazhdojmë me konsolidimin dhe forcimin e shtetit tonë, pres njohje te reja. Eshtë hapur kapitulli i sigurtë i perspektivës atlantike dhe pres një reflektim e vullnet të mirë nga Beogradi", tha Thaci.
Duke komentuar deklaratën e Serbisë për mosnjohjen e shtetit te Kosovës, Thaçi tha se ajo është çështje e Beogradit si do reagojë dhe veprojë, por është në interes te rajonit të ketë një sjellje korrekte në lidhje me Kosovën.
Thaçi theksoi se asnjëherë nuk do të vihet në diskutim integriteti territorial i vendit edhe pse ka fjalë për shkëmbim territoresh.