Konfliktet e vazhdueshme të mazhorancës me institucionet e pavarura dhe marrëdhëniet jo të mira midis qeverisë dhe kreut aktual të SHISH kanë bërë që pozita të shikojë mundësinë e shkarkimit të kreut të SHISH. Sipas amendimit të ri të ligjit për SHISH të propozuar nga deputeti Fatos Hoxha, drejtori aktual i Shërbimit Informativ Shtetëror, do të duhet që të shkarkohet pas gjashtë muaj. Ndërsa për zv.drejtorin, amendimi i ri parashikon një periudhë më të shkurtër, tre muaj nga hyrja në fuqi.
Nëpërmjet këtij ndryshimi, mazhoranca do të hiqte nga projektligji i mëparshëm nenin, në të cilin përcaktohej se "Procedurat për emërimi në detyrë fillon jo më vonë se 60 ditë nga mbarimi i mandatit përkatës". Ndërkohë, nenet e tjera të projektligjit të propozuar nga Këshilli i Ministrave dhe komisionet e Kuvendit bien. Për amendimet e propozuara nga deputeti i PD, opozita nuk ka pasur asnjë dijeni. Në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë, deputetët e majtë kanë shprehur kundërshtimin e tyre. Votat me deputetët e majtë i kanë bashkuar edhe deputetët e djathtë, si Leonard Demi, Paulin Sterkaj dhe Gazmend Oketa, të cilët kanë votuar kundër amendimit. Por pavarësisht rrëzimit të amendimi të propozuar nga deputeti Hoxha, mazhoranca ka kërkuar që të kalojë një tjetër projektligj, i cili është miratuar edhe në komisione nga mazhoranca në muajin mars të këtij viti. Sipas projektligjit, drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, përveç raportit të zakonshëm vjetor, duhet që të raportojë përpara kryeministrit në çdo kohë dhe për çdo çështje që lidhet me veprimtarinë e këtij institucioni.
"Drejtori i SHISH-it i paraqet Kryeministrit një raport vjetor për punën e Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe i raporton atij, në çdo kohë, dhe për çdo çështje, që lidhet me veprimtarinë e tij", - thuhet në nenin 5 të ligjit të ndryshuar. Ligji i ri i jep kompetenca kreut të qeverisë për të vendosur nëse SHISH do të duhet të vendosë marrëdhënie bashkëpunimi me vendet e tjera për realizimin e objektivave të tij. Kjo ka sjellë edhe kundërshtimin e opozitës dhe të faktorit ndërkombëtar, ndërhyrja e të cilëve solli edhe tërheqjen e qeverisë për të tentuar përsëri tani në fund të punimeve të parlamentit për të kaluar projektligjin e SHISH.