Deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati, deklaroi dje se eksponentët e qeverisë kanë shpenzuar para të taksapagueseve shqiptarë për udhëtime dhe lobim kundër Ambasadorit Uidhers. Në një intervistë të dhënë për gazetën "Shekulli", zyrtari socialist komentoi në këtë mënyrë marrëdhëniet midis qeverisë shqiptare dhe ambasadorit në ikje të SHBA-së. Ai thotë se ankesa e Berishës përmes Metës në adresë të Uidhers ngjan me kraterin
e një skandali shpërthyes, flakët e të cilit janë shumë më të përhapur në kohë. Zyrtari socialist komenton gjithashtu dhe incidentin në Himarë, votimin e ligjit të SHISH dhe letrën e Sekretares së Shtetit Hilari Klinton.
Zoti Bushati, këto ditë jemi njohur me letrën që Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Philip Gordon, me kërkesë dhe në emër të Sekretares së Shtetit Hilari Klinton i dërgoi Ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta, si përgjigje ndaj ankesës së qeverisë shqiptare mbi ambasadorin Xhon Uidhers II. Cili është vlerësimi juaj për këtë letërkëmbim dhe për mohimin që i bëri Ministri i Jashtëm Meta ekzistencës së këtij letërkëmbimi?
Ankesat e qeverisë së Sali Berishës ndaj qëndrimeve të Ambasadorit të SHBA-ve dëshmojnë një sharlatanizëm politik dhe mungesë sensi e përgjegjësie kombëtare, pasi dihet nga praktika e marrëdhënieve ndërkombëtare se një ambasador përfaqëson qëndrimet dhe pikëpamjet e vendit të vet dhe nuk shpreh pikëpamje personale. Aq më
tepër një ambasador karriere si zoti Uidhers që është pjesë e shërbimit diplomatik më performant në botë. Mjafton të krahasohen qëndrimet e Ambasadorit në ikje Uidhers dhe atij në ardhje Arvizu në lidhje me zhvillimet politike në Shqipëri dhe çdo qenie racionale kupton se ato ngjasojnë si dy pika uji, pasi nuk janë qëndrime personale, por qëndrimet e aleatit kryesor të kombit shqiptar, SHBA-ve. Këto veprime janë edhe më të dënueshme në kushtet kur roli gjeopolitik i shqiptarëve në rajon është rritur ndjeshëm, sidomos dekadën e fundit, falë mbështetjes së vyer të SHBA-ve. Letra e ndihmës sekretarit Gordon është një qëndrim i rikonfirmuar i qeverisë amerikane në lidhje me zgjidhjen e krizës politike dhe garantimin e pavarësisë së funksionimit të institucioneve. Në të njëjtën kohë është një paralajmërim i qartë për gjendjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri, si pasojë e kërcënimeve të vazhdueshme të Sali Berishës për të vënë nën kontrollin personal çdo qelizë të shtetit të së drejtës. Në rast se do të përdorja një krahasim, ankesa e Berishës përmes Metës në adresë të Uidhers ngjan me kraterin e një skandali shpërthyes, flakët e të cilit janë shumë më të përhapur në kohë. Eksponentë të kësaj qeverie kanë shpenzuar para të taksapagueseve shqiptarë për udhëtime dhe lobim kundër Ambasadorit Uidhers. Gjej rastin t'i bëj thirrje Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit që të kontrollojë shpenzimet publike të Ministrisë së Punëve të Jashtme, sidomos ato të kryera në verën e vitit 2008, pasi kemi nevojë për vendosjen e precedentëve pozitiv edhe në drejtim të abuzimit me financat publike për qëllime që nuk lidhen aspak me detyrën. Ne si ligjvënës kemi gjithashtu detyrimin kushtetues të kryejmë një hetim të plotë mbi ekzekutivin pasi jam i bindur se do të gjejmë plot raste të ngjashme me ankesa për përfaqësues të trupit diplomatik, donatorë apo përfaqësues të shoqërisë civile, sepse 20 vjet pas shembjes së regjimit komunist vazhdojmë të jetojmë nën hyqmin e një komunisti. Mohimi i letërkëmbimit nga ana e zotit Meta, thellon më tej skandalin dhe pozicionin bllofist të ministrit të Punëve të Jashtëm të Shqipërisë përballë opinionit publik vendas dhe partnerit tonë kryesor, duke nxjerr edhe më në pah faktin se sa e padenjë është për nivelin e lartë të partneritetit Shqipëri-SHBA është kjo qeveri. Në rast se Ilir Meta është autorizuar nga Sali Berisha për të ndërmarrë një veprim të tillë atëherë është momenti që ai të tërhiqet nga kjo qeveri me një ndjesë të madhe ndaj opinionit publik për veprimin e kryer në kurriz të dinjitetit të kombit shqiptar. Në rast se ka vepruar në mënyrë autonome, atëherë është përgjegjësi e Sali Berishës për të shkarkuar ministrin e tij dhe për të na vërtetuar se nuk është ai inspiruesi i këtij skandali të rëndë ndërmjet dy partnerësh.
Opinioni publik është njohur gjithashtu me letrën që Sekretarja e Shtetit Hilari Klinton i dërgoi Ministrit të Punëve të Jashtme Ilir Meta në lidhje me zhvillimet në Kosovë. A mendoni se kjo letër u publikua nga Ministria e Punëve të Jashtme për të hequr vëmendjen e opinionit publik mbi letrën e sipërpërmendur të zbuluar nga një televizion privat?
Letra e Sekretares së Shtetit Klinton kishte në fokus të saj zhvillimet rajonale dhe globale në lidhje me Kosovën sidomos pas opinionit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Është e rëndësishme që procesi i njohjeve të shtetit të Kosovës të njoh një hov të ri cilësor pas opinionit këshillimor të institucionit të drejtësisë ndërkombëtare në favor të pavarësisë. Për vetë rëndësinë e mesazhit që përçonte letra, larg një komunikimi klasik ndërmjet shtetesh, por si një sinjal i qartë i vazhdimësisë amerikane në mbështetje të pavarësisë dhe pandashmërisë së Kosovës e integrimit të saj euro-atlantik, është mirë që opinion publik vendas u njoh me të. Nga ana tjetër, inkurajimi e vlerësimi për politikën rajonale konstruktive e pajtuese të Shqipërisë, një qasje thuajse konstante e politikës së jashtme shqiptare në këto 20 vjet, nuk duhet ngatërruar me vështirësitë e brendshme
me të cilat ndeshet sistemi ynë demokratik. Ndaj, nuk do të doja të besoja se publikimi i letrës është bërë për të tërhequr vëmendjen nga skandali me ankesën e Berishës përmes Metës ndaj Ambasadorit Uidhers, pasi do të ishte një guxim i madh që shkon përtej sharlatanizmit të politikës shqiptare apo të menduarit në mënyrë racionale.
Ambasadori i SHBA-së Xhon Uidhers në intervistën e tij të fundit në emisionin "Top Story" deklaroi se projektligji i paraqitur nga qeveria në lidhje me ndryshimet në Shërbimin Informativ Shtetëror shkel detyrimet e anëtarësimit në NATO.
Nga ana tjetër, qeveria ka deklaruar se në muajin shtator do të miratojë ligjin e SHISH. Këmbëngulja e saj për të miratuar këtë ligj çfarë rreziku diplomatik sjell për vendin tonë?
Anëtarësimi në NATO është një kontratë me të drejta e detyrime të ndërsjella të Shqipërisë në raport me aleatët, të cilat nuk po i respektojmë. Sirenat e alarmit janë ngritur nga partnerët tanë dhe përfaqësues të rëndësishëm të aleancës. Nuk besoj se Sali Berisha do t'ia arrijë që të miratojë një ligj të tillë, falë triumfit të mendjeve e zemrave
pro-atlantiste në aulën e Kuvendit nga e majta në të djathtë, të cilët në mënyrë dinjitoze e refuzuan një herë këtë sipërmarrje aventureske që bie ndesh me interes strategjike të kombit shqiptar. Me fillimin e sesionit të ri parlamentar do të vazhdojmë betejën tonë për të mos lejuar që një gjë e tillë të ndodhë, në mbrojtje të demokracisë dhe vlerave të saj. Ndaj, nuk dëshiroj të përmend këtu penalizimet apo rreziqet që mund t'i vijnë Shqipërisë për shkak të një qeverisje thellësisht të korruptuar e të pandjeshme. Megjithatë, këmbëngulja kokëfortë e kryeministrit të vetëm ish-komunist në Evropë për të vënë nën kontroll personal edhe SHISH për shkak të përfshirjes së oborrit të tij në skandale korruptive, rrënjët e të cilit e kanë origjinën tek krimi i organizuar dhe mpleksja me shërbime sekrete aspak dashamirëse ndaj kombit shqiptar, është në fakt guri i provës se ende sot zemra e tij rreh për nga Moska.
Ditët e fundit vrasja e një të riu në Himarë shkaktoi një reagim të ashpër të një grupi banorësh që bllokuan për disa orë aksin kombëtar Vlorë-Sarandë. Për vrasjen reagoi edhe Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Janullatos, i cili e konsideroi atë kërcënim për klimën e bashkekzistencës paqësore. Athina zyrtare e konsideroi këtë vrasje me natyrë etnike duke kërkuar zbardhjen e ngjarjes dhe distanicimin nga ngjarja të gjithë spektrit politik shqiptar, ndërsa
Kryetari i Bashkisë Bollano kërcënoi me bojkotimin e sezonit turistik. Qeveria dhe politika shqiptare në fakt reaguan vetëm pas reagimeve të autoriteteve të sipërpërmendura.
Cili është komenti juaj? A mos kemi të bëjmë me një ndjenjë
inferioriteti përkundrejt fqinjit tonë?
Përfitoj nga rasti që përmes gazetës tuaj, të shpreh ngushëllimet e mia për familjen e të ndjerit Aristotel Guma. E dënoj vrasjen e tij e cila si çdo vrasje është kriminale dhe bashkohem me zërat e përgjegjshëm të shoqërisë shqiptare që kërkojnë zbardhjen e ngjarjes dhe vendosjen e drejtësisë. E çmoj solidarizimin e Kryepeshkopit të Kishës
Ortodokse Janullatos me familjarët e të ndjerit, por nuk shoh në horizont asnjë element kërcënues për klimën e bashkekzistencës paqësore të konsoliduar ndër shekuj. I konsideroj legjitime kërkesat e familjarëve të të ndjerit dhe banorëve të Himarës për vendosjen sa më parë të drejtësisë në kushtet kur krimi është shpërfaqur rrugëve me
egërsinë e tij përballë një shteti impotent, por dënoj në të njëjtën kohë veprimet e tyre antiligjore për bllokimin e akseve kombëtare, sikundër reagimin e shpërpjesëtuar të bashkiakut Bollano, veprime të cilat nuk i shërbejnë zbardhjes së ngjarjes por amplifikimit të saj. Kryeministri Berisha duhet të kishte reaguar menjëherë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave për këtë ngjarje të shëmtuar, por zgjodhi rrugën e batutave për kinse rekorde e tij të sajuara në fushën e notit dhe u detyrua të reagonte në mënyrë hipokrite vetëm pas qëndrimit të qeverisë greke, duke shpikur madje edhe terma të panjohura për të drejtën ndërkombëtare në konsiderimin që i bëri Himarës si "komunitet bilingual". Reagimin e Athinës e konsideroj gjithashtu të papërshtatshëm për një vend anëtar të BE-së e NATO-s ndaj fqinjit të vet, sepse nga njëra anë e konsideronte ngjarjen me prapavijë etnike dhe nga ana tjetër kërkonte zbardhjen e ngjarjes, duke e përcaktuar Himarën indirekt si zonë minoritare në kundërshtim me përmbajtjen e instrumenteve europianë dhe ndërkombëtarë në fushën e minoriteteve ku aderon Shqipëria (kujtoj se një pjesë e rëndësishme e këtyre standardeve ende nuk janë përqafuar nga Greqia) dhe nivelin e marrëdhënieve dypalëshe. I kërkonte spektrit politik shqiptar që ta dënonte ngjarjen a thua se në të shkuarën ka pasur ndonjë subjekt politik që nuk ka dënuar ngjarje të tilla dhe harroi të dënonte retorikën e ekstremistëve të LAOS-it të zëshëm në Parlamentin grek, të cilët nuk lënë rast pa përdorur retorikë inflamatore ndaj shqiptarëve dhe fqinjëve të tjerë. Ndërkohë që investohet në mënyrë banale kundër përfaqësuesve diplomatik të SHBA-ve në Shqipëri, do të ishte e udhës që Tirana zyrtare të sqaronte në rrugë diplomatike shqetësimet e mësipërme, në mënyrë që të mos lejonte vendosjen e pretendimeve të paqena në raport me një fqinj si Greqia prej të cilit presim mbështetje në rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE.
*********************************
Gjatë ditës se djeshme nepermjet nje deklarate per shtyp PS i ka kerkuar kryeministrit te beje publike letren sekret derguar DASH.
'Sot ne i kërkojmë Sali Berishës të zbardhë përmbajtjen e letrës ankesë të dërguar në departamentin e shtetit. Çfarë shkruhej në atë letër? Cilat ishin akuzat që ajo përmbante? Përse fshihet kjo letër dhe mbahet sekret nga sytë e publikut? - thuhet sot ne nje deklarate te zyres se shtypit te PS, ku me tej shkruhet: '.. Cilat ishin akuzat e Ilir Metës dhe Sali Berishës të hedhura poshtë nga departamenti amerikan i shtetit?..
Të gjitha këto pyetje kërkojnë përgjigje. Sali Berisha të zbardhë letrën që ka dërguar ministri i tij i jashtëm. Përgjigja e departamentit të shtetit tregon mbi rëndësinë e letrës, e cila sot duhet bërë publike..'
'..Tashmë të gjithë e dinë se Sali Berisha asnjëherë nuk e thotë të vërtetën. Ditën e fundit, shqiptarët janë njohur me një letër të dërguar nga departamenti amerikan i shtetit, që i tërhiqte vëmendjen qeverisë shqiptare për krizën politike dhe ndërhyrjen e egzekutivit mbi pavarësinë e institucioneve të ndryshme, si gjykata dhe Shish. Por, ç'ka më e rëndësishme, përgjigja e departamentit të shtetit hedh dritë dhe mbi një tjetër letër sekrete të nisur nga Ministri i Jashtëm Ilir Meta, egzistenca e të cilës mohohet nga përfaqësuesit e qeverisë... - tha zedhenesja e PS, Imeraj
***
14 gusht - Partia Socialiste kërkon ndërhyrjen e kreut të shtetit për transparencën e letrës që numri një i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta i ka dërguar sekretares amerikane të shtetit Hillari Klinton, lidhur me ambasadorin Xhon Uidhers. Letër, që sipas Departamentit Amerikan të Shtetit është dërguar në përgjigje të asaj të ministrit të Jashtëm Ilir Meta, paçka se ky i fundit e mohoi sy për sy faqe mediave, duke e cilësuar sajesë.
"Partia Socialiste i kërkon Presidentit të Republikës, sipas Kushtetutës është autoriteti më i lartë i Shtetit dhe përfaqësuesit i unitetit të popullit, ai që dekreton ambasadorët e Republikës së Shqipërisë jashtë dhe që pranon kredencialet e ambasadorëve të shteteve të huaja në Shqipëri, të ndërhyjë menjëherë për të bërë transparencë mbi letrën e dërguar nga Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, të kërkojë publikimin e saj, të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm me qëllim shmangien e çdo situate të papëlqyeshme me partnerët tanë ndërkombëtarë për shkak të papërgjegjshmërisë së Kryeministrit dhe shërbëtorëve të tij"- tha deputeti S.Tahiri.
_____________
Zbardhet letra e DASH, përgjigje për Metën pas ankesës ndaj Withers
Qeveria me gojen e numrit 1 te diplomacise se Tiranes, ka genjyer publikisht tri dite me pare, kur ne nje konference per shtyp u deklarua se nuk ka patur asnje leter ankese per z.Uithers dhe se lajmet per kete ishin per shkak te thatesires per lajme ne media..
Zbardhet letra që Departamenti Amerikan i Shtetit i ka kthyer Ministrisë së Jashtme lidhur me pakënaqësitë e qeverisë shqiptare për rolin e ambasadorit amerikan Xhon L. Uidhers në vendin tonë.
Pavarësisht mohimit të ekzistencës së një letre drejtuar DASH-it nga Ministri i Jashtëm Ilir Meta, që në hyrje të përgjigjes shkruhet se ajo është një përgjigje e letrës së dërguar në fund të muajit maj nga vetë kreu i diplomacisë shqiptare në Departamentin e Shtetit, objekt i të cilës ka qenë ambasadori amerikan në Tiranë Xhon Uidhers dhe qëndrimet e tij. Ndihmëssekretari amerikan i shtetit për Çështjet Europiane, Philip Gordon tregon se ka pasur një letër të mëparshme të zotit Meta dërguar më 27 Maj Departamentit të Shtetit, ku qeveria shqiptare shprehte rezerva për qëndrimet e ambasadorit Uidhers lidhur me emërimet në Gjykatën e Lartë.
Kjo përgjigje e DASH hedh përfundimisht poshtë pretendimin e qeverisë se nuk i ka dërguar DASH letër ku shpreh pakënaqësinë për përfaqësuesin e SHBA-së në Tiranë. Tri ditë më parë ishte vetë ministri Meta i cili mohoi që t'i ketë dërguar letër Departamentit të Shtetit. "Mund t'ju them se nuk ka asnjë letër zyrtare drejtuar cilitdo shtet jashtë ku të jemi ankuar për ndonjë Ambasador apo diplomat këtu në Shqipëri. Por, është e drejta e kujtdo të prodhojë lajme", -deklaroi ministri Meta.
_______
'SHISH, Berisha shkeli marrëveshjen 3 vjeçare me NATO-n'
Në një intervistë për TVambasadori amerikan në Tiranë, Uidhers, foli mbi arsyet e kundërshtimit të projektligjit të SHISH-it, përplasjet me një pjesë të politikës së Tiranës, duke theksuar vazhdimisht që ai flet në emër të qeverisë së SHBA dhe se kush mendon ndryshe, nuk e njeh as funksionimin e administratës amerikane dhe as karakterin amerikan.
"..Mendoj se janë një sërë arsyesh që ne kemi shqetësime. Ne jemi thellësisht të shqetësuar për çdo draft projektligj apo çdo lëvizje apo çdo ndryshim strukturash apo personeli që do të dobësonte apo mund të minonte profesionalizmin e institucionit, autonominë e institucionit apo të mund të politizonte institucionin në një mënyrë të tillë sa do të dëmtonte karakterin e tij themelor demokratik dhe aftësinë për të vepruar në një kontekst demokratik.
Së dyti jemi të shqetësuar për implikimet e këtij ligji për statusin dhe pozicionin e Shqipërisë në NATO. NATO në nivelet e saj më të larta i shprehu haptas shqetësimet e thella dhe mendoj se njerëzit që e dëgjojnë diskutimin tonë të mbajnë në mendje elementët e procesit të hyrjes së Shqipërisë në NATO. Ndërsa Shqipëria u përpoq që të arrinte kërkesat për hyrje në NATO, institucione si SHISH ishin temë e një vëmendje dhe punë të madhe për t'i sjellë këto institucione në standardin që NATO kërkon për çdo anëtar.
Shqipëria ndërmori një angazhim dhe ndoshta shumë qytetarë nuk janë në dijeni të këtij fakti, institucione të tilla si SHISH dhe institucione të tilla të ngjashme nuk mund të ndryshoheshin për një periudhe tre vjeçare pas anëtarësimit të Shqipërisë. Nëse do të ndërmerreshin ndryshime të tilla këto ndryshime do të vinin një proces rivlerësimi nga ana e NATO-s. Ne nuk duam që pas një angazhimi të qëndrueshëm të Shqipërisë dhe të përkushtuar ndaj procesit të anëtarësimit të ndërmerrte ndonjë veprim që mund të komplikonte funksionimin e saj të vazhdueshëm në organizate."- tha ambasadori