Kryeministri Berisha në mbledhjen e rradhës të qeverisë ka komentuar vendimin e dhënë gjatë ditës së djeshme nga GJND mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.
E drejta shqiptare behet e drejte botërore tha Berisha. Tashme jemi të vendosur, pasi për serbët dhe shqipatrët me këtë vendim është hapur një kapitull i ri.
Sipas kryeministri rasti i Kosovës është i paprecedentë, pasi e drejta e Kosovës është unike.
Shpallja e pavarësisë së Kosovës është bërë në përputhje me të drejtën ligjore tha Berisha
************
Kryeministri Hashim Thaçi deklaroi për BBC-në nga Uashingtoni (ku ndodhet në vizitë zyrtare) se vendimi ishte "një fitore historike për Kosovën dhe për rajonin, për demokracinë edhe të ardhmen euro-atlantike."
"Ky opinion ka qartësuar definitivisht të gjithë rajonin, por edhe vendet e interesuara që punojnë me ne, për të ardhmen tonë edhe SHBA-ja edhe Bashkimi Evropian," - tha zoti Thaçi, duke shprehur vullnetin e qeverisë së tij për bisedime me Serbinë lidhur me çështje teknike.
SHBA e përshëndeti vendimin e GjND-së. Në një mesazh indirekt Beogradit, thotë agjencia e lajmeve Reuters, SHBA tha se "tani është koha që Evropa të bashkohet rreth një të ardhmeje të përbashkët".
Kjo deklaratë e shkurtër u përcoll përmes e-mailit, nga zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit P.J. Crowley.
Ndërsa ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, tha pas vendimit të GJND-së se "tani e tutje do të ketë njerëz në botë që do të tentojnë të shkruajnë deklarata pavarësie, që sipas gjykatës është në rregull me ligjet ndërkombëtare."
"Nga ana tjetër, e drejta për ndarje nuk u mor në konsideratë nga Gjykata," tha ministri i jashtëm serb.
Qeveria e Kosovës tha se tani i takon Serbisë që të bisedojë me të si shtet i pavarur.
I ndodhur në Hagë, ministri i Jashtëm, i Kosovës, Skënder Hyseni, i bëri thirrje Serbisë që të punojë për paqe në Ballkan.
Ministria e Jashtme ruse tha se vendimi i GJND-së nuk prezantoi një bazë ligjore për pavarësinë e Kosovës.
Reagime në Kosovë
Udhëheqësit e instucioneve të Kosovës e kanë cilësuar si një fitore për vendin dhe rajonin mendimin e dhënë sot nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e cila konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe as me rezolutën 1244 të KS të OKB-së.
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se mendimi i gjykatës përfundimisht i heq të gjitha dilemat që mund t'i kenë pasur vendet që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.
"Prandaj, ne u bëjmë thirrje sërish këtyre vendeve që të marrin sa më parë vendimet e tyre për njohjen e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran".
"Siç shihet edhe nga ky mendim i GJND-së Kosova nuk paraqet rast precedent për asnjë rast tjetër në botë", tha presidenti Sejdiu në një konferencë me gazetarë në Prishtinë.
Ai i bëri thirrje Serbisë për bashkëpunim me Kosovën si dy shtete fqinje.
"Duke qenë në fqinjësi të parë, duhet të punojnë për krijimin e një fryme të re të bashkëpunimit në interes të mirëqenies dhe perspektivës së qytetarëve të të dyja shteteve sovrane", u shpreh presidenti i Kosovës.
Zyrtarë të lartë të qeverisë, të cilët në mënyrë kolektive e kanë ndjekur në televizion seancën e Gjykatës së Hagës, kanë reaguar me emocion kur gjykatësi kumtoi mendimin e trupit gjykues.
Pas duartrokitjeve të shumta dhe dollive me shampanjë, zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi tha se konfirmimi i ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës nga institucioni më i lartë i drejtësisë ndërkombëtare po hapte një kapitull të ri politik për vendin.
"Është një fitore e drejtësisë, është një fitore e Kosovës, një fitore e gjithë qytetarëve të saj, por dua të besoj se është një fitore edhe e rajonit në tërësi, në këtë rast besoj se është fitore edhe për Serbinë, sepse në një mënyrë mund ta heqin qafe këtë problem", tha zoti Kuçi.
Ai i ftoi qytetarët e Kosovës që jenë të arsyeshëm në reagimet e tyre.
Menjëherë pas shpalljes së vendimit, grupe të njerëzve kanë dalë në rrugët e Kosovës duke u rënë borive të makinave, të cilat I kishin stolisur me flamuj të Kosovës.
"Jemi shumë të lumtur, e kemi pritur pavarësinë qe sa vite dhe tani edhe Gjykata e konfirmoi se nuk e kemi shkelur të drejtën ndërkombëtare, as rezolutën 1244, kështu që presim njohje të reja të vijnë tani", u shpreh një qytetar.
Reagime nga Tirana e Shkupi
Menjëherë pas dhëniës së vendimit nga GJND-ja kryeministri Sali Berisha në një dalje të menjëhershme para gazetarëve përshëndeti vendimin e Gjykatës duke e konsideruar historik atë.
Berisha tha se "Vendimi i Hagës është kontribut madhor".
Më tej ai shtoi se vendimi zgjidhi statusin e shqiptarëve në Ballkan.
Ndërkohë ka reaguar edhe presidenti i vendit Bamir Topi, i cili i ka përcjellë një mesazh urimi dhe homologut të tij kosovar, Fatmir Sejdiu .
"Hap i rëndësishëm për Kosovën "e ka konsideruar presidenti Topi vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare.
Ndërkohë ministri i jashtëm Ilir Meta vlerësoi vendimin duke e cilësuar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Meta shtoi se "Shqipëria do të lobojë sërish për Kosovën ".
Edhe kryetari i opozitës Edi Rama ka përshëndetur vendimin e GJND-së. duke thënë se "shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë e paligjshme".
Vendimin e GJND-së e kanë përshëndetur dhe parti të tjera politike në Shqipëri.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Abdylaqim Ademi, tha të enjten për BBC-në se vendimi i saposhpallur nga GJND-ja do të eketë efekt pozitiv, jo vetëm për Kosovën, por edhe për mbarë rajonin në përgjithësi:
"Mendoj se Beogradi duhet të bindet me realitetin e ri, të krijuar,"- tha zoti Ademi.