Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka vlerësuar si një lajm shumë të keq për Kosovën vendimin e Gjykatës së Hagës për rihapjen e pjesshme të gjykimit ndaj liderit të kësaj partie, Ramush Haradinaj.
Avokati mbrojtës, Micheal O'Reilly, është shprehur i befasuar me vendimin dhe ka thënë se do të angazhohet për kthimin sa më të shpejtë të z.Haradinaj në Kosovë dhe caktimin sa më parë të datës së rigjykimit.
Ai është shprehur i befasuar me vendimin e Gjykatës së Hagës, duke thënë se ai nuk mund të parashikohej, duke parasysh lirimin e tij unamim dhe pa mëdyshje para dy vjetësh.
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe dy bashkëluftërarët e tij, Idriz Balaj and Lahi Brahimaj, u urdhëruan të mërkurën që të mbahen në burgun e Gjykatës së Hagës, pasi trupi gjykues vendosi rigjykimin e pjesshëm të tyre nën akuzat për krime lufte.
Z. Haradinaj u lirua nga një gjyq i mëparshëm në vitin 2008, por pesidenti i Gjykatës së Hagës, Patrick Robinson, tha të mërkurën se gjykimi i kaluar ishte i shoqëruar me kërcënime të dëshmitarëve dhe se gjykata kishte dështuar të kuptonte nivelin e rrezikshëm të këtyre kërcënimeve.
Z. Haradinaj është akuzuar për keqtrajtimin dhe rrëmbimin e civilëve gjatë luftës në Kosovë në fund të viteve '90 kur ai ishte komandant në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Dukagjinit.
Reagimi i AAK-së
Partia e tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka vlerësuar vendimin për rigjykimin e Ramush Haradinajt si një lajm të keq për AAK-në, qytetarët dhe shtetin e Kosovës.
"AAK është tejmase e befasuar me vendimin e Tribunalit të Hagës, veçmas kur dihet që me një vendim unanim të shkallës së parë të këtij Tribunali, më 3 prill 2008, Haradinaj është shpallur i pafajshëm prej të gjitha akuzave", ka thënë nënkryetari i partisë, Blerim Shala.
Vendimi për rigjykimin e liderit të opozitës, Ramush Haradinaj, vjen një ditë para se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të shpallë mendimin e saj këshilldhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala, vlerësoi se ndalimi në Hagë i zotit Haradinaj do të dëmtojë proceset politike në vend.
Por, ai tha se beson që pafajësia e tij do të dëshmohet së shpejti.
"Si AAK, jemi të sigurtë që si herën e parë, ashtu edhe tani, në rigjykimin e pjesshëm që do të pasojë, shpresojmë, sa më parë që është e mundur, se Ramush Haradinaj, Kryetari i AAK-së, do të shpallet plotësisht i pafajshëm", tha z.Shala.
"AAK-ja fton qytetarët e Kosovës që të tregohen të matur dhe të pjekur si edhe herave të tjera, kur Kryetari i AAK-së, me shembullin e vet personal, ka treguar se si duhet të sillemi kur përballemi me sprovat e tilla", shtoi ai.
Reagimi i veteranëve të UÇK-së
Ndërkohë veteranët e luftës së UÇK-së në zonën e Dukagjinit prej nga vjen z.Haradinaj, kanë kërkuar nga Gjykata e Hagës të tërheqë vendimin e saj.
Në reagimin e tyre ata tërheqin vërejtjen se mbajtja në paraburgim e ish- kryeministrit të Kosovës 'do të destabilizonte Kosovën dhe rajonin'.
Veteranët e luftës vlerësojnë se vendimi për rigjykimin e pjesshëm të z.Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, vetëm një ditë para vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë, nuk ka si të shpjegohet ndryshe veçse si 'presion shtesë ndaj Kosovës'.
Ata dyshojnë se ky hap ka për prapavijë edhe largimin e zotit Haradinaj nga skena politike e vendit.
Reagimi i Serbisë
Kryeministri i Serbisë, Mirko Cvetkoviç, tha se mund të kenë dalë në dritë prova të reja kundër zotit Haradinaj.
"Unë kam patur përshtypjen se lirimi i tij pas procesit të parë nuk ishte se u provua pafajësia e tij, por se nuk kishte prova të mjaftueshme. Supozoj se kanë dalë prova të reja, por unë nuk i di hollësitë dhe nuk dëshiroj të bëj ndonjë koment për to", tha kryeministri serb.
Ministri Rasim Ljajiç, i cili kryeson Këshillin Kombëtar serb për bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës, e përshëndeti vendimin për rigjykimin e çështjes së ngritur ndaj zotit Haradinaj.
"Ne besojmë se vendimi i Dhomës së Apelit është i drejtë, duke patur parasysh se në procesin e parë kishte disa mangësi. Shumë dështimtarë, një pjesë e të cilëve kishin frikë apo disa të tjerë u likuiduan fizikisht, nuk mundën të dëshmonin para gjykatës. Ka shumë rëndësi që në këtë rigjykim të paraqiten të gjitha provat dhe të dalin të gjithë dëshmitarët për të zbuluar të vërtetën dhe për të vënë në vend drejtësinë", tha ministri serb Rasim Ljajiç.
Gjykata e Hagës ende nuk ka dhënë ndonjë datë për rigjykimin e Ramush Haradinajt.