Rreth 35 baraka që shërbenin si banesa për popullsinë rome në qytetin e Shkodrës janë përfshirë nga një zjarr i madh. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19.10 në lagjen "Manush Alimani, në fushën pranë vendit ku bashkohet lumi Buna me liqenin e Shkodrës dhe ku janë të vendosura rreth 100 baraka që shërbejnë si banesa për familjet rome.
Zjarri ka rënë nga pakujdesia pranë një mjeti të vjetër që ndodhej afër një prej barakave . Duke qenë se banesat e romëve janë prej lënde që merr zjarr shpejt si kompensate, plasmas etj, ato janë përfshirë nga flakët që janë përhapur me shpejtësi pasi barakat janë afër njëra-tjetrës.
Personat që ndodheshin aty kanë mundur të largohen pa u dëmtuar ndërsa në vendin e ngjarjes kanë shkuar me shpejtësi 2 mjete zjarrëfikëse që për rreth një orë kanë ndërhyrë për lokalizimin e zjarrit , në mënyrë që ai të mos përhapet në të gjithë territorin.
Banorët rom që jetojnë aty shprehen se nuk kanë kuptuar asgjë vetëm kur kanë parë zjarrin . Duke mos patur ujë pranë ato nuk kanë patur mundësi të veprojnë."Shikova flakën afër barakës së fqinjit dhe ajo u bë menjëherë e madhe sikur shpërtheu diçka. Mora vajzën e vogël dhe kam dalë jashtë me vrap. Gruaja dhe katër fëmijët e tjerë nuk ndodheshin afër . Nuk kemi celular as dimë numra për të lajmëruar. Shumë prej nesh dolën duke bërtitur dhe më pas erdhën zjarrëfikëset . Por zjarri u hap shpejt. Më është djegur gjithçka kisha , sendet e nevojshme pasi ne jemi të papunë, jetojmë me lëmoshën e të tjerëve e nuk kemi pasuri. Por këtu jam i vendosur prej 3 vitesh dhe ishim mësuar . Nuk e di si do bëj e ku do futem të jetoj. Shyqyr që është verë së paku e nuk është dimër " shprehet Lutfi Maliqi, banorë i çadrave
.Shkaku i zjarrit mendohet se është pakujdesia.Mësohet se do ketë një sasi ndihme , batanije e veshje të ndryshme të ardhura si ndihmë për efektivat e zjarrëfikëseve që nga koha e përmbytjeve , të cilat do u jepen këtyre banorëve.