Shumëkush do t'i ketë ndjekur, sado përciptazi, peripecitë e tanishme të regjisorit të madh Roman Polanski me ligjin.
I kërkuar nga drejtësia e SHBA për përdhunim të një vajze të mitur në 1977 dhe i arrestuar në shtator të vitit 2009 nga policia zvicerane me kërkesë të autoriteteve amerikane, Polanski u lirua nga arresti shtëpiak këto ditë, pasi autoritetet zvicerane deklaruan se nuk do ta ekstradojnë personalitetin e njohur, për arsye teknike.
Polanski ishte arratisur nga SHBA që në shkurt të vitit 1978, për t'i shpëtuar dënimit të sigurt.
Siç dihet, në mars të vitit 1977, Polanski kishte ftuar, në shtëpinë e një miku (të mirënjohurit Jack Nicholson, që nuk ndodhej aty), një vajzë 13-vjeçare, për ta nxjerrë në fotografi; por atje i ofroi shampanjë dhe quaalude, një bar hipnotik, pastaj konsumoi me të seks oral, vaginal dhe anal, megjithë kundërshtimet e saj të përsëritura.
Pas arrestimit, Polanskin e dënuan paraprakisht me tre muaj paraburgim me qëllim që ky t'i nënshtrohej atje ekspertizës psikiatrike; por tre muajt zgjatën vetëm 42 ditë dhe Polanski, tashmë në pritje të gjyqit, kur mori vesh se gjyqtari që merrej me çështjen e tij kishte vendosur t'i jepte dënim me heqje lirie, u largua nga ShBA.
Që prej asaj kohe, teksa Polanski ka jetuar në Francë dhe ka vazhduar të shkëlqejë si kineast, opinioni publik në ShBA dhe në Perëndim ka mbetur i ndarë në reagimet e veta ndaj mënyrës si duhej trajtuar ky burrë - edhe princ i kinemasë, edhe përdhunues fëmijësh.
Për një palë, Polanski meriton të dënohet për aktin e rëndë ndaj një vajze të mitur, pavarësisht nga emri, prestigji dhe statusi i tij. Për një palë tjetër, zhurma e mass mediave rreth këtij skandali dhe incidenti të mbajtur artificialisht gjallë nuk është veçse një mënyrë për t'ua hedhur regjisorin e madh luanëve.
Që Polanski i shpëtoi, në fakt, ekstradimit dhe dënimit në SHBA, të bën të mendosh se, edhe këtë herë, fituan të gjithë ata që besojnë se elitat, dhe veçanërisht elitat e establishmentit, meritojnë trajtim të privilegjiuar, madje edhe kur ndyhen në krime të pafalshme.
Mirëpo, për opinionin publik në përgjithësi, ideja se një personalitet i artit dhe të kulturës mund të drogojë dhe të përdhunojë një vajzë të mitur duke shfrytëzuar, në thelb, statusin e tij të posaçëm dhe karizmën; ta pranojë krimin e kryer, dhe megjithatë të shpëtojë pa u dënuar me burg, nuk gëlltitet dot.
Imazhi i njeriut me pushtet që shtie në dorë përdhunshëm një vajzë të pafajshme ka fuqi të veçantë në përfytyrimin kolektiv.
Më pak dëgjon të rrëfehet, në mediat, se si viktimën Samantha Geimer e çoi te regjisori hollywoodian nëna e vet, me shpresë se sesionet private të fotografimit do t'ia jepnin një shtysë vendimtare karrierës së të bijës në fotomodelim.
Nuk ishte hera e parë që Polanski e fotografonte vajzën; dy javë më parë, në shtëpinë e saj, i kishte kërkuar edhe të pozonte e zhveshur lakuriq përpara kamerës.
Këmbëngulja, në thelb e drejtë, që regjisorit të madh t'i jepet dënimi që meriton, nuk e bën më pak shqetësues qëndrimin e nënës së viktimës; as qëndrimin e të gjithë atyre prindërve të tjerë që ngazëllehen pa masë, kur fëmijëve të tyre u krijohen mundësi karriere të hershme, nëpërmjet kontaktesh të privilegjiuara me VIP-a të kalibrit të lartë.
Në një kuptim, Samantha 13-vjeçare ra viktimë sa e grykësisë predatore të një satrapi seksual që nuk ia dinte kuptimin fjalës "jo", aq edhe e një sistemi në thelb pornografik, që i shtyn vajzat e reja, të pashme drejt prostitucionit për karrierë, shpesh në bashkëfajësi të heshtur me prindër ambiciozë.
A duhet të paguajë Polanski për këtë? Unë besoj se po, duhet të paguajë deri në fund. Vërtet i ka dhënë kinemasë vepra të shquara dhe publikut kënaqësi artistike të paçmuara, por kjo nuk përbën ndonjë arsye për ta trajtuar ndryshe nga një zezak "monstruoz" që dënohet me 20 vjet burg për të njëjtin lloj krimi.
Vështirë të përfytyrohet, pastaj, si mund të kish rënë në kontakt kaq intim një burrë 44-vjeçar me një vajzë 13-vjeçare, sikur i pari të mos kish qenë gjysmë-perëndi në Hollywood dhe e dyta fëmijë e një nëne egërsisht ambicioze.
Përdhunimi nuk mund të ndodhte, veçse në kontekstin e një sistemi të karrierës në show business që jo vetëm e përfton, por edhe e kërkon prostitucionin nga femra.
Nga kjo pikëpamje, ekspozimi i Polanski-t do parë vetëm si një gjethe fiku tashmë e vyshkur, ose një orvatje për t'ia faturuar mëkatet e sistemit një individi kinse pervers, një të çekuilibruari, një neurotiku, një të traumatizuari; dhe jo vetë privilegjeve të shëmtuara të statusit.
Në Mesjetë, aktorët deri edhe nuk pranonin t'i varrosnin në oborrin e Kishës, sepse i kujtonin si shoqëri të padenjë për të vdekurit e tjerë. Sot, përkundrazi, aktori mishëron në vetvete virtytin esencial për të dalë në krye të sistemit: karizmën fotozhenike, aftësinë për të ndarë fjalën nga vepra, manipulimin e publikut.
Diku midis këtyre dy skajeve njëlloj absurde, duhet të ekzistojë edhe arsyeja për t'ia dhënë Polanski-t dënimin që duhet; jo për t'u shpëtuar shpirtin kolegëve të vetcelebrities dhe/ose pedofilë dhe/ose përdhunues; por vetëm për hir të tmerrit që ka përjetuar ai fëmijë, në kthetrat e maestros, atë ditë që nuk bëhet kurrë e largët.
* Marrë nga blogu Peizazhe të fjalës