Të gjithë mendojnë se kryeqyteti i drogës është Amsterdami dhe në një farë mënyre kanë të drejtë, pasi njihet si qyteti i cili e ka të legalizuar përdorimin e disa prej substancave narkotike në ambiente publike, por mijëra kilometra më larg, pas syrit të gjithkujt dhe pak "underground" shtrihet kryeqyteti i vërtetë i drogës në botë. Zonja dhe zotërinj! Mirëserdhët në Izrael!
Që prej rreth tre vjetësh në mbarë botën e së fundmi dhe në Amerikë, në rrethet rinore po qarkullon një substancë e re narkotike, e cila efektin që jep e ka diçka të tillë midis kokainës dhe ekstazisë. Quhet Mephedrone (Shkurt MCAT) dhe është një prej "drogave firmato" që po serviren çdo vit në mënyrën më të pastër dhe në mënyrën më të thjeshtë tek përdoruesit. Nëse kohë më parë të rinjve ju duhej të dilnin "rrugëve" apo t'i blinin këto substanca nga një person i tretë (i cili zakonisht i përzien me të tjera substanca për të shtuar sasinë dhe fitimin), tani ata mund t'i porosisin nëpërmjet kompjuterit dhe cilësia e pastërtia e tyre është 100% e saktë e si rrjedhojë dhe më e fortë e më direkte. Problemi? Fillimisht, në dukje të padëmshme, padituria rreth efekteve anësore apo dytësore që mund të sjellin droga të tilla (të cilat janë të ndryshme nga personi në person) ka bërë që qeveritë e ndryshme të mos mund të ndëshkojnë njeri për përdorimin e tyre, e përdoruesit të tmerrohen nga efektet që pësojnë e nuk mundin të gjejnë kurë, pasi spitalet nuk kanë njohuri rreth kësaj droge të re. Më së shumti të tregojnë se Mephedrone ju jep një ndjenjë të madhe dashurie për personat që i rrethojnë e fillojnë të flasin pa fund për ta, ndërsa më pas të jep një fuqi dhe eksitim të paparë, por kur droga fillon të dalë nga sistemi... disa kanë përjetuar një tmerr të vërtetë. Një javë të tërë me të vjella, dhimbje koke, gjunjë dhe këmbë ngjyrë blu, frikë se dikush po i ndjek nga pas, halucinacione e tentativë për vetëvrasje etj. "Drogat firmato" janë drogat e shekullit të ri, shekullit të internetit. Çka nuk njihet nuk është ilegale dhe si e tillë mund të hidhet në treg për tu shitur e vazhdon kështu derisa të shënojë viktimat e para. Një ligj i tillë ekziston në Izrael dhe për këtë arsye ky shtet njihet si një prej eksperimentuesve më të mëdhenj të "drogave firmato". Ndryshe nga thuaj... Anglia, Australia apo Amerika, në Izrael, një substancë e re dhe pse mund të ketë efekte të njëjta me ato të substancave narkotike, nuk ndalohet për tu shitur derisa të vërtetohet rrezikshmëria e saj. Kjo do të thotë se dikush mund të përziejë, për shembull, Meth me një substancë tjetër, ta deklarojë si një substancë të veçantë dhe ligjërisht është në rregull si për ta përdorur ashtu edhe për ta shitur. Kjo situatë është aq qesharake, saqë Izraeli edhe lejon kompani, të cilat prodhojnë "drogat firmato". Deri në vitin 2009, kompania "Neorganics" ishte prodhuesi i parë i Mepherdrone dhe u mbyll nga shteti vetëm pasi filluan të raportoheshin rastet e para të incidenteve. Vet Mickey Arieli, drejtor i seksionit të krimeve farmaceutike në Ministrinë e Shëndetit ka treguar se "Fatkeqësisht, Izraeli është drejtuesi kryesor në prodhimin e "drogave firmato" në botë". Teksa "stilistët" izraelit kanë lënë pas Mephedrone dhe vazhdojnë kërkimet për drogën e ardhshme dhe emrin e ri, në Kinë, Indi, Kamboxhia etj., janë hapur fabrikat e para të prodhimit të kësaj substance narkotike, e cila pas vendeve të Europës Perëndimore dhe Australisë sapo ka trokitur në dyert e lindjes dhe SHBA.
*Marrë nga SH2, suplementi i fundjavës në Shekulli