KROACI - Damir Fazlliç i shpëton vdekjes ndërsa avioni-çarter me të cilin udhëtonte u përfshi nga flakët pasi doli nga pista e aeroportit të Bracit në Kroaci. Një lajm i tillë bëhet i ditur nga mediat kroate, të cilat kanë nxjerrë edhe foto të avionit tip çarter me të cilin po udhëtonte miku i familjes së kryeministrit shqiptar Sali Berisha. Avioni ishte nisur nga aeroporti i Rinasit, sipas burimeve zyrtare, në orën 18:07.
Mediat kroate shkruajnë se "Damir Fazlliç, këshilltar i kryeministrit shqiptar Sali Barisha, partner biznesi i familjes Petrac, i përfshirë në një seri skandalesh në Serbi, Shqipëri dhe Bosnjë, është përfshirë pasditen e së enjtes në një aksident ajror teksa ishte në fillim të pushimeve të verës. Mësohet se Fazlliç ka qenë me mikun e tij, avokatin nga Beogradi Ivan Zogoviç dhe udhëtonte me avion-çarter nga Tirana në Brac të Kroacisë dhe më pas do të drejtoheshin në Bol, ku priteshin nga jahti Nina, i cili supozohej që t'i çonte në një udhëtim përgjatë brigjeve të Adriatikut.
Por ndërsa po tentonin të uleshin në aeroportin e Bracit, ende nuk dihet se për cilën arsye çarteri "Cesna 550" i linjës ajrore serbe "Prince Aviation", i cili drejtohej nga piloti Zoran Modli, nuk ndaloi në pistë, por doli jashtë saj, duke kaluar gardhin dhe duke rënë në një grope. Më pas është përfshirë nga flakët. Policia dhe zjarrfikësit kanë mbërritur në vendngjarje duke arritur të shuajnë zjarrin brenda 10 minutave, ndërkohë që tre anëtarët e ekuipazhit dhe Fazlliç e Zogoviç shpëtuan pa asnjë problem. Në vendngjarje ka mbërritur edhe inspektori i cili merret me problemet e avionëve, Dinko Vodanoviq. Pritet që ai të drejtojë hetimin e shkaqeve të aksidentit. Ndërkohë janë marrë në pyetje piloti Modli, bashkëpiloti Millosh Stanojeviq dhe stjuardesa Senka Vukeliq. Ata kanë dhënë dëshminë e tyre në polici lidhur me momentet e fundit që avioni ka dalë nga pista e më pas është përplasur duke marrë flakë.
Po sipas mediave kroate, Fazlliç, nip i Jovic Stanishiq, drejtues i sigurimit serb në kohën e Sllobodan Millosheviçit, është i lidhur me elitën politike nëpër botë dhe aferet që bëhen prej tyre. Mediat kroate përmendin rastin e përfshirjeve në skandale të Fazlliçit në Shqipëri por edhe në Itali. Shkruhet se ai u arrestua dhe u mor në pyetje për vrasjen e ish-kryeministrit serb Zoran Gjingjiç, ndërsa gjatë Luftës së Bosnjës arriti të marrë nënshtetësinë britanike. Ndërkohë avokati Zogoviq, me nënshtetësi amerikane ka një zyrë në Beograd dhe Los Anxhelos.
Nga ana e burimeve zyrtare të Aeroportit të Tiranës u bë e ditur vetëm se avioni, sipas kullës së komandimit ishte nisur nga Rinasi në orën 18:07 të së enjtes. Lidhur me identitetin e individëve që udhëtonin me të, burimet u shprehën se kjo ishte jashtë kompetencave të tyre.