FIER - Pas rrëzimit tre herë me radhë të buxhetit nga këshilli bashkiak, kreu i bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj kërkon shpërndarjen e këshillit.
Deklaratën e ka bërë gjatë një konference për mediat, ku ka sqaruar arsyet e kërkesës së tij. Ai njoftoi se i është drejtuar me një letër prefektit të Fierit, Bujar Hasaj për shpërndarjen e këshillit, i cili pas tri mbledhjeve radhazi nuk ka miratuar buxhetin për qytetin.
"Që prej 5 muajsh përfaqësues të Partisë Demokratike mbajnë të bllokuar buxhetin e Bashkisë së Fierit. Qëllimi i tyre është të pengojnë, me të gjitha mënyrat, zhvillimin e qytetit, vetëm e vetëm për të bërë fajtore qeverisjen e bashkisë në sytë e qytetarëve. Ata nuk kanë as më të voglin shqetësim për banorët e këtij qyteti dhe për ta e rëndësishme është të fitojnë interesat e tyre të ngushta", ka thënë ai.