Një analizë e disa prej faktorëve që ndikuan në rezultatin e një prej
votimeve më të diskutuar të vendit dhe mite e interpretime që nuk mund
të injorohen
Ditën e dielë u mbajtën zgjedhjet lokale në Malin e Zi dhe rezultatet
sigurisht kanë qenë të hidhura për dikë e të ëmbla për dikë tjetër.
Si rrallë më pare, në qendër të vëmendjes për shqiptarët ka qenë
beteja zgjedhore në Malësi. Rajoni me qendër Tuzin është përfshirë
prej ditësh nga ethe politike që kishin të bëjnë më fushatën por jo
vetëm me të.
Ka gati dy vjet që pushteti lokal në Malësi pothuajse nuk po
funksionon. Rajoni ka statusin e komunës urbane, që shihet si një
diskriminim nga shumica e shqiptarëve. Ndërsa rajonet e tjera të
ngjashme si ajo në Malin e Zi, janë të pavarura, Malësia ka mbetur nën
Podgoricën.
Shqiptarët e partisë së Ferhat Dinoshës këtë e kanë parë si avantazh
për të marrë më shumë fonde e shërbime në të mirë të shqiptarëve.
Partitë e tjera shqiptare e kanë parë si diskriminim që i bëhet
Malësisë vetëm se ajo banohet me shqiptarë. Në një provë force mes
shqiptarëve të opozitës dhe pushtetit qendror në Podgoricë, as komuna
e plotë nuk po aprovohet e as ajo urbane nuk po funksionon. Sigurisht
që ata që e pësojnë në radhë të parë janë njerëzit e thjeshtë që
ndërkohë përballen me hallet e përditshme në një ekonomi të
mjerueshme. Papunësia është e lartë, investimet e ulëta dhe
emigracioni një ëndërr/ankth i përhershëm.
Në këto kushte, këto zgjedhje ishin kyçe për të zhbllokuar situatën në Malësi.
Kur edhe vota e fundit u numërua të hënën në mbrëmje, Koalicioni për
Tuzin Europian i partive malazeze të Gjukanoviçit, UDSH-së së Ferhat
Dinoshës dhe një partie boshnjake kishin marrë 2733 vota, që është
përkthyer në 11 vende në kuvendin lokal të Tuzit nga 21 që janë
gjithësej. 11 është në fakt numri i artë. Është minimum që nevojitet
për të qeverisur pushtetin lokal.
Pra zhbllokimi i situatës ndodhi. Tani nuk do të ketë më konflikt mes
pushtetit lokal dhe atij qendror për funskionimin e komunës urbane.
Mirëpo, përkrahësit e një nisme të mbështetur me forcë nga diaspora
për ta bërë Malësinë me Tuzin në krye komunë të plotë në Malin e Zi, e
shohin këtë rezultat zgjedhjesh si një errësim të perspektivës për të
ardhmen e Malësisë.
Fitues dhe të humbur, festë dhe nervozizëm
Dje festa ka vazhduar në Tuz deri në orët e vona të mëngjesit për
mbështetësit e partisë së Ferhat Dinoshës. Një nga veteranët e
politikës shqiptare në Malin e Zi, Dinosha adhurohet nga pasuesit e
tij pothuaj në masën që urrehet nga militantët e partive opozitare.
Por ai ka qenë personi instrumental në fitoren e koalicionit qeveritar
në zgjedhjet lokale.
Nga ana tjetër, një mërzi e zhgënjim i madh po mbretëron në kampin
opozitar. Të mbledhur nën "Koaliconin për Malësinë", tre parti
opozitare shqiptare: Iniciativa Qytetare - Vasel Sinishtaj, Lidhja
Demokratike - Nikollë Camaj, Alternativa Shqiptare - Gjergj Camaj, ata
kanë qenë të bindur në fitoren e tyre. Mosmarrëveshjet janë lënë
mënjanë për t'iu hakmarrë Podgoricës për refuzimin e kërkesave për
komunë të plotë e për preferencën që i ka bërë Dinoshës.
Të mbështetur nga diaspora dhe me parrulla patriotike që evokojnë
vitet e luftës së armatosur kundër malazezëve, "Koalicioni për
Malësinë" është përpjekur të japë kushtrimin mes shqiptarëve për t'u
bashkuar për një fitore historike.
Rezultati i votave i ka lënë të shtangur dhe disa madje janë shprehur
me pesimizëm të theksuar. Vilson Sinishtaj në një shënim në një faqe
internet të njohur të Malësisë, e ka quajtur humbjen si fillim të
asimilimit të plotë të shqiptarëve të Malësisë.
Por humbja sjell me vete reagime të nervozuara. Ende pa u gdhirë e
nesërmja, disa po flisnin se ka ardhur koha për ndërrimin e
udhëheqësve që humbën. Këto janë reagime normale emocionale të
humbjes. Se çfarë do të ndodhë mbetet për t'u parë, por ia vlen të
ndalesh në arsyet e humbjes së Koalicionit për Malësinë dhe çfarë do
të thotë kjo për të ardhmen.
Për partitë shqiptare humbja mund të dukej e pamendueshme. Si mund të
votosh për "pushtuesin" e jo për shqiptarin? Po në fakt, një sy i
jashtëm e i ftohtë mund të kishte vënë re shenja të qarta të humbjes
së ardhshme.
Fitore e koalicionit qeveritar në mbarë vendin
Shqiptarët që janë kredhur sot në diskutime të ashpra për rezultatet e
zgjedhjeve të të dielës në Malësi kryesisht i shohin ato vetëm në
kuadër të Malësisë.
Një mënyrë tjetër për t'i parë ato, është në kuadrin e madh të mbarë
vendit. Koalicioni i Partisë Demokratike të Socialistëve e udhëhequr
nga Milo Gjukanoviçi fitoi në 12 nga 14 komunat e vendit.
Ky ishte një triumf elektoral për kryeministrin, politikanin që prej
dy dekadash mbizotëron në politikën e Malit të Zi, që akuzohet për
tradhëti nga serbët, për korrupsion nga të huajt dhe një pjesë e
vendasve dhe për anti-shqiptarizëm nga disa prej shqiptarëve.
Nga ana tjetër, shumica e malazezëve e shohin si hero, si baba të
pavarësisë së re të Malit të Zi, Perëndimorët e shohin si njeriu që e
braktisi Millosheviçin në momentin kur duhej dhe një pjesë e
shqiptarëve e falenderojnë për njohjen që i ka bërë Kosovës.
Për largimin e tij nga politika është folur disa herë. Akoma më me
intensitet është folur në muajt e fundit. Flitet se pasurimi i tij i
madh për shkak të lidhjeve të dyshimta biznesi i ka mërzitur
amerikanët deri në pikën sa i kanë thënë që të largohet se po dëmton
shanset e Malit të Zi për në Europë.
Po këto sigurisht nuk janë të provuara. Gjukanoviçi është personi kyç
në ndalimin e influencës së Beogradit mbi Podgoricën dhe nëse është
vërtet duke ikur nga politika, i dha vetes kohë për një fitore tjetër
elektorale. Ashtu si shumë shqiptarë në Malësi, edhe shumë serbë në
komuna të tjera të vendit janë shtangur me suksesin e koalicionit të
Gjukanoviçit. Ishte një dallgë elektorale siç e quajnë këtu në SHBA
dhe kur ndodh ka efekt edhe në zonat e dobëta. Në kuadrin e
përgjithshëm, fitorja e koalicionit qeveritar në Malësi mund të ketë
qenë efekt anësor i kësaj dallge.
Kundër malazezëve apo kundër serbëve
Shumë shqiptarë që kishin besuar në fitoren e sigurtë të Koalicionit
për Malësinë e shohin votën e bashkatdhetarëve të tyre për koalicionin
me malazezët si një tradhëti kombëtare. Ata recitojnë vargjet e
Fishtës dhe valëvisin flamurin kuqezi në vend të atij shtetëror
malazez.
Në këtë kontekst, si ka mundësi që një malësor t'i bëhet gjaku ujë dhe
të votojë për "malazezët"?!
Sigurisht që duket e pamundur, mirëpo shqiptarët e Dinoshës nuk e
shohin çështjen të ndarë në mënyrë kaq epike. Në një intervistë me
gazetën "Illyria" përpara zgjedhjeve, Ferhat Dinosha argumentoi se në
Malin e Zi nuk ka konflikt mes shqiptarëve dhe malazezëve por mes
serbëve dhe malazezëve.
Sipas tij, shqiptarët janë shumë pak në numër dhe një rrëzim nga
pushteti i koalicionit malazez sjell në pushtet koalicionin serb që
është kundër pavarësisë së Kosovës.
Sipas tij, partitë shqiptare opozitare (ato që formuan Koalicionin për
Malësinë) në përpjekje për të bllokuar pushtetin e Podgoricës në Tuz
kishin bërë aleancë me partinë serbe të zonës e cila kishte protestuar
ashpër njohjen e Kosovës nga Mali i Zi. Për këtë ai parashikonte
ndëshkim nga votuesit në zgjedhjet e ardhshme. Mbase ai po spekullonte
si politikan, por rezultatet e të dielës mund t'i përdorë për të
treguar se kishte pasur të drejtë.
Fushata e koalicionit qeverisës ka pasur tone të forta kundër
Beogradit. Serbët janë nervozuar me deklaratën e Gjukanoviçit se "nuk
ka diasporë serbe në Malin e Zi" dhe se serbët aty nuk janë më shumë
se qytetarë malazezë.
Pra, ndërsa Koalicioni për Malësinë e sheh problemin në kuadrin e
Malësisë, UDSH e Dinoshës e sheh në kuadrin e Malit të Zi dhe nuk bën
fushatë kundër shqiptarëve por kundër serbëve dhe Beogradit.
Shumë shqiptarë që votuan për Dinoshën, ditën e dielë, më shumë se për
malazezët, kanë votuar kundër serbëve. Ata ndoshta ndihen sot po aq
patriotikë sa edhe veprimtarët e partive shqiptare që humbën.
E gjitha kjo tregon edhe njëherë se politika është çështje
intepretimesh. Partitë e Koalicionit për Malësinë ishin të bindura se
e drejta ishte me ta. Po e drejta nuk mjafton nëse interpretimi i saj
nuk u oftohet të gjitha grupeve të votimit, në mënyrat përkatëse si e
shohin ato botën.
Statusi i Malësisë
"Kali i betejës" siç thotë një shprehje në gazetarinë politike, për
Koalicionin e Malësisë kësaj here ishte pa dyshim çështja e statusit
të Malësisë. Sipas një studimi të ri të kryer nga aktivistë të njohur
të komunitetit shqiptaro-amerikan, Malësia jo vetëm që e meriton që të
jetë komunë më vete në Malin e Zi, por e vetmja mënyrë që të mbijetojë
ekonomikisht dhe kulturalisht është të ndahet nga Podgorica.
Në kuadrin e një rënieje të përgjithshme të ekonomisë në Malin e Zi,
për shkak të krizës botërore dhe në kuadrin e bllokimit të
marrëdhënieve institucionale mes Podgoricës dhe Tuzit, komuna urbane
ishte kthyer në një formulë pushteti që nuk po funksionte. (Rrethanat
ndryshojnë tani me fitoren e koalicionit pro-podgoricar.)
Prej muajsh, partitë shqiptare kanë përqafuar idenë e luftës për një
komunë të plotë për Malësinë. Ideja është popullore mes shqiptarëve të
zonës dhe vota e tyre do të shkonte për të.
I vetmi ndryshim në javët e fundit ishte se edhe UDSH dhe partia e
Gjukanoviçit filluan të flasin në përkrahje të një statusi të komunës
së plotë për Malësinë. Madje UDSH shpalli edhe mbajtjen e një
referendumi popullor në Malësi për këtë çështje.
Ideja e referendumit është kritikuar se rrezikon që në rast se nuk
fiton atëhere komuna e plotë mund të hidhet në kosh si projekt. Po
UDSH argumenton se nëse nuk fiton referendumi kjo do të thotë se
malësorët nuk e duan komunën më vete dhe se vota është fjala e
demokracisë. Po a janë të mirinformuar, a janë të ndërgjegjësuar sa
duhet ata për të votuar në një referendum të tillë? A u bënë
referendume edhe në komuna të tjera që janë sot më vete apo kjo është
një shpikje nga ato që bëhen vetëm për shqiptarët?
Pavarësisht prej të gjithave, mbetet fakt se me këtë lëvizje UDSH
dëmtoi fushatën e rivalëve të saj. Jeni për komunë më vete? Edhe ne!
Në momentin kur debate kalon në pikën "jo jeni - jo nuk jeni" njerëzit
janë të prirur të mos votojnë më për çështjen po për lidhjet dhe
simpatitë personale (edhe për inatet gjithashtu).
Numrat e popullsisë në Malësi
Kanë një shprehje amerikanët që thotë: "Nuk mund ta kesh tortën dhe
njëkohësisht ta kesh ngrënë atë" (ose tortën e ke, ose në dorë ose në
bark).
E përkthyer për situatën në Malësi, nuk mund të ikësh masivisht nga
vendlindja dhe të presësh të triumfosh në zgjedhje. Shqiptarët në
katër apo pesë dhjetëravjeçarët e fundit janë shpërngulur masivisht
nga Malësia për shumë arsye: shtypja politike, ideologjike e
ndëretnike, shtrëngesa ekonomike, mungesa e perspektivës, arsyet dhe
mëritë personale, admirimi i suksesit të shqiptarëve në SHBA etj.
Ndërkohë, nga hapësira të tjera të Malit të Zi e të Ballkanit, njerëz
të tjerë janë zhvendosur në Malësi. Një pjesë e tyre boshnjakë, apo
edhe shqiptarë të asimiluar. Me vendosjen e demokracisë vjen edhe e
drejta e lëvizjes së lirë. Nëse dikush gjen një shtëpi dhe një punë ai
vjen dhe vendoset në lagjen tënde edhe nëse nuk të pëlqen. Vetë
shqiptarët kanë kaluar oqeanin në kërkim të një jete më të mirë.
Askush nuk duhet të habitet nëse dikush kalon një mal e një lumë.
Akuzat sigurisht nuk mungojnë se Podgorica në mënyrë indirekte po
punon për transformimin demografik të Malësisë. Në fakt, kjo është e
bazuar në llogjikë. Përqindja e atyre që identifikohen si etnikisht
malazezë është shumë e vogël në Malin e Zi. Kjo sigurisht është
rrezikuese për të ardhmen e këtij shteti. I ndodhur në Ballkan, Mali i
Zi është i ndërgjegjshëm për lojërat me kufijtë, për synimin e
Beogradit për ta gllabëruar përsëri, për boshnjakët që nuk kanë
identitet të përcaktuar, për shqiptarët që me shumicë ende shohin më
shumë nga Shqipëria se nga Podgorica etj.
Në këtë situatë, malazezët kanë arsye që të propagandojnë ndjenjën
qytetare mbi atë etnike dhe të përpiqen pa e tepruar që të shpërbëjnë
shumicat në rajonet serbe, shqiptare e boshnjake.
Në fakt, shqiptarët kanë qenë një formacion i rëndësishëm në betejën
kundër influencës serbe dhe besohet se nëse vjen puna për të rrezikuar
republikën, përsëri do të jenë në anën e Malit të Zi. Vështirë se gjen
shqiptarë që do të preferonin kthimin nën çadrën e Beogradit.
Po a është vërtet dora e Podgoricës mbrapa largimit të shqiptarëve dhe
vendosjes në Malësi të etnive të tjera? Edhe kjo është çështje
interpretimesh. Nëse je me Koaliconin për Malësinë përgjigjia është
"Po". Nëse je me Dinoshën përgjigjia është se "shqiptarët po ikin nga
Mali i Zi, ashtu si shqiptarët nga Shqipëria dhe Kosova ikin në
Perëndim për një jetë më të mirë".
Fakt është që largimi, nëse vazhdon do ta bëjë akoma edhe më të
vështirë grumbullimin e mjaftueshëm të votave në Malësi në favor të
"partive shqiptare". Edhe kështu siç është mjaftojnë disa qindra vota
për të përmbysur drejtpeshimet politike. Nëse prirja vazhdon, nuk
është çudi që të vijë një ditë që do t'i shohim këto zgjedhje me zili,
për numrin e madh të "votave shqiptare".
Përçarja e votës shqiptare
Partitë shqiptare opozitare kanë treguar urtësinë e nevojshme për të
formuar koalicione për zgjedhje, por politika shqiptare e Malit të Zi
mbetet shumë e përçarë. Tre partitë e koaliconit nuk mblodhën dot as
dy mijë vetë, duke mbetur mesatarisht 600 vota për parti. Kjo tregon
se diçka nuk shkon me këtë konstelacion politik.
Disa kanë përfituar nga humbja për të sulmuar personalisht udhëheqësit
e tyre. Disa fajësojnë personat që kanë zgjedhur në lista. Kjo është
normale pas humbjeve në zgjedhje. Është e natyrshme që partitë të
kalojnë në një proces introspektiv.
Një nga arsyet që UDSH del gjithmonë partia më e forte, mund të jetë
pikërisht kohezioni i saj si forcë politike. Krahu i Dinoshës ka një
figurë qendrore, ai është vetë Ferhat Dinosha. Koalicioni për Malësinë
vuan pikërisht nga kjo. I mungon një udhëheqës impresionues. Meqë u
pëlqen të marrin shembuj nga historia shqiptare ata janë pak a shumë
si Beslidhja e Lezhës pa Skënderbeun.
Nuk ka gjë më të bukur se kolegjialiteti, por për natyrën
psikollogjike të organizimeve shqiptare është e rëndësishme një kokë
politike, një kryetar, një lloj miti politik. Një figurë frymëzuese që
i bën njerëzit të dalin nga shtëpitë për të votuar. Ajo që nuk duhet
është dikush që t'i bëjë ata që të dalin nga mendja.
Nuk është e domosdoshme që krahu opozitar shqiptar të bashkohet për të
fituar kundër shqiptarëve të Dinoshës. Por është kërkesë e kohës që
mes këtij krahu politik të dalë një prijës që duke respektuar
autoritetin e udhëheqësve të tjerë të mbajë në dorë flamurin politik
të koalicionit. Deri atëhere, druhem se opozitarët shqiptarë do të
vazhdojnë të kritikojnë njëri-tjetrin e të shohin shpresat e tyre të
shuhen në kutitë e votimit.
Po tani?
Tani nuk është fundi i botës siç e përshkruajnë disa. Zgjedhjet duhen
lexuar me urtësi. Në fund të fundit, koaliconi për Tuzin Europian
fitoi shumicën, por është një shumicë që mbahet me një votë të vetme.
Fituesit duhet t'i shtrëngojnë mirë radhët e tyre se mjafton një i
pakënaqur, një i penduar, ose një i çmendur që shumica të rrëzohet si
kala rëre dhe ose të krijohet situate e mëparshme ose të lejohen
kompromise të reja për të joshur njerëz të tjerë në shumicën
drejtuese.
Nga ana tjetër, ajo që humbësit dhe fituesit e zgjedhjeve harrojnë
shpesh është se fitorja vjen me përgjegjësira. Deri tani Podgorica
është ankuar se gjendja në Malësi është faji i shqiptarëve në Tuz që
pengojnë fondet. Tani opozita pret me duar mbledhur se çfarë do të
ndryshojë në Malësi. A do të mbahen premtimet? A do të vijnë fondet?
Sa do të vijnë? Kujt do t'i jepen? A do të ketë favorizime politike e
etnike?
Opozita në vend që të qajë ditën e dielë, duhet të bëhet gati për të
mbrojtur demokracinë dhe drejtësinë në Malësi. Të jesh në opozitë
është gjithashtu përgjegjësi. Të dielën u votua, sot fillon beteja e
re.
Nëse koalicioni fitues vë në jetë referendumin që premtoi, është e
domosdoshme që të votohet në favor të komunës së Malësisë. Disa nga
argumentet e Podgoricës janë me themel. Dalja më vete vjen me rreziqe
ekonomike, është në fund të fundit një bast me historinë. Po
shqiptarët meritojnë një shans vetqeverisjeje të plotë ashtu si edhe
të tjerët në Malin e Zi.
Opozita pra, në vend që të qajë e të shqyejë veteveten nga mëria,
duhet të rigjejë forca për të rifilluar luftën për arritjen e komunës
së plotë. Referendumi nuk duhet të jetë një betejë kundër Gjukanoviçit
se kjo vetëm sa do ta rrezikojë shansin historik të shqiptarëve. As
nuk duhet të bëhet një temë thjesht patriotike. Komuna do të jetë e të
gjithëve atyre që do të jetojnë në të dhe fitorja ka nevojë edhe për
votat serbe e boshnjake. Komuna është në fund të fundit një zgjidhje e
mençur dhe praktike, pavarësisht se për malësorët ajo është edhe një e
drejtë politike, historike e kombëtare.
Së fundi, tre udhëheqësit e koaliconit dhe figura të tjera të mendimit
të njëjtë apo të ngjashëm politik në opozitë duhet të mendojnë për një
udhëheqës. Mbase dikë nga shqiptarët e Amerikës, ndoshta dikë nga
shoqëria civile brenda në Malësi, por gjithësesi, dikë që mund të
përkushtohet, që nuk korruptohet lehtë, që është i matur në lidhje me
Podgoricën por edhe i pakontrollueshëm prej tyre. Dikë që është
inteligjent dhe i arsimuar por edhe i aftë të bisedojë me popullin.
Nëse një prijës i tillë del, jo të gjithë do ta presin krahëqafë. Do
të ketë xhelozi e përplasje por do të ketë edhe një rifillim në jetën
politike të Malësisë.
Ndërkohë, të gjithë nuk duhet të harrojnë se shqiptarët e thjeshtë në
jetën e tyre të përditshme nuk mbahen gjallë thjesht me fjalë
patriotike, por me ushqime e mjete jetese, me qartësi e siguri për të
ardhmen. Në këto nevoja më shumë se në drejtësinë e kauzës gjenden
shpesh arsyet e rezultateve në votime.