KORÇË - Policia ka arrestuar sot dy persona për shfrytëzim prostitucioni, pasi lokalin e tyre e kishin kthyer në shtëpi publike. Kohët e fundit ky fenomen është përhapur shumë në juglindje, ndërsa policia është vënë në kërkim të lokaleve që kryejnë aktivitete të tilla.
Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur sot se është arrestuar shtetasi Ilir Bandilli banor i lagjes nr.4 në qytetin e Korçës nën akuzën e "Sfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese" dhe "Mbajtje e lokaleve për prostitucion". Po kështu është arrestuar edhe bashkëpunëtori i tij, Lorenc Callo 35 vjeç banor i lagjes 8 në Korçë, për të njëjtat akuza. Dy të arrestuarit kishin një lokal në fshatin Drenovë, vetëm 3 kilometra larg qytetit. Aty mbanin shtetasen J.P. 21 vjeç e cila punonte si punëtore seksi, duke kryer marrëdhënie kundrejt shumave që varionin nga 3 mijë deri në 5 mijë lekë.
Policia për të goditur aktivitetin e paligjshëm, ka infiltruar një person i cili ka luajtur rolin e klientit, kur në fakt ka qënë një punonjës i policisë. Më pas është bërë i mundur ndalimi i të dy shtetasve që kryenin lidhjen mes klientit dhe prostitutës, duke vendosur çmime të ndryshme, ndërsa vajzës i jepnin një shumë modeste.