TIRANË - Deputetët e mazhorancës kanë kërkuar nga Komisioni për Mbrojtjen e të Dhënave Personale që të ndërhyjë në mënyrë që formularët e deklarimit të pasurive të mos bëhen publike në media.
Duke përfituar nga raportimi i komisioneres për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Flora Çabej, në Komisionin e Ligjeve, deputetët e shumicës kanë ngritur një sërë problemesh që edhe ata vet personalisht hasin në jetën e përditshme për sa i përket ruajtjes së privatësinë dhe të informacioneve, që kanë të bëjnë me jetën e tyre private. Njëra prej tyre ishte edhe bërja publike e pasurisë që ata deklarojnë pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, duke kërkuar që kjo praktikë të mos përsëritet më.
"Ne, nëpunësit e administratës bëjmë deklarimin e pasurive dhe nuk e di a keni plan konkret që ky deklarim mos të tundet nëpër media për t'u përdorur politikisht. Kjo mendoj se është një nga detyrat më imediate", - tha deputeti demokrat, Fatos Hoxha, gjatë diskutimit të raportit vjetor të institucionit që merret me mbrojtjen e të dhënave personale. Por, sipas kreut të këtij institucioni, komisioneres Flora Çabej, ky është një shqetësim edhe i deputetëve të tjerë, por që për shkak të detyrimit të transparencës nuk mund të fshihet. "Ky ka qenë shqetësim edhe i deputetëve të tjerë, prandaj ne kemi nënshkruar edhe një marrëveshje me ILDKP-në në këtë fushë. Por, duhet të keni një gjë parasysh, personat publikë e kanë privatësinë të limituar. Duhet të dini që Suedia nxjerr online të dhënat pasurore për të gjithë qytetarët e saj mbi 18 vjeç dhe ky është me një dekret të mbretit që në 1903-in. Por dhe atje komisionari suedez bën një luftë të hapur për ta hequr këtë, jo për personat publikë, por për të gjithë qytetarët", - tha Flora Çabej.
Një shqetësim tjetër për sa i përket ruajtjes së privatësinë i ngritur nga deputetët e djathtë janë edhe publikimi në media i listave të përfituesve nga procesi i legalizimit, studentëve konkurrues në shkollat e larta, apo edhe filmimi i klientëve të bankave. Sipas deputetit demokrat, Viktor Gumi, shumica e bankave nuk bëjnë të ditur se në ambientet e tyre regjistrohesh qoftë me zë ashtu edhe me figurë, çka përbën sipas tij një shkelje të ligjeve në fuqi.
_______________________
Nisma, Berisha: Të gjithë qytetarët duhet të deklarojnë pasurinë
TIRANË - Qytetarët do të jenë të detyruar të deklarojnë të ardhurat e tyre personale dhe familjare, nis nga ky vit. Ndryshimin e ri në legjislacion e bëri të ditur Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së Qeverisë. Ai u shpreh se deklarata personale e të ardhurave të qytetarit është një praktikë europiane dhe vendi ynë është i detyruar t'a zbatojë atë. Por kjo deklaratë nuk do të jetë pa pasoja. Mbi bazën e saj do të vendosen taksat për çdo familje. Dhe sipas Berishës, nëse një familje e varfër paguan tepër, shteti është i detyruar t'a rimbursojë në fund të vitit.
Duke sqaruar këtë pjesë, ai tha se "ky dokument, që do ta quaja dokumenti i transparencës universale për të ardhurat e qytetarëve, i shton shumë detyrimet e Ministrisë së Financave ndaj qytetarëve. Mbi bazën e tij, ajo do të detyrohet t'u paguajë qytetarëve në fund të vitit, të gjitha taksat e tepërta që kanë paguar, pasi qytetarët paguajnë taksa në çdo gjë që blejnë".
Ai shtoi se "qytetarët hyjnë në dyqan dhe mendojnë se nuk paguajnë taksa, por në të vërtetë, paguajnë edhe në çdo gotë uji. Këtë e kam thënë kur kam qenë në opozitë dhe do ta them dy herë, tani që jam në qeveri. Ndaj duhet bërë mirë bilanci i të ardhurave dhe taksave që paguan gjithsecili".
Ndërkohë paralelisht me ndryshimet e reja legjistalive do të krijohen edhe dy institucione të reja që do financohen nga Pragu i Mijëvjeçarit. Ato janë Avokati i Tatimpaguesve dhe Këshilli Konsultativ i Biznesit. Sipas Berishës, këto institucione do t'i shërbejnë rritjes së transparencës në sistemin fiskal dhe modernizimin e tij.