Ka shkaktuar një tërmet propozimi i kryeministrit Sali Berisha për shitjen e shtetësisë për këdo që investon 100 mijë euro në vend. Siç raporton e përditshmja Shqip, Shërbimi Informativ Shtetëror është në alarm, pasi nëse diçka e tillë ndodh, në vend dy mësyjë mafia.
Burimet nga strukturat e SHISH-it bëjnë të ditur se kjo nismë do ta vështirësojë më shumë luftën për sigurinë kombëtare, pasi sjell një zyrtarizim të investimeve të mafies në vendin tonë. Madje, kjo ndihmon sidomos mafien e vendeve të lindjes që të vijnë në Shqipëri, të investojnë paratë e fituara në rrugë kriminale, me motivin se do të përfitojnë shtetësinë shqiptare. Këtu bëhet fjalë sidomos për mafien ruse, narkotrafikantët afganë, mbase edhe turq. Megjithatë, Shërbimi Informativ Shtetëror nuk përjashton edhe investimet nga mafia italiane.
Por ndryshimi i ligjit për shtetësinë për t’u dhënë mundësinë shtetasve të huaj që të investojnë mbi 100 mijë euro në Shqipëri që ta marrin atë, s’mund të ndryshohet pa 84 vota parlamentare. Shqiptarja.com raporton se Ilir Gjoni, ish-ministër i Rendit në vitin 2002, aktualisht deputet i Partisë Socialiste dhe nënkryetar i komisionit parlamentar të Sigurisë është shprehur se për të bërë ndryshimin e deklaruar, Kushtetuta parashikon vetëm konsensus parlamentar. Duke argumentuar kundërshtitë ndaj nismës për ndryshimin e ligjit, Gjoni thotë se “ky konsensus nuk do të ekzistojë për rastin në fjalë”. Duke argumentuar më tej arsyet e kundërshtimit, Gjoni thotë se “miratimi i kësaj nisme do të ndikonte negativisht në imazhin e vendit dhe në sigurinë që ofrohet”.