Gjatë seancës së sotme plenare, një pjesë të madhe të diskutimeve e ka zënë situata e krijuar në rrethe të ndryshme të Shqipërisë, pas bllokimit nga bora. Deputetët e opozitës kanë lëshuar akuza ndaj qeverisë për mospërmbushje të detyrimeve dhe neglizhencë në këtë situatë kritike.
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka thënë se qeveria ka marrë të gjitha masat për të përballuar situatën. Por, pavarësisht kësaj, ai ka kërkuar ndihmën e komunitetit dhe njerëzve, që të ndihmojnë për hapjen e rrugëve të bllokuara.
Nishani u ka bërë apel deputetëve, duke filluar që nga ata të opozitës, të ndikojnë tek kryekomunarët dhe banorët e zonave të bllokuara, që të angazhohen për të zhbllokuar rrugët.
“Të gjithë deputetët duhet të ushtrojnë influencën e tyre që komunat të angazhojnë komunitetin për hapjen e rrugëve. Shteti është në këmbë dhe gjithë kapacitetet që kemi janë të mjaftueshme për të përballuar këtë situatë me probleme minimale”, ka thënë Nishani.