Kryeministri Berisha është takuar gjatë ditës së sotme me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliev, me të cilin ka nënshkruar edhe disa marrëveshje. Siç thuhet në një komunikatë të Kryeministrisë, gjatë takimit të tyre, Berisha dhe Aliev janë shprehur se Shqipëria dhe Azerbajxhani ecin në të njëjtën rrugë drejt demokratizimit dhe zhvillimit.
“Kryeministri Berisha çmoi marrëdhëniet miqësore dypalëshe dhe vuri në pah aspektet e ndryshme që të dy vendet ndanin së bashku në aspiratat për zhvillim dhe demokratizim. Ai theksoi se fryma miqësore e marrëdhënieve politike dhe pozicioni gjeopolitik i të dy vendeve janë faktorë themelorë për një bashkëpunim të frytshëm dhe se kjo vizitë shënon një kapitull të ri në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
“Së pari, i shpreh mirënjohjen Presidentit Aliyev për mikpritjen e tij. Unë erdha këtu me objektivin kryesor për të forcuar marrëdhëniet dhe lidhjet midis dy vendeve. Shqipëria e Azerbajxhani janë dy vende miq. Unë kam gjetur të njëjtën klimë, vullnet dhe ndjenja në të gjitha takimet e mia të mëparshme dhe veçanërisht në këtë takim shumë miqësor me Presidentin Aliyev. Unë ftova Presidentin të vizitojë Shqipërinë. Unë jam dakord me Presidentin dhe ne do të punojmë ngushtësisht së bashku për një kapitull të ri në marrëdhëniet midis dy vendeve tona mike”, ka thënë Berisha për gazetarët në Azerbajxhan.
Berisha bëri një vizitë në monumentin kushtuar heroit kombëtar të Azerbajxhanit, Hajdar Alijev, ish-president i Republikës së Azerbajxhanit, pas shkëputjes nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe babai i presidentit aktual, si dhe vuri një kurore edhe tek monumenti i Zjarrit të Pashuar, në varrezat e dëshmorëve, si dhe nderoi rreth 150 personat e vrarë brenda një nate nga ushtria sovjetike në vitit 1990, në përpjekje për të shtypur pavarësinë e Azerbajxhanit.