Flet kryetari i Komisionit hetimor parlamentar pĂ«r veprimtarinĂ« e nĂ«nkryetarit tĂ« KLD-sĂ« dhe anĂ«tari i komisionit hetimor pĂ«r 21 Janarin. “KundĂ«rshtimi i opozitĂ«s pĂ«r tĂ« hetuar Spahiun nuk mallĂ«ngjen askĂ«nd. Komisioni Ă«shtĂ« i vonuar, por vetĂ«m tani u kuptua pĂ«rmasa e shkeljes sĂ« ligjit”, thotĂ« ish-ministri i drejtĂ«sisĂ« Alibeaj. Deputeti demokrat qĂ« Ă«shtĂ« antar i komisionit tĂ« hetimit tĂ« 21 Janarit thotĂ« se deputetĂ«t e tij nuk janĂ« pĂ«rdorur pĂ«r tĂ« trembur “harabelkat delikate tĂ« prokurorisĂ«, presidencĂ«s, medias apo opozitĂ«s”. Berisha President? “Ka vetĂ«m njĂ« pengesĂ« pĂ«r tĂ« kapĂ«rcyer. Veten e tij. Kushtetuta nuk e ndalon zgjedhjen e tij nĂ« krye tĂ« shtetit”, thotĂ« AlibeajÂ
Nga Lorenc Vangjeli
Komisioni parlamentar hetimor për nënkryetarin e KLD-së u ngrit me gjithë kundërshtimin e opozitës që akuzon për mungesë morali në këtë nismë dhe mbi të gjitha, për mospërputhje me ligjin. Si e komentoni ju aktin tuaj?
Përgjigjen po e jap në dy plane, qoftë juridik, qoftë politik. Juridikisht ky komision e gjen mbështetjen e tij në Kushtetutën e Republikës, në ligjin për komisionet hetimore, në rregulloren e Kuvendit, në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe në ligjin për KLD. I gjithë ky shtrat normativ parasheh mundësinë që Kuvendi, si organ emërtese, ka të drejtë jo vetëm të zgjedhë “të deleguarin” e tij pranë KLD-së, porse, me të njëjtin moral, ka të drejtë që, nëse ekzistojnë strikt rastet ligjore të respektimit të pozitës juridike, edhe ta revokojë këtë përfaqësim. Mundësia e shkarkimit të një funksionari kushtetues, qoftë ky edhe anëtar i KLD-së, është mëse evident në Kushtetutë. Nga analiza formulës së kompozimit të KLD-së, vërehet se pushteti ekzekutiv ka një përfaqësues, pushteti legjislativ ka tre përfaqësues dhe pushteti gjyqësor ka dhjetë përfaqësues. Kjo formulë dëshmon qartë qëllimin e Kushtetutës që të konfigurojë KLD-në si një organ kolegjial, i cili sintetizon, bashkëveprimin dhe ndërveprimin e tre pushteteve. Kjo është edhe ratio e kompozimit të KLD-së. Secili nga pushtetet të ketë mundësinë të përçojë frymën, zërin, shqetësimet, problematikën dhe sensibilitetet respektive në këtë organ. Duke respektuar ndarjen e pushteteve, (ruhet predominanca e pushtetit gjyqësor), por edhe balancimin e tyre.
Eshtë fare lehtë e kuptueshme se anëtari i KLD-së (i zgjedhshëm), teksa votohet dhe përzgjidhet nga organi i emërtesës, vlerësohet dhe mandatohet për marrjen përsipër të barrës, për të përcjellë, frymën, sensibilitetin dhe “porosinë” ligjore të organit të emërtesës. Ministri i Drejtësisë, padyshim paraqet atë çfarë pushteti ekzekutiv ndjen se duhet ndryshuar apo përmirësuar në sistemin e drejtësisë. Te zgjedhurit e Kuvendit janë ata që përçojnë sensibilitetet se çfarë Kuvendi duhet të përmirësojë në veprimtarinë e sistemit gjyqësor nëpërmjet funksionit ligjvënës. Dhjetë përfaqësuesit e sistemit gjyqësor, duhet të tregohen deri edhe fanatikë në mbrojtjen e vlerave të pavarësisë, paanësisë, meritokracisë, dhe asaj çfarë ata kanë premtuar tek zgjedhësit e tyre gjyqtarë në konferencën gjyqësore. Pra mandati i të zgjedhurve në KLD është qartësisht një mandat përfaqesues, që i nënshtrohet vlerësimit dhe testimit të ditëpërditshëm të trupës që i ka zgjedhur. Pavarësia dhe paanësia e vetë KLD-së si organ kolegjial, arrihet nëpërmjet dialektikës së brendëshme të këtyre tre rrymave apo flukseve që përfaqësojnë ekzekutivin, legjislativin dhe gjyqësorin. Secili nga pushtetet ka të drejtën të kontrollojë nëse përfaqësuesie e tyre pranë KLD-së, po mbrojnë apo jo interesat e tyre. Nëse jo, atëhere ka të drejtë të revokojë këtë mandat përfaqësimi. Kjo është ajo çfarë thotë Kushtetuta.
Politikisht, do të sqaroja se mosmarrja pjesë në këtë komision është mungesë e moralit politik. Është mungesë e marrjes përsipër të përgjegjësive politike që një grupim partiak ka ndaj qytetarëve. Të marrësh pjesë në komision nuk do të thotë të bëhesh pjesë e ndonjë “loje të ndyrë, të vogël, të pamoralshme politike”. Jo! Të marrësh pjesë në komision është përmbushje e detyrës institucionale në Kuvend, është funksionim normal i mekanizmit të kontrollit parlamentar, është normalitet i veprimtarisë kushtetuese. Funksionari, nëse gjendet se duhet shkarkuar, nuk e pëson këtë fat për shkak të komisionit hetimor, por për shkak të fakteve, sjelljeve dhe rrethanave të shkaktuara nga ky funksionar dhe të verifikuara nga komisioni.
Gjithsesi, pak rëndësi ka çfarë thotë opozita. Më vjen keq që arrij në këtë përfundim, porse sjellja e opozitës ka bëre që të zhvlerësohet dhe të mos merret seriozisht qëndrimi i grupimit opozitar tashmë në arenën politike, për shkak të mungesës së arsyes politike në sjelljen e saj. Tashmë qëndrimet opozitare, nuk mallëngjejnë asnjë dhe nuk përbëjnë temë diskutimi.
Aktiviteti i nënkryetarit të KLD-së ka nisur që prej pothuaj një viti, pse vetëm tani vendosët ngritjen e këtij komisioni?
Më duhet t’ju jap ndoshta pakëz të drejtë. Jo për t’u justifikuar, porse vetëm tash, është kristalizuar qartë, se çfarë dimensionesh i ka dhënë aktivitetit të tij ky funksionar, çfarë orientimi publik, sa intensiv e ka, dhe çfarë është më kryesorja, se tashmë, përkundrejt përkushtimit total ndaj kësaj veprimtarie, është lënë totalisht pas dore detyra kushtetuese që ka. Duhet pakëz kohë gjithsesi derisa të krijohet kjo masë kritike e kësaj psikoze masive mbi padyshueshmërinë e natyrës së veprimtarisë së tij. Gjithsesi, përsëris që pakëz vonesë edhe ka, porse u gjykua që ndonjë hap i shpejtuar, do të mund të krijonte ndonjë gjurmë sado të vogël për cenim dhe ndërhyrje në pushtetin gjyqësor. Tashmë jo, tashmë nuk ka asnjë dyshim që ngelet veçse të shpëtohet pushteti gjyqësor nga rrënimi moral që po i kanoset me fenomenin e mësipërm.
Ka një përplasje mes dy aktorësh politikë, Presidentit të Republikës dhe një anëtari të kabinetit qeveritar për “hartë çmimesh” në emërimet në gjyqësor. Sa normale, sa politike është një gjë e tillë, sepse ndër këto dy qëndrime të kundërta, me siguri mund të thuhet që një nga palët ka konsumuar vepër penale?
Është tërësisht normale që të ketë këndvështrime të ndryshme në demokraci. Është normale që të ketë pikëpamje deri edhe antietike. Eshtë normale që edhe përplasje të ketë. Është tërësisht anormale që të ketë fenomene të tilla si ai i pagimit të parave përkundrejt emërimeve apo promovimeve në sistemin gjyqësor dhe jo vetëm. Nëse një anëtar kabineti e ka thënë këtë besoj se ka pasur edhe faktet e nevojshme për këtë, ashtu si edhe një sërë dokumentesh të ekspertizës monitoruese europiane kanë treguar. Është nevojë imediate të mos heshtet për të tilla fenomene. Është sjellja e duhur politike që duhet instaluar si frymë. Heshtja në këto raste do ishte vrastare. Është e nevojshme të gjendet kurajoja civile për ta deklaruar së paku. Ju thoni se me siguri njëri nga dy qëndrimet ka konsumuar vepër penale? Ndaj të njëjtin qëndrim me ju, porse ju siguroj se anëtari i kabinetit është bazuar në vërtetësinë e raporteve të ndërkombëtarëve. Ata nuk gënjejnë së paku.
Jeni anëtar i komisionit hetimor për 21 Janarin. Kur ka qenë aktiviteti i fundit që ka kryer ky komision që me largimin e kryetarit të tij në postin e ministrit të drejtësisë?
Ka qenë rreth kohës kur Prokuroja e përgjithëshme e shqiptarëve, plot sharm dhe elegancë, u largua triumfaliste, por edhe me shkelje ligji ndërkohë, duke sfiduar Kuvendin e Shqipërisë në mbrojtje të “pavarësisë” së institucionit. Ka qenë koha kur Presidenti i Republikës, teksa ishte betuar për respektim të Kushtetutës, nuk iu bind asaj pjese të saj, që e urdhëronte të përulej ndaj Kuvendit. Ka qenë koha kur këta funksionarë, me veprime apo mosveprime, me heshtje apo telefonata të drejtëpërdrejta, së paku u bënë pjesë e një lëvizjeje anarkiste me qëllim përmbysje me dhunë të legjitimitetit të pushtetit. Nëse po më pyesni me qellim që të tregoni se ka shumë kohë që nuk mblidhet, mund t’ju them që po. Është e vërtetë që ka kaluar disi kohë, porse përpos kësaj, ky komision prioritet ka, tashmë si detyrim politik, por edhe moral dhe historik, të zbulojë dhe shqyrtojë fakte, për të nxjerrë të vërtetën mbi masën e përfshirjes apo të reagimit ligjor të këtyre institucioneve, ndaj ngjarjeve të dhunëshme të 21 janarit. Mund të ketë kaluar kohë vërtet, porse duhet të dini se një komision hetimor, lind si një moment politik, porse duhet të përfundojë absolutisht si një moment juridik. Mbase nuk e keni kuptuar, porse njërin qellim, ai komision e arriti. Pikërisht rivendosjen e ligjit ndaj dhunës në atë periudhë. Tashmë ka për të përmbushur qëllimin tjetër, atë të nxjerrjes së të vërtetës. Koha në këtë rast nuk dëmton asgjë. Zgjatja e kohës, nuk bën gjë tjetër veçse, ul emocionet politike dhe i lë vend arsyes juridike dhe ftohtësisë së objektivitetit të fakteve. Së fundmi, më duhet të them edhe se aktiviteti i komisionit nuk ka lidhje organike me emrin e kryetarit apo anëtarësisë së tij dhe veprimtaria e tij është e pavarur prej tyre.
Pse u riaktivizua pikërisht tani kur Prokuroria ka hedhur dy hapa vendimtarë në hetimin e 21 Janarit, arrestet në gjykatë për komandantin e gardës dhe kërkesa për heqjen e imunitetit të tre deputetëve të PS-së?
Nuk kuptoj se çfarë kuptoni ju me riaktivizim. Nuk di të jetë mbledhur. Nëse është mbledhur, atëherë dikush nuk më ka njoftuar ose unë kam bërë një mungesë pa arsye aty!! Duke lënë humorin mënjanë, e kuptoj qëllimin e pyetjes suaj. Po ju përgjigjem drejtpërdrejtë. Ky komision nuk është përdorur dhe nuk do përdoret për të “trembur” apo për të “frikësuar” dikë për diçka. As për të bërë presion. Sepse nuk e ka as mundësinë e as qëllimin. Ky komision nuk është “një dordolec i shëmtuar” arash që përdoret për të trembur “harabelkat delikate” të prokurorisë, presidencës, medias apo opozitës. Megjithëse ndoshta ka ardhur koha të riaktivizohet për të dokumentuar veprimtarinë dhe sjelljen e institucioneve që ka në fokus, tashmë nën dritën e pasnjëviti. Tek e fundit, sjellja institucionale duhet të analizohet edhe në dimensionin kohor. Në këtë mënyrë, analizohen më qetë, në mënyrë më të pjekur dhe më të plotë sjellja e institucioneve kushtetuese. Gjithsesi, e drejta e thirrjes së komisionit i takon kryetarit të tij.
Cila është sipas jush pesha negative që zë gjendja në sistemin e drejtësisë në integrimin e vendit në BE?
Eshtë ajo peshë dhe dimension që vetë BE i ka dhënë në opinionet e veta vjetore teksa analizon gjendjen e progresit të Shqipërisë në ecurinë e saj për marrjen e statusit të vendit kandidat. Eshtë ajo peshë e cila i korrespondon, asaj pjese të 12 rekomandimeve që BE ka vendosur si kushte për t’u plotësuar. Realisht më duhet të pranoj që është vetëm një e dymbëdhjeta e peshës që duhet të suportojmë në gjendjen aktuale të procesit të integrimit. Gjendja nuk është ndoshta fort e lumtur në disa segmente të sistemit, porse nuk është dramatike në tërësinë e tij.
Ka nisur të nxehet fort çështja e Presidentit të ardhshëm të Republikës, çfarë kuorumi mendoni se kërkon Kushtetuta në tre raundet e para të votimit. A shihni pengesë kushtetuese nëse zoti Berisha do të kërkojë ta marrë vetë atë post dhe a keni ju vetë një ide se kush mund të jetë kreu i nesërm i shtetit?
Kam ide të qarta dhe afër bindjes absolute në këtë pikë (deri në provë të së kundërtës). Kuorumi i nevojshëm në tre raundet e para të votimit, dhe jo vetëm në ato tre raunde, porse në çdo raund të mëpasshëm, e madje në çdo seancë plenare të Kuvendit është një dhe i palëvizshëm. Në sallë duhet të jenë të pranishëm së paku 71 deputetë që një seancë të quhet e çelur, pra raundi të quhet i vlefshëm në këtë pikëpamje.
Në lidhje me mundësinë e zotit Berisha për të kandiduar dhe, eventualisht për tu zgjedhur, ju sqaroj se zoti Berisha nuk ka asnjë pengesë për të kandiduar (nuk besoj të ketë vështirësi të mbledhë 20 nënshkrime deputetësh!!), asnjë pengesë për t’u zgjedhur (si kryeministër ka marrë më shumë se 71 vota, sa ç’duhen për president!!), dhe asnjë pengesë e tipit papajtueshmëri kushtetuese (2 mandatet e presidencës Berisha nuk do ishin konsekutive me një tjetër eventual!! Ka vetëm një pengesë për Berishën! Ai vetë! Kush do të jetë? Nuk shquhem për fuqi paranormale të parashikimit të së ardhmes. Në lidhje me emrin e presidentit të ardhshëm di t’ju them vetëm se vota determinuese për të do të jetë ajo e grupimit të mazhorancës. Siç edhe Kushtetuta thotë. Nuk me bren kërshëria për të ditur emrin paskëtaj.
Revista JAVA