(E PERDITESUAR)- Kreu i PS-së, Edi Rama, ka mbajtur dje një fjalim –leksion para të rinjve që kishin aplikuar për tu anëtarësuar në Akademinë Politike të ngritur nga kjo parti. I entuziazmuar për numrin e madh të të rinjve që kishin aplikuar, saktësisht 583 të rinj, Rama u tha atyre se kjo tregon se politika mund të ndryshohet pavarësisht modelit të keq që ka dhënë gjithë këto vite. “Fatkeqësisht politika nuk ka munguar asnjëherë në gjithë këto vite t’ju japë shembullin e keq, mësimin e gabuar, modelin më të mbrapshtë të të jetuarit në kushtet e botës që lindi nga përmbysja e diktaturës. Unë dua vetëm t’ju them sot se pa ndryshuar politikën asgjë tjetër s’do ndryshojë dot për ju të gjithë në mjedisin tonë përbashkët. Pa ndryshuar politikën, askush prej jush s’mund ta ndryshojë dot realitetin e vështirë dhe shpeshherë të padurueshëm të së përditshmes së vet në universitet, në punë, në lagje, në komunitet, në Shqipërinë ku jetojmë. Pa ndryshuar politikën, gjenerata juaj as mund të jetojë dot nesër në një atdhe më të mirë dhe as mund të gjejë vendin që meriton në bashkësinë e lirë të popujve europianë”, u tha ai të rinjve. Më tej i inkurajoi se politika e vërtetë nuk është ajo që shohin ata në Shqipëri çdo ditë, por është një përpjekje për të ndryshuar për më mirë jetën e gjithsekujt dhe të komunitetit.
“E unë dua t’ju shpreh sot bindjen time se politika nuk është kjo që shihni përditë dhe data – ditës, gjëja pa shije që ju zhgënjen e neverit pa pushim me shterpësinë e me batakçillëkun e saj. Përkundrazi, politika vetë është në të vërtetë diçka krejt tjetër. Politika në vetvete është fisnike dhe e aftë për të prodhuar transformime që s’do kishin ndodhur kurrë në historinë e njerëzimit pa fuqinë e saj”, theksoi Rama.
Ai inkurajoi që të mos e neverisin politikën, por të merren me politikë për të ndryshuar diçka qoftë dhe të vogël për vete dhe komunitetin që i rrethon. “Kam dëgjuar shpesh të rinj që thonë nuk merrem me politikë apo më keq, s’dua t’ia shoh bojën politikës. Gabim. Sepse politika ndërkohë merret përditë me ju e me secilin që kujton se i shpëton duke mos u marrë me të. E sa më pak ju të merreni me politikën, aq më shumë do t’i vuani në lëkurë mëkatet e gabimet e saj. Të merresh me politikë, s’do të thotë të braktisësh ëndrrat e tua apo gjërat që dëshiron të bësh në jetë. Jo, do të thotë vetëm që ëndrrave t’u japësh fuqinë mbështetëse të vendimmarrjes duke dhënë kontributin tënd si qytetar, që politika të bëhet e aftë të dëgjojë e të veprojë në funksion të interesave të kombit tënd, të shoqërisë tënde dhe të tuat si individ padyshim. Të merresh me politikë do të thotë të bësh të mundura, bashkë me të tjerët, gjëra që sot i vetëm askush s’i bën dot të mundura në mjedisin ku jeton. Të bësh të mundura ato ndryshime për të cilat ju keni nevojë në familje e në universitet, po askush i vetëm nuk i bën dot të mundura. Të bësh të mundura ato ndryshime për të cilat ju keni nevojë në komunitetin ku jetoni po askush i vetëm nuk i bën dot të mundura”, tha Rama.
Ishte ndoshta e para herë që Rama i thurte aq shumë fjalë të mira politikës, ndërkohë që ai dhe vetë e ka pranuar gjithmonë se nuk është politikan, por një qytetar i angazhuar politikisht.
Ndoshta duke iu referuar eksperiencës personale ai shtoi se “të merresh me politikë s’do të thotë medoemos të bëhesh politikan, po të bëhesh një qytetar i dobishëm për vendin e për familjen tënde. Sot dhe nesër. Kjo është të merresh me politikë. Sepse të merresh me politikë do të thotë të jesh më shumë se sa një njeri i mirë. Të jesh edhe një qytetar i mirë. Ju sot po merreni me politikë dhe kjo është një ditë e shënuar për secilin, sepse po guxoni të përziheni me të. Të kërkoni tek ajo diçka të ndritur, të dobishme, fisnike”.
Por më tej ai ka bërë të ditur se politika ka dhe konkurrencën dhe garën brenda saj, duke nisur që nga seleksionimi që Akademia e PS-së do tu bëjë aplikuesve. “Politika është edhe kjo. Eshtë garë. Eshtë konkurrencë e forte. Eshtë seleksionim i pamëshirshëm. Kush thyhet nuk çan dot përpara në rrugën për ta bërë politikën art të jetës së vet, mënyrë të jetuari me problemet që politika duhet të zgjidhë, mundësi karriere për të realizuar ambicie krejt legjitime. Ne jemi këtu edhe për ata ndër ju që s’do të hyjnë dot në Akademinë Politike, po tanimë kanë trokitur në derën e shtëpisë sonë të madhe të socialistëve e progresistëve të angazhuar shqiptarë. Dera jonë tanimë është e hapur edhe për ju. Shkolla e politikës është në fund të fundit vetë jeta politike. Unë ju ftoj të bëheni pjesë e saj dhe atë që nuk do ta merrni dot në Akademinë tonë këtë vit, ta merrni në një rrugëtim që ju ftoj ta bëni bashkë me ne”, u tha Rama atyre duke premtuar se “Partia Socialiste ka një vend për secilin prej jush”.
Ai tha se do të ketë ndryshim në politikën shqiptare duke parashikuar ardhjen e PS-së në pushtet. “Kështu ndryshimi do të vijë me të gjithë fuqinë e vet. Edhe koha e ndërrimit të stafetave do të vijë padyshim. Bëjeni të mundur që ajo t’ju gjejë në vendin e duhur për të realizuar ambiciet tuaja politike”, përfundoi kreu i PS-së para të rinjve.
