Kryeministri Sali Berisha sot tha se do ketë ndryshime të rrepta në Kodin Penal për të mos lejuar rrjedhjen e informacionit. Berisha foli për gazeta rozë, por më shumë e kishte merakun me daljen në shtyp të fakteve tronditëse për 21 janarin. Dosja e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme është një rrjedhje që duket se ka acaruar ndjeshëm kryeministrin Berisha. Në dosje thuhet se kreu i Policisë së Tiranës i ka kërkuar Gardës të ndalojë zjarrin pasi protestuesit po shpërndaheshin. Por Garda nuk ndaloi, duke sjellë vrasjen e katër protestuesve.
Në dosje thuhet se drejtuesi i operacionit për këtë ngjarje ishte Sajmir Muçaj, drejtor i Policisë së Tiranës. Ai është vënë në dijeni se turma po tërhiqej drejt Partisë Socialiste më 21 janar. Në këto kushte, në një komunikim në radio në orën 16:40, ai i kërkon Gardës së Republikës që të mos qëllojë. Por njoftimi nuk u mor parasysh dhe disa minuta më vonë u vranë katër protestues. Policia kishte marrë urdhër të prerë për mospërdorimin e armës në asnjë rrethanë.