Gazeta Shqip kishte botuar sot një artikull për rrezikun deflacionist që i kanoset Shqipërisë. Në qendër të këtij shkrimi ishte ecuria në rënie e treguesit të inflacionit gjatë vitit të fundit (ne e kemi trajtuar këtë temë në shënimin http://www.respublica.al/artikuj/2012/2/6/inflacioni-ne-renie-po-cmimi-i-ujit ) Le ta anilizojmë pak më thellë atë.
Banka e Shqipërisë ka si objektiv zyrtar që ta mbajë inflacionin në kufijtë 2%-4%. Përse inflacioni nuk duhet të kalojë mbi 4% është e qartë për këdo – inflacioni (shqip: rritja e çmimeve) bën që me të njëjtën sasi parash të blesh më pak mallra se ke blerë një vit më parë. Po zbritja e inflacionit nën 2% (siç qe rasti për muajin janar, kur inflacioni ishte në nivelin 1.6%) ç’të keqe ka? Është shenjë e rrezikut të spirales së deflacionit (shqip: rënies së çmimeve). Në fakt, në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë i bihet kambanës së alarmit për deflacion. Aty thuhet se një afrim i nivelit të inflacionit afër zeros, mund t’i korespondojë një situate deflacioniste.
Dhe të dhënat e INSTAT-it për volumin e shitjeve me pakicë e përforcojnë këtë mesazh. “Indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë në tremujorin e dytë 2011 arriti 164.5 përqind, kundrejt vitit bazë (2005=100). Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është ulur 6.9 përqind”, raporton INSTAT-i. Një rënie prej pothuaj 7% e konsumit tregon një rënie të theksuar të fuqisë blerëse të konsumatorëve. Ndërkohë, kur konsumatorëve u bie fuqia blerëse, bizneset ulin çmimet për t’i joshur ata dhe, eventualisht, pakësojnë ofertën e mallrave dhe shërbimeve.
Ky skenar vërtetohet edhe nga shifrat e Drejtorisë së Doganave, e cila ka raportuar se ka patur një rënie të vazhdueshme të importit të mallrave të konsumit. Importi i mallrave të gatshëm për konsum final u ul në dhjetë muajt e parë të 2011-ës me mbi 11 për qind (http://www.respublica.al/artikuj/2012/2/4/nje-lajm-tjeter-i-keq-per-ekonomine-shqiptaret-po-konsumojne-me-pak)
Spiralja deflacioniste është gjëja që ekonomistët i tremben më shumë. Kur bizneset nuk janë në gjendje të shesin produktet e tyre, ngaqë ka rënë fuqia blerëse e konsumatorëve, fillon tkurrja e Produktit të Brendshëm Bruto. Dhe kjo, nga ana e saj, shoqërohet me ulje të mëtejshme të fuqisë blerëse të konsumatorëve. Në këto raste, ose bëhet një ndërhyrje fiskale (qeveria merr borxh dhe shton investimet e shpenzimet publike), ose Banka Qendrore shton paranë në qarkullim (duke ulur normën e interesit). Qeveria shqiptare e ka arritur tavanin e përcaktuar me ligj të borxhit (60% e PBB-së), ndërsa Banka e Shqipërisë e ka zbritur normën e interesit vetëm deri në 4.5%. Një ulje e mëtejshme e saj mund të rrisë sadopak paranë në qarkullim – pra, të ndihmojë fuqinë blerëse, e cila ka qenë në rrokullisje teposhtë gjatë vitit të fundit.
Â
*respublica.al
