200195 lajme

Dokumentet sekrete me raportime nga fushëbeteja që mbulojnë periudhën nga viti 2004 deri në vitin 2009, të cilat u publikuan nga gazetat kryesore në Shtetet e Bashkuara, Britani dhe Gjermani, ofrojnë nga një herë një panoramë të zymtë të sfidave që përballen forcat amerikane dhe të NATO-s.
Ndër çështjet kryesore përfshihet edhe përdorimi i raketave që ndjekin nxehtësinë nga forcat talebane, problemet me avionët e telekomanduar amerikanë, sugjerime për vazhdimin e bashkëpunimit të zyrtarëve pakistanez të nivelit të lartë me talebanët dhe incidente të panjoftuara për vrasjet e civilëve afganë.
Zëdhënësi i Shtepisë së Bardhë Robert Gibbs nuk pranoi të përshkruante reagimin e presidentit Obama kur mësoi për daljen e dokumenteve sekrete. Ai tha se zbardhja e tyre mund të jetë e dëmshme dhe se hetimet kanë vazhduar.
Kur flitet mundësisht për emrat dhe për operacionet dhe programet që janë publikuar në internet, përveç se është thyer ligji, ato mund të krijojnë probleme për ata që janë në ushtrinë tonë, ata që po bashkëpunojnë me ushtrinë tonë dhe ata të cilët po punojnë për të na mbajtur ne të sigurtë.
Zoti Gibbs tha se Shtëpia e Bardhë u informua javën e kaluar për zbulimin e dokumenteve dhe kishte lajmëruar komisionet përgjegjëse në Kongresin amerikan. Por ai minimizoi sugjerimet se Shtëpia e Bardhë ishte përpjekur të përmbante ndonjë dëm të mundëshëm politik. Zoti Gibbs tha se zyrtarët i kishin përcjellur një mesazh shefit të WikiLeaks përmes punonjësve të gazetës The New York Times, duke i thënë se këto informata mund të dëmtonin personelin apo kërcënonin operacionet apo reduktonin masat e sigurisë.
Ndërkohë, në një takim tjetër të përqendruar në çështjet legjislative, presidenti Obama nuk pranoi të përgjigjej ndaj pyetjeve të bëra nga gazetarët rreth dokumenteve mbi Afganistanin.
Të njëjtin qëndrim mbajtën edhe Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit lidhur me pyetjet mbi dokumentet sekrete rreth Afganistanit.
Zëdhënësi i Departamenti të Shtetit P.J. Crowley kishte këtë reagim ndaj gazetarëve që pyetën rreth tablosë që paraqisnin dokumentet mbi angazhimin e Pakistanit ndaj luftës kundër ekstremizmit.
Pakistani ka ndërmarrë hapa domethënës. Ofensiva në Luginën Swat dhe Vaziristanin jugor janë tregues të fuqishëm se Pakistani e ka kuptuar se grupet kryengritëse, që faktikisht ndodhen brenda kufinjëve të atij vendi, përbëjnë një kërcënim jo vetëm për Afganistanin dhe Shtetet e Bashkuara por kryesisht për vet Pakistanin. Ndaj ne besojmë se Pakistani ka ndërmarrë një lëvizje strategjike themelore.
Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Forcat e Armatosura, demokrati nga Missouri Ike Skelton, tha se nderkohë që kjo çështje është problematike, dokumentet sekrete të publikuara datojnë para stategjisë së re të presidentit Obama për Afganistanin. Ato nuk duhet të përdoren, thotë zoti Skeleton, si masë suksesi apo faktor përcaktues në misionin amerikan atje.
Kryetari i Komisionit të Senatit për Mardhëniet me Jashtë, demokrati nga Massachusetts John Kerry, theksoi natyrën e paligjshme të publikimit të dokumenteve, por ai shtoi se ato ngrejnë pyetje serioze rreth realitetit të politikave amerikane ndaj Pakistanit dhe Afganistanit.
Duke thënë se politikat e presidentit Obama në rajon janë në një fazë kritike, zoti Kerry tha se dokumentet mund ta bëjnë më urgjente nevojën për të bërë ndryshime dhe përmirësuar politikat për atë rajon.

Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm përpjekjet e Rusisë për t’u bërë anëtare e Organizatës Botërore të Tregtisë.
Organizata Botërore e Tregtisë është agjencia ndërkombëtare që mbikqyr rregullat e tregtisë ndërkombëtare. Ajo u themelua në vitin 1995, duke zëvëndësuar organizatën e njohur si Marrëveshja e Përgjithshme për Tarifat dhe Tregëtinë.
David Christy është ekspert i tregtisë me firmën ligjore "DLA Piper" këtu në Washington:
"Organizata Botërore e Tregtisë përbën një seri marrëveshjesh, që administrojnë gati të gjitha aspektet e tregëtisë ndërkombëtare në artikuj dhe shërbime, duke përfshirë edhe pasurinë intelektuale dhe zbatimin e të drejtave të kësaj pasurie. Gjithashtu kjo është një organizatë me seli në Gjenevë, që zbaton ose ndihmon në zbatimin si dhe mbikqyr funksionimin e këtyre marrëveshjeve. Ajo përfshin tani 153 vende të ndryshme. Ekonomitë më të mëdha që nuk janë pjesë e Organizatës Botërore të Tregëtisë janë Rusia dhe Irani."
Anders Aslund, ekspert i tregtisë dhe çështjeve ruse në Institutin Peterson për ekonominë ndërkombëtare me seli këtu në Uashington, thotë se kriteret për t’u anëtarësuar në organizatë janë të shumta:
"Organizata Botërore e Tregtisë është një klub dhe së pari një vend anëtar duhet të pranojë të gjitha rregullat. Më pas duhet të zgjidhen disa çështje protokolli dhe kjo kërkon shumë negociata. Vendet anëtare shikojnë ligjet e vendit të mundshëm anëtar nëse ato janë në përputhje me rregullat e organizatës dhe disa prej këtyre ligjeve duhen ndryshuar. Rusia për shembull ka ndryshuar të paktën 100 ligje ose ka miratuar kode të reja doganash në përpjekje për t’u pranuar anëtare e organizatës."
Rusia filloi zyrtarisht përpjekjet për anëtarsim në OBT në vitin 1993. Zoti Aslund thotë se historia e negociatave të Rusisë është shoqëruar me zigzage:
"Deri në vitin 2000, Rusia nuk e mori me shumë seriozitet aplikimin e antarësimit dhe nuk bëri përpjekje të mjaftueshme. Mund të thuhet se Rusia u përpoq më shumë në periudhën 2000-2003. Madje gjatë mandatin e tij të dytë, Presidenti Vladimir Putin deri diku humbi interesimin për anëtarësim në OBT dhe nuk bëri shumë përpjekje në këtë drejtim."
Ekspertët thonë se Presidenti rus Dmitri Medvedev ka bërë shumë përpjekje për të siguruar antarësimin në organizatën botërore, madje e ka afruar vendin e tij drejt këtij objektivi.
Robert Legvold i Universitetit Columbia në New York thotë se zoti Medvedev nuk mori shumë ndihmë nga kryeministri Vladimir Putin:
"Gjërat u ndërlikuan verën e vitit të kaluar pikërisht në kohën kur mendonim se ishin afër antarësimit të Rusisë në OBT; shumica e njerzve të presidentit Medvedev po flisnin se anëtarësimi ishte diçka gati në përfundim. Dhe pa pritur, në fillim të qershorit 2009, kryeministri Putin tha, 'Ne do të bëhemi anëtar vetëm si një union mes Rusisë, Bjellorusisë dhe Kazakistanit'. Kjo deklaratë bëri që anëtarësimi të shtyhej për 8-9 muaj deri në janar-shkurt të këtij viti, kur pengesat duket se janë kapërcyer."
Shumë ekspertë thonë se Rusia nuk ka qenë kurrë më afër anëtarësimit në Organizatën Botërore të Tregtisë, megjithëse i mbeten disa çështje për t’u zgjidhur.
Gjatë takimit të nivelit të lartë muajin e kaluar në Uashington, Presidenti Barak Obama i tha Presidentit Medvedev se Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e Rusisë për anëtarësim në OBT:
"Ia theksova Presidentit Medvedev, ia theksova të gjithë delegacionit të tij dhe tani dua t’ia theksoj popullit rus se ne mendojmë se nuk është vetëm në interesin e Federatës Ruse, për është edhe në interesin e Shteteve të Bashkuara dhe të gjithë botës që Rusia të jetë enëtare e OBT-së. Pra kjo është diçka që duam ta përfundojmë."
Presidenti Medvedev tha se ekzistojnë vetëm disa probleme teknike, që duhen zgjidhur, madje ai shfaqi shpresën se ato do të zgjidhen deri në fund të shtatorit. Por disa ekspertë thonë se fundi i shtatorit mund të jetë një afat tepër optimist.
Një ngjarje mediatike (a ka vallë ngjarje të ndonjë lloji tjetër sot?) muajin e fundit më bëri të rindihem krejt e pafuqishme në raport me atë që ndodh përreth e të rikonsideroj ditazi aftësitë e mia dhe të kujtdo për të qenë veprues. Nuk është vetëm mungesa e fuqisë për të ndryshuar botën (ndryshim në të cilin kam nisur të mos besoj më tani që rinia ime po përkulet. Tani thjesht po përpiqem të bind veten se bota s'më ndryshon dot mua, por më duket se edhe këtu po dështoj). Është sidomos pamundësia për ta njohur apo kuptuar botën mbi bazën e informacionit të mundshëm përreth. Dhe, pa dyshim, hallka e parë për të ndryshuar diçka që nuk shkon, është njohja e mirë e asaj që nuk shkon. Unë edhe me kaq do guxoja të kënaqesha. Në këtë proces kërkimi, komunikimi dhe ekspozimi të rastësishëm apo sistematik, individi dhe shoqëria në përgjithësi janë në mëshirë të mediave. Por, a e rrisin mediat fuqinë njohëse dhe vepruese të individit apo thjesht i japin atij iluzionin e njohjes, duke e lënë në fakt të paditur dhe pasiv? Pra, a informohemi nga mediat në të njëjtën mënyrë siç pretendojnë televizionet e Amerikës Latine, se po emancipojnë shoqërinë dhe sidomos shtresat e varfra latino-amerikane, nëpërmjet dendurisë e shumëllojshmërisë së telenovelave që prodhojnë e shfaqin për to?
Apo informohemi prej tyre që të mund të formësojmë jetën tonë e të shoqërisë ku jetojmë? Ngjarja për të cilën po flas është zbulimi i "rrjetit të spiunëve rusë në ShBA". Rrjet spiunësh rusë në ShBA-të e sotme në formë duzine, me plane afatgjata, të rinj, familjarë e banorë lagjesh të mira amerikane (si ato të "Shtëpiakeve të dëshpëruara"?), të pashëm, të edukuar e të suksesshëm në terrenin ku vepronin - një ëndërr që edhe mbrojtësit amerikanë më të fortë të vazhdimit të Luftës së Ftohtë nuk do ta ëndërronin në një gjumë jopatologjik. Por, kur sapo nis të orientohesh disi në lëmshin mediatik e t'i japësh dum çudisë së Obamës me keqzgjedhjen e këtij momenti nga ana e FBI-së, apo të pranosh se mund të ishin spiunë edhe pa kryer ende asnjë veprim kriminal veç identitetit të falsifikuar, apo të bindësh veten se nuk është e thënë të jetë e gjitha një histori e stisur për kushedi çfarë qëllimesh që as nuk i imagjinojmë dot... pra, kur ti si qytetar i përgjegjshëm që ndjek me zell gjithçka që ndodh në vend e në botë me idenë se veç kështu mund të luash një rol në rrokopujën historike të familjes e shoqërisë, ua justifikon narrativat, madje edhe ua di për nder gazetarëve dhe opinionistëve që po të drejtojnë në këtë lëmsh, gazetarëve nis t'u rrahë në deje instinkti i të shiturit të ngjarjes dhe jo ai i informimit serioz të publikut. Dhe ti i trullosur e gjen veten para njëmijë fotosh hequr nga facebook dhe burime të tjera "intime" më shumë sesa "publike", e më pas botuar në mediat më prestigjioze, të Anna Chapman-it që bëhet pa të drejtë përfaqësuesja simbolike në media e gjithë grupit të rusëve, vajza me pamje lozonjare që mediat po ta servirin si "femme fatale", flokëkuqja ruse me bukuri vrastare, Mata Hari i këtij mijëvjeçari. Kështu një histori që në fillim t'u servir si serioze dhe e vërtetë, dhe pas lëkundjesh e dyshimesh ti e pranove, vjen e reduktohet së fundmi në një tip retorike vulgare e sipërfaqësore të një telenovele. (Aq e vërtetë është kjo, sa pak ditë pasi shkrova këtë copë, lexova se Chapman-it iu kërkua të luante një film porno drejt një shume të jashtëzakonshme... çfarë ta quash këtë? Pornofikimi i politikës? Apo metamorfozat moderne të Luftës së Ftohtë?) Teksa ti përpiqesh të marrësh veten nga turbullira e radhës, merr një goditje tjetër e të thonë se gjithçka procedon siç qe planifikuar dhe se të nesërmen "spiunët" rusë që pranuan pa një pa dy fajësinë në gjyq, do të shkëmbehen me katër ose më shumë "spiunë" amerikanë arrestuar ose burgosur në Rusi. Zërat qeveritarë janë ose krejt të heshtur ose mbajnë një profil minimal. Mediat sillen sikur gjithçka është krejt normale, madje dyshimet që ato ngrenë të duken krejt pa vend, e në fakt synojnë t'ia shtojnë normalitetin ndodhive. Ti nuk di më çfarë të besosh, ku të informohesh, realitetit nuk i jep dot as kuptim dhe as e lidh dot me veten, e të duket se jeton në një planet të robëruar nga jashtëtokësorët. E ke bindur veten prej kohësh të mos besosh në shpjegime konspirasish grupesh politike dhe ekonomike që udhëheqin gjithçka prapa skenash në nivele që ti as i imagjinon dot, dhe që të mos biesh pre shpjegimesh alla Gore Vidal sipas të cilave gjithçka, sado e tmerrshme, është e paramenduar dhe e paracaktuar nga njerëz të fuqishëm (të ShBA-ve sidomos), dhe që gjithë politikanët janë specie kriminale ekstreme.
Njëlloj ndihesh i pafuqishëm, madje nis të mendosh keq për veten, kur dëgjon nga mediat që përcjellin shpesh fare pa koment se planet e kompanisë energjetike BP na paskërkan ndryshuar rishtas dhe vendosja e kapakut apo valvolave do shtyhet edhe për ca ditë, kurse ti ashtu si edhe gazetarët nuk ke ç'bën veçse të presësh se si do të ta thonë nesër se nuk funksionoi siç qe planifikuar, ndërsa nafta (saktësisht 84 milionë gallonë, sot që shkruaj) derdhet e lirë në Gjirin e Meksikës. E njëjta histori përsëritet për 85 ditë pa pushim. A nuk duket paraqitja mediatike e kësaj historie e ngjashme me -- vetëm nga përmasat, jo -- atë të shembjes së tunelit në Kalimash apo të përmbytjeve në Veri? Po ashtu, ndihesh i pafuqishëm dhe kabon veten të kalosh pështjellimin e ditës qoftë edhe me një gotë verë më shumë, kur gazetarët thjesht justifikojnë ose veçse përmendin sjelljet absurde dhe mesjetare të FIFA-s që insiston të mos fusë në përdorim teknologjinë në gjykimin e ndeshjeve. Dhe si mediat, ashtu edhe ne mileti i gjerë, i shkojmë pas fillit, madje disa herë edhe i justifikojmë apo u bëjmë reklamë sjelljeve "evropianka e aristokratike" të FIFA-s, që nuk jepet para kohëve moderne, sepse do ta mbajë futbollin sa më "njerëzor", sido që kështu eliminon ose ua jep ndeshjen skuadrave për shkak të gabimeve qesharake,... apo nuk ishin thjesht gabime? Sensi i snobizmit është më i fuqishëm sesa ai i drejtësisë! Një mënyrë e re kjo që, së bashku, të përforcojmë pafuqinë tonë.
Mediat shqiptare edhe sikur të duan, nuk mund të sfidojnë këtë mënyrë kokëfortë dhe komode operimi të mediave botërore në tërësi: atje ku çalojnë ata që dinë e kanë më shumë, le të çalojmë edhe ne. Edhe sikur ky mendim të ishte i pacen logjikisht, prapë se prapë mungesa e theksuar e të drejtave dhe lirive për publikun shqiptar (s'jam e bindur nëse kushtet për ekzistencën e entitetit "publik" plotësohen në Shqipëri) dhe sidomos për individin tek ne, e bën domosdoshmërinë për një natyrë vërtet kritike të mediave tona, një domosdoshmëri. Kur T. Jefferson, një ndër presidentët amerikanë më aktivë në raportet e tij kritike me shtypin e kohës, thoshte se "Midis qeverisë pa gazeta dhe gazetave pa qeveri, do zgjidhja këtë variantin e fundit", ai e kish fjalën për një qeveri që sipas tij "përfaqësonte opinionin e njerëzve".
Po kur, si në rastin e Shqipërisë, qeveria përfaqëson dhe mbron interesat e veta kundër popullit, dhe kur qenia e saj në krye është e pacenuar dhe e pacenueshme, sa më e fuqishme do ishte nevoja për mediat e lira dhe aktive? Nevoja e shqiptarëve për mediat është e pamatë, si nevojat e tyre për siguri, për liri e për ndryshim. Nëse në vende me traditë demokratike, një qeveri e keqe kufizohet në veprim nga institucionet e tjera dhe rregullsitë e ndryshme që tradicionalisht i dalin në krah individit, shqiptarët s'ka asgjë që t'i mbrojë. I mirë apo i keq, aleati i vetëm për shqiptarët e braktisur mbeten mediat. Por a janë mediat tona në gjendje të kryejnë funksionin e tyre investigues, informues, kritikues dhe emancipues në shoqëri?
****
Nëse ndjek mediat tona, pa mëdyshje has përpjekjet e gazetarëve për të sjellë në qendër të vëmendjes ngjarje apo tema me interes, sidomos përpjekje individuale. Por përpjekjet janë jositematike, të lodhura, të paorganizuara e të dobëta. Ka disa probleme themelore (dhe specifike) që dobësojnë forcën e tyre: gazetarët tanë janë një grup shumë i përçarë, ku pasiguria financiare (dhe jo vetëm financiare) dhe lufta për ekzistencë, nuk lejojnë krijimin e një grupi me ndërgjegje e ndjesi të përbashkëta profesionale, pavarësisht nga prirjet e djathta apo të majta të pjesëtarëve. Ndaj edhe kur gjejmë gazetarë hulumtues, të mprehtë e të rreptë, ata i takojnë ose njërit kamp lokal politik ose tjetrit (lexo: qeverisë ose opozitës). Dhe, edhe kur i
ndërrojnë kampet, siç ka ndodhur disa herë me disa zëra të fuqishëm në mediat tona, kalimi nuk bëhet për çështjen në vetvete, por për shkak prishjesh masive personale me njërin kryetar grupi politik ose tjetrin. Pra, është kryesisht rënie jashtë dashurie. Kështu kritika humbet fuqinë dhe stimulimin e besimit të njerëzve në të, duke qenë se nuk mbron një parim mbi-partiak popullor, por mbron atë që populli e kalon si mbrojtje të thekur dhe të pritshme të shërbyesit të një klani apo personi të caktuar. Duhet që shtypi të militojë për njerëzit dhe jo më për parinë, sado pa bukë të të lërë kjo rrugë për momentin. Pra duhen krijuar "gazetarët e njerëzve" dhe jo ata të politikanëve apo biznesmenëve. Veccse ka edhe problem të tjera që pengojnë krijimin e "gazetarëve të njerëzve e për njerëzit". Kultura institucionale e ambientit shqiptar mbetet përgjithësisht ajo e para-socializmit dhe e socializmit, ku gazetari apo shkruesi ekziston si shërbyes i bindur i atij që ka fuqinë politike. Kjo sjellje pritet prej tij dhe edhe nxitet e ushqehet materialisht e moralisht. Së fundmi, kultura popullore e diskutimit të lirë e të mprehtë publik nuk ka as kërkesat dhe as pritshmëritë që duhet ndaj mediave.
Kohët e fundit, mendoj se mediat tona dështuan në disa drejtime, në dukje jo fort të vështira për të siguruar sukses: problemet që bartte me vete rruga Durrës-Kukës u trajtuan shpesh profesionalisht, por pa siguruar një front mbipartiak për shtjellimine tyre; sidomos dobët dhe me militantizëm e ndarje absolute partiake u trajtua humbja e shumave gjigante në lidhje me të; Njëanshmëria e analizave dhe zelli i tepërt për të ndjekur palët politike, ngjyrosi të gjithë çështjen me vlerat pro- ose anti-patriotike, që nuk duhej kurrsesi të dilte si tipari themelor i këtij diskutimi. Mediat ranë në grackën e politikës, dhe ndoshta nuk u ndjenë fort keq aty. Po ashtu, diskutimi i hapjes ose jo të kutive, si dhe i liberalizimit të vizave, vazhdojnë të mbeten
çështje ku gazetarët janë ndarë absolutisht përgjatë linjave politike. Besoj këto janë çështje sa komplekse aq edhe ndrituese për publikun tonë, sepse prekin disa probleme teorike të demokracisë dhe funksionimit të një shoqërie mes detyrimeve dhe të drejtave në raport me veten dhe shoqëritë e tjera, që nuk para kanë rast të diskutohen fort ndër ne. Të braktisësh kampin e Ramës dhe të Berishës, veç e veç ose së bashku, edhe kur ata i ke rrogadhënës të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, nuk është të jesh gazetar bukëshkalë, por i lirë dhe i përgjegjshëm. Mediat si agjent progresiv dhe udhërrëfyes e emancipues, duken në mënyrën se si organizohen dhe shprehen në çështjet e mëdha ndarëse të politikës sonë, jo në ato ku të gjithë kërcejnë mbi qerren e ahengçinjve. Në çështje si ajo e legjitimitetit të Pavarësisë së Kosovës pohuar së fundmi nga GjND, bashkon lehtësisht, gati automatikisht mediat dhe politikën në krah të demokracisë. Pohimi që patjetë do e duhet të ketë njohje të reja të shtetit më të ri të pavarur në Ballkan, të pozicionuarit si skeptikë ndaj reagimeve pozitive të Beogradit, apo deklarimet avangardiste se tashmë Serbia dhe kosova duhet të bëjnë hapa konstruktivë bashkëpunimi, as nuk sfidojnë gjësend, as nuk ndryshojnë dhe as nuk ndritojnë ndonjë të paditur. Personalisht dështimin më të madh të mediave tona në debatin publik të kohëve të fundit, pafuqinë e saj që të formësojë këtë debat, e shoh në pasqyrimin e Gërdecit. Fakti që ministri i mbrojtjes (dhe i shkatërrimit të Gërdecit) në 2008-ën, Mediu, vazhdon ende sot të kryesojë një ministri tjetër jo pak të lidhur me dëmin që shkaktoi dikur, nuk mund të jetë vetëm pasojë e fuqisë absolutiste të Berishës mbi politikën e mbi publikun, por është edhe shprehje e pafuqisë dhe nënshtrimit të mediave tona. Vetëm trajtimi ligjor dhe publik deri në fund i Mediut, si dhe eliminimi i vlerave të tij financiare fituar mbi gjakun e atyre që vdiqën dhe u plagosën në Gërdec, mund e duhet të kishin qetësuar mediat tona. Fakti që ai krim kish shumë fajtorë dhe se historia e tij ishte ndëshkuese për gjithë shoqërinë tonë, nuk heq aspak fajin formal themelor të Mediut. Dhe atje ku ka rregull e ligj, ai përgjigjet. Kur nuk ka rregull e ligj, shpresohet të ketë media aq vibrante sa të lëvizin njerëzit që të detyrojnë qeverinë të shohë përgjegjësitë e veta, për hir të epifanive morale apo frikës nga humbja e votave. Por jo: shmangia e përkohshme dhe manipuluese e Mediut nga skena publike, mjaftoi. Mediat fjetën, ose menduan se e bënë detyrën ngaqë e quajtën Gërdecin "Hiroshima shqiptare"...po ashtu fjetëm edhe ne, publiku.
5 Përse Pango, ministri i përfolur i rinisë që rininë e abuzonte seksualisht, u hoq (me turp) nga detyra (sido që ligji e bëri pasanik më pas), ndërsa Mediu, ministri i mbrojtjes që abuzoi deri në vdekje ata që duhet të mbronte, veçsa shmanget për pak kohë, e më pas rivihet në funksione po aq të rëndësishme? Apo 'in flagrante delicto' presupozon që Mediu vetë duhet të kapej duke i vrarë një nga një gjithë të vdekurit e Gërdecit, që të demaskohej publikisht? Ose ndoshta 'in flagrante delicto' për abuzim seksual në detyrë, i prek shqiptarët dhe mediat tona, ndërsa deliktet e tjera, sado abuzuese apo jetëmarrëse, nuk i prekin? Pa dyshim, në rastin tonë nuk janë veç mediat për t'u analizuar, sepse vendi ynë për fat të keq është nga të rrallët ku pozita fuqizohet edhe nga mungesa e opozicionit të opozitës. Por kur nuk ke më shpresë tek institucionet në asnjërën nga të tre degët e pushtetit, mediat mbeten ëndrra dhe shpresa e fundit. Ç'mbetet tjetër? Reagimi yt si individ? Problemi këtu është se individi shpesh kanalizohet e grupohet atje ku s'duhet, e pastaj manipulohet duke u bërë pjesë e politikave dominante të një pale apo tjetrës. Por njerëzit gjejnë pa pushim forma veprimi dhe zë original. Para pak ditësh lexova mbi targën e makinës së një djaloshi amerikan sloganin kritik që ai personalisht publikonte: "Vrasja e një njeriu të vetëm është krim; por vrasja e mijërave, është politikë e jashtme". Ka gjithnjë rrugë e mënyra veprimi të individit, por për lëvizje masive dhe sidomos për ndryshim (aq të nevojshëm për ne shqiptarët!) mediat e lira duhet të jenë fort kritike e të paepura, për të formuar dikur një shoqëri demokratike. Por siç janë gjërat tani, duket se si mediat, edhe unë, edhe ti jemi veç një tufë me humbamenë fatkeqë e të pafuqishëm para fatit vendosur mbi ne, një farë 'schlimazel' par excellence, sipas çifutëve të Amerikës. Por unë si individ them se mund ta gjykoj heshturazi dhe pa ashpërsi veten time kur dështoj të parakuptoj apo t'i rezistoj së keqes, por a mundem të justifikoj mediat për këtë? A nuk janë vetë ato që shkaktuan pafuqinë time duke mos bërë punë skrupuloze, duke mos më sjellë atë që është e rëndësishme e ashtu si duhet? A janë në fakt ato po aq të pafuqishme sa unë? Apo jam prapë unë fajtore që s'e ngre zërin sa duhet për të përgjegjësuar mediat në shërbimin tim, e që kështu rikonfirmohen në shërbim të një klase politike apo klani ekonomik, dhe humbasin funksionin e tyre bazë duke më lënë edhe mua pa levat me të cilat ndërtoj kuptimin e botës? Pra paskemi kështu një faj kompleks me agjentë zinxhir mes nesh si individë dhe mes institucioneve, ndër të cilat Madiat priten të jenë themelore për ndritim e interpretim bote e kohe. Leëis Carol thoshte në Lizën e e vet të famshme: "Çdo ditë para se të ha mëngjes, mendoj tri mendime te pamundura...". Edhe unë ashtu bëj. Një prej tyre, insistues, është të di vërtet ç'ndodh rreth meje, në NY, në Tiranë, në Betlehem apo në El Paz, dhe më pas të mendoj e zgjedh mbi bazën e dijes sime. Pa media të lira, këtë fuqi elementare nuk do ta kem kurrë, dhe mendimi im mëngjesor do mbetet ende për shumë kohë një mendim i pamundur.
TIRANË- Liri Berisha, gruaja e kryeministrit shqiptar, prej kohësh ka nisur një sfidë personale për të ndihmuar fëmijët në nevojë dhe për këtë gjë ka marrë jo pak ndihmë nga bota e medias dhe ajo e biznesit. Fondacionit "Fëmijët shqiptarë", në ndihmë të fëmijëve autikë, nuk i mungojnë as paratë e as propaganda mediatike. Falë edhe statusit social, bashkëshortja e kryeministrit Sali Berisha, ka arritur që të sigurojë donacione nga 84 biznese që veprojnë në Shqipëri. Tashmë ajo është e fokusuar tërësisht në këtë fondacion pasi ka dalë në pension dhe nuk ka asnjë angazhim tjetër.
Sponsorizimet
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga vetë fondacioni, gjatë vitit të kaluar ai është sponsorizuar nga 84 biznese, individë edhe përfaqësues të trupit diplomatik. Në listën e gjatë të sponsorizuesve ndodhen nga njerëz të thjeshtë e deri tek banka të fuqishme apo kompani të mëdha ndërtimi. Të gjithë kanë dhënë para për vepra humanitare.
Në fakt, të dhurosh para për aktivitete bamirësie është më shumë se një akt altruist. Dhe duket se zonja Berisha ia ka dalë më së miri në drejtimin e fondacionit të saj. Kjo për faktin e thjeshtë, se jo më shumë kohë përpara, të ardhurat e këtij fondacioni kanë qënë me pikatore. Madje ky fondacion është themeluar nga një kontribut modest nga zoti Domenick Scaglione.
Por edhe pse ky fondacion ka pasur mbështetjen e personaliteteve të ndryshme shqiptare, fondet e dhuruara për të kanë qenë gjithmonë me pikatore. Fondacioni "Fëmijët Shqiptarë" kishte pasur edhe ndihmën e ish-zonjës së parë, Lidra Meidani, por asnjëherë nuk ka qenë kaq i sponsorizuar dhe me një veprimtari kaq të suksesshme sa nën drejtimin e Liri Berishës. Bashkëshortja e kryeministrit është emëruar në krye të këtij fondacioni në vitin 2006, kur Sali Berisha nuk kishte as edhe një vit që ndodhej në krye të qeverisë shqiptare. Dhe tashmë duket se falë punës së saj, fondacioni jo vetëm që shënon një rekord sponsorësh por dhe ka mundur të zgjerojë aktivitetin e tij humanitar, siç ishte dhe hapja e qëndrave për fëmijët autistë.
Fondacioni
Krijimi i fondacionit "Fëmijët Shqiptarë" përkon me qeverisjen e parë të Partisë Demokratike. Në kohën kur kryeministri i sotëm, Sali Berisha, ishte President i vendit, në vitin 1996, z. Domenick Scaglione me paratë e tij krijon këtë fondacion, misioni i të cilit ishte të ndihmojë fëmijët në nevojë, pavarësisht përkatësisë fetare apo etnike si dhe të mbështesë institucionet të cilat asistojne ne ndihmë të këtyre fëmijeve. Nga viti 1998 deri në tetor të vitit 2006 ky fondacion drejtohej nga Znj. Karin Roncari. Por përgjatë kësaj kohe, zor se i është dëgjuar ndonjëherë zëri kësaj zonje, edhe pse ishte presidente e këtij fondacioni bamirës. Deri në emërimin e zonjës Liri Berisha, ky fondacion mbahej në këmbë kryesisht nga financimet e huaja. Por pas vitit 2006 raporti i financimeve nga donatorë shqiptarë ka ndryshuar krejtësisht. Rreth 90 për qind e aktiviteteve të këtij fondacioni mbështeten nga donatorë shqiptarë. Falë këtyre financimeve, fondacioni përmënd si arritje të tij që 40 fëmijë janë dërguar jashtë shtetit për kurim. Një tjetër projekt i këtij fondacioni është "Qëndra e Kërkimeve për Diagnostikimin Molekular dhe Gjenetik". Projekti ka kushtuar 300,000 dollarë.
LISTA E FINANCUESVE
Intermed SHPK
Panorama Group
ABA(American Bank of Albania)
Bankers Petroleum Albania LtD
Elisabeta Zaloshnja
KALO Associates Shpk
Genc Boga
DEKA SHA
Unioni Financiar i Tiranes
Institute of Contemporary studies
EHW Shpk
Ledina Agolli
Hope of Albania
Wolf Thessis
H.L. Group SHpk
TIrana Bank
HUngarian Embassy
Interalbanian Sha
Bloja SHa
Edil AL It Shpk
Vista Group Shpk
Palmir Shpk
Maryse Daviet X
Credins Bank SHa
Albanian American enterprise Fund
gezim Ceka
Drita Hoxha
Vala Goxhi
Posta Shqiptare
Greek embassy
Embassy of Switzerland
Lyela Rama
Ten Group services Ltd
Ma.Di.Sh
Eagle Mobile SHa
Francesko, Dasha, S.Guxholliu
elfrida Zefi
Energji SHkp
Novartis SHPK aktivitet kulturor
Eurosig SHA
JON SHPK, Dhurate
Kompleksi GJanica@ Koza Besnik Kapllanaj
Qeveria e Nxënësve Gjirokastër, Silvana Kekezi
Ministria e KUlturës, Rinisë dhe Sporteve
Derveni SHPK
SIGMA SHA
Intermed Pharma
Albatrade
Taci Oil Company
Atlantik SHA
Novartis Pharma Service Inc
Hoffman La Roche SHPK
YAPS
Idea Vlore
French Embassy
Cavalier Rrahim Cota
Universiteti Kristal
Hope for the World
Panorama Group
Alba Pigs SHPK
Adelini SHPK
Komiteti Olimpik i Marsejës
KOINONIKH STHRIJI Chorhgia
Perparim Gropa; Ndërtim Impo-Expo
Intesa San Paolo Staff
SOYA Group;Mika Mori, Japoni
Firot Investment Bank
VILOIL SHA
EKO A2 SHPK
Birra Korca SHPK
FLORYHEN SH.P.K.P.O.B.Nr.8
ALCATEL ITALIA SPAFiliali SHqiperi pobox 2910
B.B.INTERNATIONAL GROUP
YLDON SHPK
STUDIO EKONOMIKE K2F
RIRA SHA
FASSA AND BERBERI TIRANE
AMFORA SHPK
ALB-BUILDING
AGNA Group
MONDIAL SHPK
POLYECO Greece

Në një debat që u mbajt sot në Prishtinë nën organizimin e Klubit për Politikën e Jashtme, u tha se Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës e vë shtetin e ri në një pozitë më të favorshme ndërkombëtare dhe i krijon mundësi për forcimin e sovranitetit. Ekspertë të njohur vendas e ndërkombëtare thanë se institucionet e Kosovës duhet të shfrytëzojnë këtë opinion për shtimin e përpjekjeve diplomatike për rritjen e numrit të njohjeve dhe përballjen me çështjet e brendshme që janë thelbësore për sovranitetin e Kosovës.
Në Shqipëri ligji për Shërbimet sekrete nuk u përfshi sot ne rendin e ditës së parlamentit i cili u mor vetëm me votimin e ndryshimeve në buxhet. Pavarësisht se drejtuesit e shumicës kishin njoftuar se ai do të votohej, e djathta duket se ka evituar mundësinë e carjes së votave të saj, duke qenë se Lëvizja socialite për integrim e ministrit të jashtëm Ilir Meta ishte shprehur kundër.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha sot se vendi i tij nuk do ta zgjasë afatin e ngadalësimit 10 mujor të ndërtimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor që pritet të përfundojë në fund të shtatorit.
Njoftimi bëhet ndërsa dhjetra kolonë izraelitë të zemëruar nga shkatërrimi i banesave u përleshën me palestinezët në fshatin Burin të Bregut Perëndimor. 10 vetë u lënduan nga dhuna kur dy palët goditën njëri-tjetrin me gurë.
Ndërkohë, agjencia e lajmeve Associated Press njoftoi se presidentit palestinez Mahmud Abas i është thënë se duhet të përgatitet për bisedime të shpejta të drejtpërdrejta me Izraelin nëse do ndihmën e Presidentit Barak Obama për ngritjen e një shteti palestinez.
Sipas një dokumenti të brendshëm palestinez të cilin e ka siguruar Associated Press, i dërguari amerikan Xhorxh Miçëll e përcolli këtë mesazh këtë muaj.
Japonezët, tashmë mes popujve të botës që jetojnë më gjatë, po jetojnë më gjatë se kurrë më parë.
Në një raport të ministrisë së Shëndetsisë sot thuhet se jetëgjatësia për femrat japoneze arriti një rekord botëror në 86.44 vjeç, mbi 4 muaj më gjatë se sa një vit më parë.
Mesatarja për femrat në Hong Kong është 86.1 vjeç dhe në Francë 84.5 vjeç, respektivisht në vend të dytë dhe të tretë në gjithë botën.
Jetëgjatësia për meshkujt japonezë u rrit duke arritur në 79.59 vjeç, por duke i rradhitur ata në vend të pestë në botë. Meshkujt jetojnë më gjatë në Katar, 81 vjeç. Po ashtu para japonezëve janë meshkujt në Hong Kong, Islandë dhe Zvicër.
Në raportin japonez thuhet se arsyeja e rritjes së jetëgjatësisë ka të bëjë me përmirësimin e kujdesit shëndetsor, ndërkohë që kjo shifër pësoi rënie tek meshkujt për shkak të shtimit të numrit të vetëvrasjeve dhe përdorimit të alkooholit tek të moshuarit.

Qeveria e Serbisë tha se pret që edhe 55 vende të tjera ta njohin Prishtinën tani që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë deklaroi se shkëputja e Kosovës nga Serbia në vitin 2008 nuk përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar. Ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç, tha sot se vendimi që Gjykata shpalli të enjten ia ka bërë të vështirë Serbisë të vazhdojë fushatën e saj diplomatike kundër pavarësisë së Kosovës. Zoti Jeremiç i bëri komentet në një seancë të ngutshme të parlamentit në Beograd për të diskutuar rreth reagimit të Serbisë ndaj opinionit të Gjykatës së OKB-së.
Parlamenti i Serbisë filloi të debatojë sot mbi një rezolutë e cila kërkon bisedime të reja mbi statusin e Kosovës, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila deklaroi se shkëputja e Kosovës nga Serbia nuk binte në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.
Kërkesa për një rezolutë të tillë mund të rrezikojë objektivin e Beogradit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të BE-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe blloku prej 27 vendesh ka deklaruar se marrëdhëniet e mira mes Serbisë dhe Kosovës janë një kusht kryesor për anëtarësimin.
Rezoluta parlamentare, e pesta për Kosovën që nga viti 2005, e hedh poshtë opinionin e dhënë javën e kaluar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Ajo i kërkon qeverisë të lobojë për negociata rreth një statusi të ri duke propozuar një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Me një politikë të tillë, Beogradi mund të dalë kundër shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat e kanë njohur Kosovën.
Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç e shpjegoi kështu situatën:
"Vendi ynë dhe institucionet e tij të zgjedhura në mënyrë demokratike në këtë moment ndodhen përballë një dileme; pra nëse duhet të vazhdojnë t’i përmbahen rreptësisht sovranitetit dhe tërësisë tokësore të vendit të tyre, duke përdor të gjitha mjetet ligjore, politike dhe diplomatike në këtë betejë."
Zoti Jeremiç tha se aktiviteti diplomatik i Serbisë deri në hapjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, do të përqendrohet në pengimin sa të jetë e mundur të njohjeve të mëtejshme të Kosovës.
Beogradi ka bllokuar anëtarësimin e Prishtinës në organizatat rajonale dhe nuk lejon mallrat apo njerëzit me dokumente të Kosovës të hyjnë në territorin e Serbisë, që është rruga më e shkurtër për në tregjet e Bashkimit Evropian.
Në debatin parlamentar, partitë e opozitës kritikuan ashpër qeverinë se humbi dy vjet me këtë lloj diplomacie e cila nuk arriti të sigurojë një opinion të Gjykatës Ndërkombëtare në favor të Serbisë.
Tomisllav Nikoliç, i cili kryeson grupin më të madh opozitar, Partinë Progresive Serbe, la të kuptohet se pas vendimit të gjykatës, qeveria duhet të ndryshohet.
"Ne kërkuam që deklarata e njëanshme e pavarësisë të shpallej një akt në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Por Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha se kjo nuk është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Ne morëm atë që merituam. Dhe tani, na duhet të vuajmë nga kjo. Çdo gjë do të ndryshohet në Serbi përveç qeverisë, përveç njerëzve që janë përgjegjës. Ne të gjithë ndihemi të turpëruar, të poshtëruar, të mundur, vetëm qeveria vazhdon aty ku është," tha zoti Nikoliç.
Rezoluta pritet të hidhet në votë sonte vonë ose pas mesnate dhe besohet se do të miratohet.
Në portin e Sidneit u ankorua sot një anije e ndërtuar me rreth 12 mijë e 500 shishe plastike. Mes të pranishmëve që kishin dalë për të përshëndetur anijen, ishte edhe amabsadori amerikan në Sidnej Xhefri Bleiç. Është fjala për anijen Plastiki të ndërtuar tërësisht me materiale plastike
Ekipi 6 vetësh i anijes Palstiki udhëtoi për 4 muaj nëpër Oqeanin Paqësor. Udhëtimi i tyre synonte të shtonte ndërgjegjësimin për rreziqet që i kanosen njerëzimit nga mbetjet plastike. Anija u nis nga Porti i San Fransiskos më 20 mars dhe ajo përshkoi 15 mijë kilometra në mot të mirë dhe stuhi oqeanike. Fillimisht, ekipi shpresonte ta riciklonte anijen Plastiki, por tani ata po mendojnë ta ruajnë atë dhe ta përdorin si një mjet për t’i mësuar njerëzit se sa i rëndësishëm është procesi i riciklimit.
Ekipin e anijes e udhëhoqi Devid de Rothschild, nga familja e njohur bankjere britanike. Ai tha se i lindi ideja e ndërtimit të anijes Plastiki, pasi kishte lexuar mbi rrezikun që u kanoset oqeaneve nga hedhja e mbeturinave plastike. Anija 18-metërshe mori emrin Plastiki për nder të Thor Hejer-dah, i cili në vitin 1947 kaloi me një trap Oqeanin Paqësor.
Edhe pas mendimit të GJND-së, pesë vende të BE-së nuk sinjalizojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Nje 4 vjecar ka gjetur vdekjen ndërsa është përplasur nga një makinë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Zallxhuxh në Mirditë. Mësohet se fëmija ka qenë i shoqëruar nga dy prindërit dhe është aksidentuar në momentin që ata po përpiqeshin të kalonin nga ana tjetër e rrugës. Në momentin e përplasje fëmija ka marrë plagë të rënda, dhe fatkeqësisht ka gjetur vdekjen rrugës për në spital.
Sipas policisë është bërë e mundur identifikimi dhe arrestimi i drejtuesit të automjetit që përplasi fëmijën 4 vjecar
Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë dënoi sot sulmin e egër të ushtruar ndaj gazetarit serb Teofil Pançiç. Zoti Pançiç, i cili punon për revistën e përjavëshme Vreme dhe njihet për qëndrimet kritike kundër nacionalizmit dhe huliganizmit, u rrah brutalisht më 24 korrik dhe u dërgua me urgjencë në spital për shkak të plagëve të rënda të marra në kokë.
Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviç, tha se sulme të tilla përpiqen t’i mbyllin gojën gazetarisë së guximshme dhe të minojnë vlerat demokratike të vendit. Ajo tha se dhuna kundër gazetarëve është e barabartë me dhunën kundër shoqërisë dhe demokracisë dhe duhet të kundërshtohet duke e dënuar atë ashpër dhe duke ndjekur ligjërisht autorët. Sipas njoftimeve, Pançiç u godit me shufra metalike kur ishte duke udhëtuar në një autobus plot me njerëz në Zemun të Serbisë. Pas sulmit, autorët u larguan dhe ende nuk janë kapur.
Nga Korça ambasadori gjerman Bernard Borchard ka kërkuar gjetjen e kompromisit politik në Shqipëri si një kusht i BE, ndërkohë që ligj për SHISH mbetet një nga shqetësimet e kryediplomatit. Ambasadori Borchard në prag të largimit të tij nga Shqipëria, ka ndërmarrë një tur takimesh në Shqipëri.
Gjatë të hënës ai është ndalur në qytetin e Korçës ku është takur me drejtues të pushtetit lokal në këtë vend. Por zhvillimet politike në Shqipëri nuk kanë mbetur jashtë vëmendjes së Borchard i cili i ka komentuar ato. Teksa parlamenti shqiptar ka shtyrë deri në shtator miratimin e projektligjit të SHISH-it, çështja ka tërhequr edhe vëmendjen e Borchard.
Ambasadori i Gjermanisë, nuk i ka rezervuar deklaratat e tij për këtë ligj aq të debatuar prej shumë kohësh. Sipas tij, palët politike duhet të gjejnë kompromisin për sa përket ligjit për Shërbimin Informativ, por dhe për krizën politike nga anan tjetër.
"SHISH është një çështje delikate në një shoqëri demokratike që e ndan politikën nga shërbimet sekrete, prandaj palët duhet të gjejnë një kompromis për të. Do parapëlqeja të theksoja se kjo është një nga çështjet më të ndjeshme që do të thotë se duhen ndarë qartë limitet mes politikës dhe shërbimeve sekrete", ka deklaruar Borchard.
Ambasadori gjerman nuk i shmanget as dështimeve të njëpasnjëshme për zgjidhjen e krizës politike në vend. Ai ka theksuar se kompromisi duhet gjetur në bazë të rekomandimeve të bëra nga BE.
"Palët duhet të përqëndrohen të gjejnë kompromis për kriteret e transparencës, gjithmonë sipas rekomandimeve të BE-së duke u bazuar në ligjet e Kushtetutës dhe transparencës. Se si do të jetë ky kompris iu takon forcave politike ta zgjidhin atë mes tyre. Përsa i përket kohës së negociatave këtë e dinë vetëm kryeminisrtri dhe kryetari i opozitës në vend" - u shpreh Borchard.

Ende nuk është e qartë se cili do të jetë fati i përpjekjeve të Turqisë për të hyrë në Bashkimin Evropian, megjithë fillimin e takimeve me zyrtarë të Bashkimit Evropian në Stamboll këtë muaj. Por e ardhmja e pasigurt e Turqisë si fuqi evropiane nuk po e ndalon Ankaranë që të tregojë forcën e vet politike në rajon.
Skena në Stamboll ishte e ngrohtë dhe mikpritëse. Dy zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian u takuan me Ministrin e Jashtëm turk për bisedime të rëndësisishme për kërkesën e Ankarasë për të hyrë në Bashkimin Evropian.
Por në thelb, marrëdhëniet mes Turqisë dhe partnerëve tradicionalë në Bashkimin Evropianë dhe të tjerë, kanë qenë të tendosura.
Ankaraja është e indinjuar nga vështirësitë për aspiratat e saj në Bashkimin Evropian. Vota e Turqisë në maj kundër sanksioneve të mëtejshme ndaj Iranit i ka zhgënjyer Shtetet e Bashkuara. Kohët e fundit, Ankaraja kërkoi që aleati i saj Izraeli të kërkonte ndjesë lidhur me sulmin ndaj një flotilje ndihmash muajin e kaluar që shkaktoi vdekjen e tetë shtetasve turq dhe një turko-amerikani.
Por ky vend mysliman që shtrihet në Lindje dhe Perëndim nuk po i lejon ngjarjet e fundit që ta ndalojnë të tregojë forcën e vet politike përtej kufijve të Evropës.
Qeveria e Presidentit Abdullah Gul dhe Kryeministrit Recep Tayyip Erdogan është përpjekur sistematikisht që të rregullojë marrëdhëniet dikur të brishta politike në gjithë Lindjen e Mesme me vende si Irani, Iraku dhe Siria.
Ajo ka shërbyer si ndërmjetëse edhe për konflikte rajonale në atë që analistët e kanë quajtur “Lufta e Ftohtë e Lindjes së Mesme”.
Sot, me ekonominë e gjashtë më të fuqishme në Evropë dhe një ndikim gjeopolitik në rritje, Turqia po bëhet me shpejtësi një fuqi botërore diplomatike.
Muajin e kaluar një delegacion diplomatësh të lartë turq ishte në Uashington për t’u kujtuar homologëve amerikanë pikërisht këtë fakt.
“Turqia për herë të parë po vepron me psikologjinë dhe besimin që pasqyron realitetet e kohës së pas Luftës së Ftohtë”- thotë këshilltari i kryeministrit turk.
“Ne besojmë, dhe disa mund të na quajnë naivë, se ajo që Franca dhe Gjermania arritën të bëjnë në Evropën Perëndimore, ne mund ta bëjmë duke bërë të mundur një hapësirë gjeografike në Lindjen e Mesme, në Kaukaze, në Detin e Zi dhe në Ballkan, ku qarkullimi i lirë i njerëzve, ideve dhe mallrave të jetë i mundur”- thotë dr. Suat Kiniklioglu, i Partisë AKP.
Ambasadori turk në Shtetet e Bashkuara tha se udhëtimi në Uashington kishte gjithashtu si synim “riedukimin” e ligjvënësve amerikanë ne qëndrimin e ri të politikës së jashtme turke.
Kritikët e këtij roli të ri të Turqisë thonë se vendi po i largohet perëndimit, veçanërisht Evropës, dhe po sheh nga lindja duke kërkuar partneritete politike me fqinjë si Irani dhe Siria, aleanca që fuqitë perëndimore i shohin si shqetësuese.
Por Ibrahim Kalin, këshilltar i lartë i Kryeministrit turk thotë se Turqia thjesht po vë në zbatim politikën e fqinjësisë së mirë në rajonin e vet. Ai thotë se Ankaraja po e bën më të larmishme politikën e jashtme për të garantuar paqe dhe qëndrueshmëri në Lindjen e Mesme.
Në qarqet politike turke quhet “politika për 0 probleme me fqinjët”.
“Ne nuk shohim ndonjë paradoks përsa i takon vlerave. Kur aleatët tanë Evropianë dhe Amerikanë bëjnë përpjkje të ngjashme për të përmirësuar marrëdhëniet me aktorë të vështirë si Rusia dhe Kina, kjo konsiderohet si kontribut madhor për paqen në botë. Disa njerëz ende e kanë të vështirë ta pranojnë se vende të tjera të botës meritojnë të njëjtin respekt nga ne. Dhe ne këtë përpiqemi të bëjmë në politikën tonë të jashtme në pjesën tonë të botës”.- thotë zoti Kalin.
Turqia mund t’ia lejojë vetes vetëbesimin. Ekonomia e saj është e 16-a më e zhvilluara në botë me një prodhim të brendshëm bruto prej afro 750 miliardë dollarë.
Përveç kësaj, Turqia u jep afro 500 milionë dollarë ndihma mbi 30 vendeve, duke e shtuar kështu ndikimin e saj global.
Ibrahim Kalin këmbëngul se pozicioni i ri gjeopolitik thjesht reflekton realitetin e ndryshuar të shekullit të 21-të.
“Ne akoma nuk e kemi kapërcyer problemin e euro-centrizmit në politikën botërore, idenë se marshimi i historisë filloi në Evropë dhe vazhdon në Evropë me ndonjë episod aty-këtu në botën islamike, apo Kinë, apo me perandorinë otomane. Kjo duhet të kapërcehet”- thotë ai.
Në këtë rend të ri, vende në zhvillim si Kina, India dhe Brazili gëzojnë pushtet më të madh politik dhe ekonomik, ndërsa fuqitë tradicionale globale duket se po e humbin një pjesë të ndikimit në skenën botërore.