Duke qenë koha e merkatos së verës, edhe lojtarët shqiptarë janë të përfshirë në tratativa. Kryesisht ata që synojnë një hop më të madh cilësor në karrierën e tyre, që nënkupton kalimin nga kampionati kombëtar i yni drejt kampionateve të huaja, por edhe sistemimin e atyre lojtarëve të tjerë, legjionarë kuqezinj, që janë pa ekipe. Kështu, një nga elementët më të spikatur të kampionatit tonë kombëtar, Elis Bakaj, pjesë e Dinamos kampione, prej dy ditësh gjendet në provë te Hanover 96, me "shkjes" Altin Lalën, prej vitesh pjesë e kësaj skuadre gjermane të Bundesligës, ndërkohë që ka zyrtarizuar "koordinatat" e reja edhe Erion Bogdani, që mbylli kontratën me Kievon. Skuadra e sapongjitur në Seria A, Çezena, ka marrë shërbimet e "Er Bomber", sulmuesit shtatlartë kuqezi, për edicionin e ardhshëm. Skuadra italiane në fjalë ka nënshkruar një kontratë 1-vjecare me shqiptarin, duke shpresuar se kështu ka zgjidhur problemin e sulmit të vet.
Në lidhje me Elis Bakajn, mediat gjermane kanë shkruar të mërkurën: "Futbollisti i kombëtares shqiptare, Elis Bakaj, ka befasuar të hënën në mbrëmje, teksa është shfaqur në kampin trajnues të Hanoveri, në Bad Radkersburg. Ai ka mbërritur në radhët e Hanoverit falë ndërmjetësimit të një tjetër shqiptari në radhët e skuadrës gjermane të Bundesligës, ish-kapiten i saj, Altin Lala, dhe do t'i nënshtrohet një prove disaditore, për të nënshkruar ose jo. Kjo do të varet nga verdikti përfundimtar i trajnerit dhe stafit teknik të Hanoverit. Nga të dhënat e para mësohet se Elis Bakaj, me shtetësi shqiptare, është një mesfushor ofensiv dhe një mik i mirë i Altin Lalës. Të dy i përkasin ekipit kombëtar të vendit të tyre. Klubi aktual i 23-vjeçarit është kampionia e superligës shqiptare, Dinamo e Tiranës, për të cilin Bakaj shënoi 15 gola në sezonin e fundit."
Ndërkohë, gazeta "Hanorishe Allgemaijne" shkruan se lojtari i Dinamos dhe i kombëtares shqiptare i ka befasuar të gjithë gjatë stërvitjes. "Bakaj, një mesfushor ofensiv, shkruan gazeta gjermane, njihet shumë mirë nga Altin Lala. Të dy i përkasin Kombëtares së vendit të tyre. Klubi aktual i 23-vjeçarit është kampionia e Shqipërisë, Dinamo, për të cilën ai shënoi gjatë sezonit të kaluar 15 gola".
Ndërkohë, miqësorja e sotme, që Hanoveri do të zhvillojë ndaj Crvena Zvezdës, në orën 18:00, duket se do të jetë testi i vërtetë, për qëndrimin ose jo, të Elis Bakajt tek skuadra gjermane.
Sa i takon Erion Bogdanit, sulmuesit tjetër të kombëtares kuqezi, 33 vjec, ai ka mbetur sërish pjesë e Seria A. Të mërkurën, klubi i Çezenës e ka konfirmuar zyrtarisht shqiptarin si përforcim të tij në sulm. "Pas një takimi të mëtejshëm midis palëve, e cila u mbajt ditën e martë, qëndërsulmuesi shqiptar ka rënë dakord të hedhë firmën në një kontratë njëvjeçare, me opsion për ta zgjatur dy vite. Bogdani gjen trajnerin Masimo Ficadenti te Çezena, me të cilin ka bashkëpunuar, madje ka lënë shenjë te Verona, me 17 gola të shënuar në sezonin 2004-2005. Në tri kampionatet e fundit në Itali, Bogdani ka shënuar vetëm pesë gola, në 70 lojëra, mes Livornos dhe Kievos. Në sezonin 2005-2006, në radhët e Sienës, Bogdani kishte realizuar 11 gola. Megjithatë, pavarësisht ardhjes së Bogdanit, udhëheqja e Çezenës është e vendosur për të siguruar një tjetër sulmues. Te Çezena ka luajtur edhe një tjetër shqiptar, më herët, në sezonin 2002-2003, Florjan Myrtaj. Sulmuesi shtatlartë, një njohje e vjetër e kampionatit italian, që sot (maksimumi nesër) do të pritet në Savio, për t'iu nënshtruar testeve mjekësore, gjithashtu ka një "militantizëm" të madh në vendin e tij, teksa ka luajtur 52 ndeshje me kombëtaren, me të cilën ka realizuar edhe 12 gola," - shkruajnë mediat italiane të mërkurën, në lidhje me transferimin e Bogdanit te skuadra debutuese në Seria A, në edicionin 2010-2011.
Ndërkohë, pa ekip ka mbetur ende mesfushori fantazist i kombëtares kuqezi, Ervin Skela, ndikimi i të cilit në përfaqësuesen kuqezi është i madh, madje i pazëvendësueshëm, sepse trajneri Kuzhe e konsideron zgjedhje të parë të padiskutueshme, edhe pse vlonjati pak ka luajtur edicionin e shkuar, edhe pse tashmë është pa ekip. Sidoqoftë, mbetet për t'u parë vijimësia e këtij lojtari, për të thënë nëse kombëtarja do ta vuajë qënien e Ervin Skelës një "elektron i lirë" në merkato, por edhe në angazhimet përgatitore të denja.