Liderët e Kosovës shprehën bindjen se pas publikimit të opinionit nga GJND-ja, do ta kenë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare në koordinimin e hapave të mëtejmë politikë. I kthyer nga Malavi, presidenti Sejdiu tha se do të ketë shtim të njohjeve të shtetësisë së Kosovës, ndërsa pas vizitës në Bruksel, kryeministri Thaçi u shpreh optimist për një unitet evropian pas GJND-së, sa i përket Kosovës.
Edhe pse nuk është caktuar ndonjë datë konkrete se kur mund të bëhet publik mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, skena politike në Prishtinë dhe ajo në Beograd po bëjnë përgatitjet për agjendën pas kësaj ngjarjeje.
Planet për krijimin e një agjende vepruese politike pas mendimit të GJND-së duket se janë bërë një nga temat më të rëndësishme të diskutimeve edhe në takimet që udhëheqësit e Kosovës po zhvillojnë me përfaqësues të shteteve të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit.
Pas kthimit të tij nga Malavi, presidenti i Kosovës, Fatmir Sedjiu, shprehu bindjen se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do t'i vlerësojë argumentet e palës kosovare, të cilat, siç tha ai, janë të parrëzueshme.
Presidenti Sejdiu shfaqi besimin për rritjen e numrit të njohjeve pas mendimit të institucionit më të lartë të drejtësisë në botë.
"Unë s'dua të paragjykoj se cili është mendimi i gjykatës, por unë them paralelisht se Kosova është një realitet pozitiv, një realitet që nuk kthehet pas. Paralelisht, mund të them se 69 vendet që e kanë njohur Republikën e Kosovës, kanë pasur arsyet e veta të plota. Them se do të ketë edhe shumë vende të tjera që do ta njohin në proceset e mëtejshme", u shpreh Sejdiu.
Një pjesë e madhe e shteteve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës kanë dërguar po ashtu argumentet e tyre pro pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Rëndësinë që nga 27 vendet e Bashkimit Evropian, për ligjshmërinë e shpalljes së shtetësisë së vendit të binden edhe 5 shtetet që nuk e kanë bërë këtë gjë, e theksoi pas realizimit të vizitës në Bruksel, kryeministri Hashim Thaçi.
Kreu i ekzekutivit kosovar tha se në takimet që ka zhvilluar me shefen e diplomacisë evropiane, Eshton, komisionarin e BE-së për zgjerim, Fylle, ministrin e jashtëm belg, Letereme, dhe zyrtarë të tjerë të lartë në BE, është diskutuar për përgatitjet që do t'i ketë Kosova pas publikimit të mendimit të GJND-së. Ai tha se e ardhmja evropiane e vendit është e sigurt.
"Bashkimi Evropian, edhe pas prezantimit të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare, do të ketë një qëndrim shumë unik për të ardhmen e Kosovës, për t'u integruar edhe në NATO, edhe në BE, por edhe për relacionet e reja në kuptimin e çështjeve praktike ,edhe me shtetin e Serbisë, pra si dy shtete të veçanta, të integruara në strukturat euro-atlantike", theksoi Thaçi.
Përveç bashkërendimit të hapave me faktorin ndërkombëtar, opozita kosovare, ditë më parë, kishte propozuar idenë e krijimit të tryezës së përbashkët koordinuese për veprimet pas GJND-së. Presidenti Sejdiu, megjithatë, theksoi rëndësinë që këto përgatitje të mbesin në nivelin instit.
Kërkesa ndërkombëtare që pas GJND-së Beogradi e Prishtina të ulen në tryezën e diskutimeve, për të biseduar për çështje, siç quhen, praktike, sipas kryeministrit Thaçi, përjashton mundësinë e rikthimit të çështjes së statusit dhe të integritetit territorial të vendit.
Mendimi i GJND-së pritet të jetë neutral, gjë që vlerësohet të hapë çështjen e interpretimeve të ndryshme jo vetëm në Prishtinë e Beograd, por edhe në mesin e vendeve aleate të të dyja palëve.